loader image
December 4, 2024

Letërsia në sfond, kriza e modernitetit

Shkruan: Ismail SINANI

Revista “Shenja” edhe njëherë po përpiqet ta hapë një debat më ndryshe ndër shqiptarët. Kësaj radhe në fokus ishte letërsia, si bërthama e artit, e fjalës së shkruar, e cila e kuptimëson njeriun si qenie me vetëdije.

Jemi përpjekur të nxjerrim në dritë ca gjëra, që tashmë prej disa dekadash i ka mbuluar pluhuri i kohës, ndërsa perspektiva, kur shihet nga prizmi i hovshëm teknologjik, është edhe më e zymtë se kjo katandisje që na ka pllakosur tashmë një periudhë të gjatë.

Ne nuk pretendojmë se e kemi mbyllur debatin. Madje, nuk duam të shfaqim as nuk pretendojmë se jemi të vetmit që e kanë këtë brengë intelektuale, shoqërore e kombëtare. Por, duke qenë se tashmë më shumë se një dekadë po përpiqemi të bëhemi gardianë të fjalës së shkruar në letër, duam të lëmë gjurmë se edhe ne kemi kontribuar në këtë fushë. Ndaj, nuk është se e marrim shumë të mirëqenë thënien e Nietzsche-s kur thotë se “gjithçka që më duhet është një copë letër e bardhë dhe diçka për të shkruar mbi të dhe pas kësaj mund ta kthejë botën përmbys”.

Pa i bërë analogji kësaj thënie, pasi që nuk e dimë se në ç’rrethana e për ç’motiv është thënë, ne duam të flasim për letërsinë si art, por edhe si përcjellëse, ndjellëse dhe përcaktuese për shumë momente historike të njerëzimit, e në këtë rast të shqiptarëve, “nuk duam ta kthejmë botën përmbys”.

Askush prej nesh sot nuk do të mund të fliste e të mendonte shqip po të mos i kishim ato koka të ndritura të Rilindjes. Sot, gjuha shqipe, pa kontributin e intelektualëve të letrave të para 150 vjetëve, ndoshta do të studiohej në ndonjë institut, por assesi nuk do të ishte e gjallë. Shkronja shqipe, me gjithë alfabetin e saj, nuk do të ekzistonte. Kurse në mungesë të gjuhës nuk dihet se si do të mund të identifikoheshim se kush jemi e çfarë jemi.

Nisur nga kjo që u tha më lart, konsiderojmë se letërsia, përtej vlerës si art i fjalës, në secilin komb ka edhe dimensione sociale e politike, ndërsa krijuesit e saj – shkrimtarët – në shumë shoqëri janë orientuesit e zhvillimit të kombit. Shembuj se si letërsia ka ndikuar në zhvillimet sociale e se si shkrimtarët kanë pasur rol në ndryshime të mëdha shoqërore e politike ka pa fund në gjithë kulturën botërore, ndërsa shembuj të tillë, siç e cekëm, kemi edhe në traditën shqiptare. Që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, letërsia mes dy luftërave botërore, socrealizmi në Shqipëri e letërsia hermetike në ish Jugosllavi, e deri te Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, shkrimtarët shqiptarë kanë qenë strumbullari i ndërtimit të mendimit publik dhe i orientimit të kombit, madje ata shpesh kanë marrë edhe rol drejtues shoqëror.

Megjithatë, me hovin e madh të globalizimit dhe me zgjatjen e tranzicionit, gjithnjë e më shumë duket se po zbehet interesi për letërsinë, jo vetëm atë të traditës, por edhe atë bashkëkohore, ndërsa shkrimtarët nuk arrijnë më të kenë rol ndikues në rrjedhat shoqërore ose të marrin përgjegjësi shoqërore.

Pikërisht kjo është arsyeja që në këtë numër të revistës “Shenja”, bashkë me gjitha këto pena që kanë kontribuar, jemi orvatur të bëjmë një skicë të gjendjes së gjithmbarshme të letërsisë shqiptare, të trendeve, rrymave, autorëve e veprave, që lënë gjurmë tejkohore, ndërsa synimi ynë është që ta shohim se cila është perspektiva e letërsisë shqiptare dhe e shkrimtarit shqiptar në zhvillimet e reja shoqërore.

Patjetër që duhet përmendur se nuk janë të paktë edhe ata intelektualë që kanë hezituar të shkruajnë mbi këtë temë ndonëse prej dekadash bartin mbi supe “xhuben e intelektualit dhe shkrimtarit”.

Sidoqoftë, disa nga çështjet që kemi dashur t’u japim përgjigje në këtë numër të revistës janë: a po e margjinalizon globalizimi edhe letërsinë tonë kombëtare?; cili është fati i letërsisë shqiptare në eksperimentet e postmodernizmit?; cilat janë specifikat e letërsisë shqiptare në njësitë e ndryshme politike shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, mërgatë etj.); si bashkëvepron sot letërsia shqiptare me shoqërinë shqiptare?; cili është komunikimi i letërsisë shqiptare me letërsinë botërore?; cili është fati dhe roli i shkrimtarit shqiptar në shoqërinë shqiptare?; nëse dikur letërsia ka qenë boshti mbi të cilin janë ndërtuar zhvillimet shoqërore, cili është roli i saj në jetën e kombit? etj.

Revista “Shenja” këtë debat e lë të hapur. Madje, as që pretendon se mund ta mbyllë. Por, ajo që mund të konstatohet është se teknologjia çdo ditë e më shumë po krijon autikë digjitalë, njerëz që nuk e duan dijen, njerëz që ushqehen me scroll-in sot e nuk dihet se me ç’të arritur teknologjike do të ushqehen nesër, por që tani dihet se gjithsesi ato nuk do të jenë librat.

(Editoriali i revistës “Shenja”)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X