loader image
October 14, 2024

Lufta e zgjatur dhe demokracitë

Fillimisht, me daljen në skenë të bombës bërthamore, superfuqitë hynë në një garë të çmendur duke prodhuar mijëra, dhjetëramijëra, koka bërthamore, aq sa po të qe e mundur të përdoreshin, do të mund ta shkatërronin disa herë jetën dhe globin. Mandej u pa se gara ishte një marrëzi, si nga aspekti financiar, ashtu edhe ushtarak, meqenëse edhe në rast të ndonjë lufte bërthamore në fakt nuk do të mund të përdoreshin kurrë aq shumë bomba.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Zhvillimi teknologjik sot përcakton se fitorja u përket atyre që janë në gjendje të luftojnë luftëra të gjata, shumëvjeçare, të cilat fitohen jo duke e asgjësuar, por duke e lodhur kundërshtarin. Teksa arma më shkatërruese është bërthama e atomit, arma më e fortë në luftërat bashkëkohore janë nervat. Mjerë ai që lodhet shpejt ose, siç shkon ai vargu i Luigj Gurakuqit, “mjerë ai që nuk qëndron!”.

Luftërat Botërore, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ishin ngjarje të mëdha të asgjësimit masiv. Ato, sa i përket armatimit, i përkasin periudhës para-bërthamore. Shtetet e mëdha përpiqeshin ta gjenin armën perfekte, që të shkaktonte sa më shumë shkatërrim e sa më shpejt. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë u zhvillua arma më efikase për shkatërrimin masiv, bomba bërthamore. Mirëpo, paradoksalisht, arma e shumëpritur dhe e shumëkërkuar nuk u përdor në ndonjë luftë, me përjashtim të “testimit” të saj me qindra mijëra viktima, mbi Hiroshimë e Nagasaki të Japonisë. Siç vërtetojnë dekadat prej Luftës së Dytë Botërore e deri më tash, arma që maksimalizoi mundësinë e shkatërrimin solli bashkë me të edhe frikën absolute prej asgjësimit. Kjo gjë prodhoi ndryshime sizmike në vetë konceptin e luftës, të doktrinës ushtarake e të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Fillimisht, me daljen në skenë të bombës bërthamore, superfuqitë hynë në një garë të çmendur duke prodhuar mijëra, dhjetëramijëra, koka bërthamore, aq sa po të qe e mundur të përdoreshin, do të mund ta shkatërronin disa herë jetën dhe globin. Mandej u pa se gara ishte një marrëzi, si nga aspekti financiar, ashtu edhe ushtarak, meqenëse edhe në rast të ndonjë lufte bërthamore në fakt nuk do të mund të përdoreshin kurrë aq shumë bomba. Kështu filloi deeskalimi bërthamor mes superfuqive gjatë Luftës së Ftohtë, teksa filluan të zhvillonin doktrina të parashikueshmërisë, sipas të cilave eskalimi dhe deeskalimi do të ndjekin hapa të caktuar, si një farë protokolli, për shkak se secili vend do të udhëhiqej, në analizë të fundit, nga racionaliteti për vetëshpëtim. Një model i famshëm i parashikimit të eskalimit nuklear është ai i strategjistit amerikan nga Instituti RAND, Herman Kahn, model i cili përmban 44 shkallë. Por, që prej se ekzistojnë bombat bërthamore, fuqitë kurrë nuk e kanë kapërcyer as gjysmën e 44 shkallëve të Kahn-it. Ka teoricienë që thonë se, me teknologjinë aktuale bërthamore, lufta asgjësuese (war of annihilation) është bërë në fakt gjë e pamundur. Pra, kundërintuitivisht: sa më e aftë teknologjia, aq më e paleverdisshme lufta asgjësuese. Por, kuptohet, kjo nuk është se i ka dhënë fund luftërave. Sipas rregullave të dialektikës (edhe ato kundërintuitive), sa më të pamundura luftërat asgjësuese, aq më të shpeshta luftërat pozicionale, të njohura edhe si atricionale (wars of attrition). Sot luftëra asgjësuese mund të thuhet se zhvillojnë vetëm diktatorët e vendeve të pazhvilluara dhe me prapambetje teknologjike. Vendet me një zhvillim të paktën mesatar dhe akses në teknologji, nëse përfshihen në luftëra, gjithnjë e më shpesh ato janë luftëra afatgjata e të një lloji gjithnjë e më hibrid. Gjithnjë e më shpesh ato përfshijnë luftë teknologjike, me përfshirje satelitësh e dronësh ose sulme kibernetike, dëmtime të infrastrukturave tokësore, hapësinore e nëndetare, embargo e sanksione ekonomike e kështu me radhë. Edhe kur detyrohen të angazhohen me armë, ato angazhime janë të natyrës jobërthamore, pra në njëfarë mënyre të përmbajtura, joasgjësuese në mënyrë decizive. Këtë gjë e vërteton edhe rasti i Ukrainës.

Dimension i kësaj lufte “postmoderne”, që nënkupton bashkekzistencën e mundësisë për asgjësim total me frikën nga asgjësimi total, është lëvizja prej rrafshit të armëve në rrafshin e ideologjisë. Filozofi marksist francez Louis Althusser qysh në vitet e ’70-ta të shek. XX e përshkruante filozofinë si një armë për një luftë e cila zhvillohej në rrafshin teorik e ideologjik. Natyrisht Althusser-i nuk po “shpikte” gjë, por po nxirrte në pah një realitet tashmë ekzistues. Lufta e Ftohtë shtrihej përballë opinionit botëror si një luftë botëkuptimesh, nga njëra anë ai i lirisë dhe, nga ana tjetër, ai i solidaritetit; nga njëra anë ai i individit, nga ana tjetër ai i shoqërisë; nga njëra anë ai i demokracisë; nga ana tjetër ai i planifikimit e kështu me radhë. Pamundësia për ta përdorur armën bërthamore e bërthamorizoi shndërrimin në armë të koncepteve.

Kjo luftë filozofish e konceptesh vazhdon edhe sot, teksa p.sh. në rastin e pushtimit rus në Ukrainë, Rusia e Putinit thotë se përfaqëson një bastion e një botëkuptim tradicional mbi familjen e gjininë, sipas tezave të Aleksandër Duginit, ndërsa Perëndimin e akuzon për degjenerim moral e propagandim të agjendave që e rrezikojnë familjen tradicionale. Nga ana tjetër, edhe Perëndimi e shtron veten faqe botës si bastion të demokracisë, principet e të cilës pretendon se i çon përpara në rregullimet e politikës së brendshme, por edhe të asaj ndërkombëtare. Bindja që shoqëron këtë armatosje të koncepteve është e natyrës strategjike, në formën e sloganizuar “demokracitë nuk bëjnë luftë me demokracitë” ose “tradicionalizmi është baza për marrëveshje internacionale mes nacionalizmave”. Nga këto slogane rrjedh edhe përcaktimi i fushëbetejës “bota demokratike kundër botës tradicionaliste”. E reja dhe e hapura për eksperimente, kundër të sprovuarës të trashëguar prej mijëvjeçarësh, e kështu me radhë.

Do të ishte lehtë të hidhej poshtë ky konfigurim i betejës ideologjike mes kampeve, duke sjellë kundërshembuj, p.sh. duke treguar se edhe Perëndimi ka shembuj aleancash me demokraci disfunksionale ose me diktatura apo se ka shembuj dështimi në liberalizëm e kryengritjesh të reaksionit tradicionalist. Po aq lehtë do të ishte të silleshin shembuj zhvillimesh demokratike ose ishujsh liberalë, tolerantë ose moskokëçarës nga kampi i ashtuquajtur “lindor”. Por, do të ishte e pakuptimtë. Botëkuptimet që shpallin palët nuk janë përshkrim i realitetit absolut në to, por shpallje e vizionit, e kahjes nga ato duan ta dërgojnë botën. Në këtë kuptim, ato ideologji duhen vlerësuar për atë çka shpallin, e jo për mosmbërritjet ose kontradiktat e tyre të vogla, atje ku deri diku aplikohen.

Teksa politologët, ekonomistët, sociologët, psikologët, kulturologët e, natyrisht, filozofët merren me trajtimin kritik të këtyre ideologjive ose grand-narrativave, në këtë shkrim mundemi modestisht të vëmë re një tipar që shpesh anashkalohet: efekti që ato kanë në zhvillimin e luftërave të cilat i përmendëm më sipër, pra të luftërave të llojit postmodern, të luftërave që zgjasin shumë e që kërkojnë durim.

Disa analistë kanë vënë re se në vendet me organizim demokratik shpesh vendimmarrjet janë të varura nga opinioni publik, i cili jo rrallë udhëhiqet nga masmediat, që janë kompani fitimprurëse (biznese). Vëmendja e opinionit publik në vendet me demokraci liberale nuk drejtohet nga faktorë që ndjekin “raison d’état”, por nga faktorë që synojnë maksimalizimin e fitimit. Kjo prodhon zvogëlim të vëmendjes publike, emocionalizim në kurriz të racionales, por edhe brenda racionales, që mbetet shpesh si dominim i interesit personal në kurriz të interesit publik. Gjithë kjo shoqërohet me spektakolarizim, që mund të prodhojë situata të përçudshme. Për shembull, sipas sondazhit Gallup të vitit 1999, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm rreth 30 për qind e opinionit ishin të informuar për mizoritë serbe në Kosovë dhe për nevojën urgjente për të ndërhyrë ushtarakisht që të ndalej spastrimi etnik i filluar prej Milosheviqit. Ndërkaq, mbi 80 për qind e opinionit, në të njëjtin vit e sipas të njëjtit sondazh, e shihnin me interes më të lartë se çfarë kishte për të thënë Monica Levinsky, sekretarja që akuzoi për imoralitet presidentin e atëhershëm, Bill Clinton. Nëse demokracia do të ishte qeverisje përmes statistikave (shyqyr që s’është), mbase nuk do të kishte pasur ndërhyrje amerikane në Kosovë. Fatmirësisht, logjika politike megjithatë nuk i nënshtrohet vox-pop-it të kapur prej mediave bulevardeske e prej spektaklit.

Sidoqoftë, shembulli flet shumë. Kur një vend demokratik angazhohet me financa e me ushtri në një luftë afatgjatë, është e madhe mundësia që pas disa viteve, në mos në zgjedhjet e para në të dytat, të fillojë të bëhet çështje elektorale ajo e tërheqjes prej impenjimit ushtarak. Fillojnë protestat e nënave të ushtarëve, ato të pacifistëve, ato të izolacionistëve, që duan të mos harxhohen paratë nëpër botë e kështu me radhë. Ka analistë të strategjive ushtarake që mendojnë se kjo është arsyeja e vërtetë për mossuksesin e SHBA-ve në rastin e Vietnamit, Afganistanit, Irakut apo Sirisë. Amerika ka kapacitete të mrekullueshme për të fituar çdo luftë në afatshkurtër dhe afatmesëm. Por, a e ka durimin për luftëra afatgjata, që kërkojnë investim, sakrificë e durim prej disa dekadash?

Nga ana tjetër, kampi tradicionalist me në krye Rusinë, sipas të njëjtëve analistë amerikanë, ka treguar se është në gjendje të mbështesë ose të angazhohet në konflikte shumë afatgjata me intensitet të ulët, pavarësisht kostove. Në Moldavi Rusia mban të ndezur një konflikt të tillë qysh prej tre dekadash, pa u lodhur. Në Gjeorgji mban dy të tilla gjallë. Në Ukrainë qysh prej 2014. Shembuj të tillë nuk sjell vetëm Rusia, por edhe vende të modelit të njëjtë. Për shembull, Serbia, e cila qysh prej marrëveshjes e Dayton-it, në 1995, kurrë nuk heq dorë nga mbajtja ndezur e zjarrit brenda Bosnjës. Njësoj investon ajo për mbajtjen e një farë tensioni struktural brenda Kosovës ose brenda Malit të Zi. Ose, për mbajtjen dhe zhvillimin e levave të saj në Maqedoninë e Veriut, e pse jo edhe në ndonjë vend tjetër të rajonit.

Këto janë vende autokratike. Opinioni publik mund të lodhet ose të entuziazmohet, por kjo gjë nuk varet thjesht nga bizneset mediale. Sepse edhe mediat, edhe bizneset, në modelin autokratik, janë të varura prej qeverisë. Koncepti shumë i përfolur i oligarkut është pikërisht ky: një multimilioner i cili ka fituar pozitë oligopoliste ose monopoliste, jo në saje të konkurrencës, por në saje të favoreve që merr prej politikës. Natyrisht, ky lloj oligarku është në pozitë shumë më servile ndaj autoritetit sesa milioneri i tregjeve të lira, tek jeta ekonomike e të cilit shteti është vetëm një nga variablat.

Kështu, për realizimin e projekteve të tyre nacionaliste të llojit “Ruski Mir” ose “Srpski Svet”, këta udhëheqës autokratë janë në gjendje të presin gjatë, shumë gjatë, në konflikte të pambarimta. Ata e kanë luksin të thonë “ne do të lodhemi të fundit”. Sepse, opinionin edhe ashtu të kontrolluar, e ushqejnë përditë me atë lloj shovinizmi, saqë edhe në rast se do të mbaheshin sondazhe të lira në vendet e tyre, do të rezultonte se një përqindje dërrmuese e popullsisë i mbështet autokratët dhe projektet e tyre pushtuese.

Pra, vetë konfigurimi i betejës ideologjike ndikohet dhe ndikon doktrinat luftarake të vendeve. Pika e fortë e demokracive është se mund të fitojnë luftërat afatshkurtra e afatmesme në një mënyrë të pakonkurrueshme – e pastaj paqen mund ta kenë shumë afatgjatë. Ndërkaq pika e fortë e tradicionalizmave autokratikë është se teksa paqen s’e kanë hiç të qëndrueshme, munden fare lehtë të qëndrojnë shumë gjatë të angazhuar nëpër luftëra.

Kur Rusia e pushtoi paligjshëm Krimenë, në vitin 2014, presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, ndoqi një strategji të sanksioneve e ndëshkimeve ekonomike. Specialistët perëndimorë menduan se varfërimi i qytetarit të zakonshëm rus do ta dobësonte Putinin. Ata, si zakonisht, bënë gabimin e analizimit të tjetrit sikur të mos ishte tjetër. Dhe, ja ku jemi sot, nëntë vite pas pushtimit të Krimesë, dhe një vit pas nisjes së agresionit të armatosur rus ndaj pjesës tjetër të Ukrainës.

Është e qartë se Rusisë në Ukrainë, në Moldavi, në Gjeorgji e në vende të tjera, i intereson konflikti i gjatë. Po kështu edhe Serbisë i intereson tërhiq e mos e këput me Bosnjën, Malin e Zi e Kosovën.

Por, Amerikës, Europës, Ukrainës, Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi e shumë vendeve të tjera u intereson një angazhim i përqendruar, për ta fituar luftën disi më shpejt. Natyrisht, rreziku i luftërave që synojnë të mbyllen shpejt është i madh. Por edhe rreziku i luftërave të stërzgjatura nuk është i vogël, sepse në fund rezulton në zgjerim të gangsterizmit ndërkombëtar dhe në rrudhje të hapësirës së lirisë e të demokracisë.

Të shpresojmë që ky vit, 2023, të jetë vit i çlirimit të Ukrainës, i largimit të Serbisë nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe i fitores të demokracive. Por, medoemos kjo do të kërkojë sakrificë. Që vendet luftëhumbëse ta pranojnë humbjen e luftës, e që më në fund të fillojë të ndërtohet paqja.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X