loader image
December 4, 2024

Kosova – një republikë e re e thyer?!

Tani, pas 15 viteve, Kosova vazhdon të jetë shteti më i ri në Europë me institucione të vetat dhe me simbole unike shtetërore, por me shumë probleme të karakterit funksional dhe ekonomik. Ndër sfidat e jashtme me të cilat sot përballet Kosova janë diplomacia e brishtë, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, zvarritja e liberalizimit të vizave dhe, gjithsesi, zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Serbinë.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rruge të gjatë e të vështirë. Për vite me radhë, qytetarët e Kosovës i ndjenin pasojat e dhunës dhe pastrimit etnik nga regjimi i Millosheviqit, gjë që rezultoi me luftë çlirimtare (1997-1999). Më 13 qershor 1999, forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, kurse pushteti atje ushtrohej nga Misioni i OKB-së (UNMIK) dhe institucionet e brendshme vetëqeverisëse.

Me Rezolutën 1244, Kosova u mor në protektorat ndërkombëtar të OKB-së, por mbeti mjegull çështja e sovranitetit jugosllav mbi të! Megjithatë, edhe zyrtarisht statusi përfundimtar i Kosovës u rrumbullakua në 17 shkurt të vitit 2008, si “pavarësi e mbikëqyrur”, kjo konform propozimit të Marti Ahtisarit. Por, tani shumë qytetarë të Kosovës, me të drejtë, e parashtrojnë pyetjen se a e ka dëshmuar Kosova se e meriton pavarësinë?! Duket se përvjetori i 15-të e gjen sërish Kosovën mes ngecjeve, sfidave, tensioneve dhe arritjeve!

Gjatë shumë dekadave të shekullit XX, shoqëria shqiptare nga Kosova përjetoi diskrimin, skamje e mjerim, me një arsimim të ulët (shkalla e analfabetizmit ishte shumë e lartë), me një mortalitet gjithashtu tejet e lartë, me investime ekonomike margjinale. Kjo gjendje ndryshoi në vitet e ’70-ta, për të filluar atëbotë një lulëzim arsimor e ekonomik i saj. Në këtë fazë edhe statusi i saj mori karakter federal (element konstitutiv i federatës jugosllave). Madje, është interesant se Kosova asaj kohe e kishte të drejtën e bllokimit të miratimit të ndryshimeve kushtetuese të Serbisë, kurse kjo e fundit s’e kishte atë të drejtë ndaj kushtetutës së Kosovës.

Por, shembja e LKJ-së (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë), pas Titos, si skelet i shoqërisë së atëhershme jugosllave, krijoi një vakum udhëheqës politik dhe ai vakum i shkonte për shtati më të fortit – nacionalizmit serb. Andaj akoma mbetet enigmatike çështja e organizimit të  demonstratave të Kosovës në vitin 1981, të cilat sikur demoni serb i nxorën nga shishja. Shumëkush mendon se mjeshtëria nacionaliste serbomadhe e shfrytëzoi naivitetin e rinisë kosovare, me qëllim të suspendimit të autonomisë maksimale që atë kohë e kishte Kosova!

Pasuan kështu mbylljet e institucioneve vitale të Kosovës, reduktimi sobstancial i autonomisë, dëbimet nga puna, shkatërrim i sistemeve të shkollimit, eliminimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe, definitivisht, dhuna dhe terrori i përmasave të mëdha. Në këtë mënyrë, në kontinuitet u cenuan të drejtat më elementare të njeriut për një jetë të dinjitetshme, të cilën e garantonin shumë marrëveshje ndërkombëtare.

Dhuna dhe presionet shkaktuan një emigrim të përmasave të mëdha të popullatës kosovare në vitet e ’90-ta, gjë që s’kishte ndodhur më parë në këso përmasash. Shumë familje ishin të detyruara të marrin rrugën e kurbetit për mbijetesë fizike e biologjike, duke ndihmuar të afërmit e tyre dhe duke u dalë në ndihmë institucioneve paralele, që tashmë ishin themeluar në mbarë territorin e Kosovës. Emigracioni shqiptarë ra në sytë e botës, ngase shumë shqiptarë e humbën jetën nëpër kufijtë e shteteve të ndryshme, duke u munduar të gjejnë një vend ku mund të strehoheshin, fillimisht, dhe pastaj të siguronin një pagë minimale sa për t’i dalë në ndihmë familjes dhe shoqërisë.

Këso gjendje, objektivisht, nuk kishte mundësi të mos përfundonte me konflikt të armatosur, me pozicione diametralisht të pafavorshme për Kosovën karshi një makinerie ushtarake serbe, e cila e kishte përvetësuar në tërësi teknologjinë dhe teknikën ushtarake jugosllave, që asaj kohe dukej e gjashta në Europë për nga fuqia. Pas një dhune të paseleksionuar disavjeçare, pasoi intervenimi ushtarak i NATO-s nën legjitimitetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Më vonë, në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës e shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shteti i Kosovës tashmë është i njohur nga 117 shtete, ndërsa shteti i fundit i cili ka njohur pavarësinë e saj është Izraeli. Burimet serbe bëjnë të njohur se ky numër njohjesh është më i vogël dhe se disa shtete, madje, i kanë revokuar njohjet, proces pak si i çuditshëm, duke u nisur nga parimet e se drejtës ndërkombëtare se njohjet janë të parevokueshme! Por, a është e gjithë kjo një lojë nervash apo jemi dëshmitar të lindjes së një praktike të re absurde ndërkombëtare për çnjohje, që do mund të shpie në kaos në bashkësinë ndërkombëtare?

Tani, pas 15 viteve, Kosova vazhdon të jetë shteti më i ri në Europë me institucione të vetat dhe me simbole unike shtetërore, por me shumë probleme të karakterit funksional dhe ekonomik. Ndër sfidat e jashtme me të cilat sot përballet Kosova janë diplomacia e brishtë, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, zvarritja e liberalizimit të vizave dhe, gjithsesi, zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Serbinë. Ajo, në faza të ndryshme, ka ditur t’i çrregullojë edhe marrëdhëniet me partnerët e saj strategjikë, duke rënë nën ndikimin e politikave të dëmshme partiake ditore, që kanë mund t’u kushtojnë shumë pozicioneve të Kosovës në procesin e zgjidhjes së shumë problemeve jetike që ajo i ka!

Duhet potencuar se edhe 15 vjet pas pavarësimit, Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha, të jashtme dhe të brendshme, si papunësia, varfëria, jostabiliteti energjetik, pagat e vogla, ikja e të rinjve e profesionistëve nga vendi, aspektet e sigurisë etj. Po ashtu, në 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit, prapa grilave, duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare gjenden edhe njerëzit që e shpallën shtetin e pavarur dhe luftuan për çlirimin e saj. Në Hagë, duke pritur nisjen e procesit gjyqësor, gjenden ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Tani, në 15-vjetorin e shpalljes së shtetit, kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë, të mbajtur për nder të 17 shkurtit, tha se pavarësia e Kosovës është arritur përmes luftës dhe sakrificës dhe se pavarësia do të rritet vetëm përmes punës. Kurti ka thënë se shteti i Kosovës është “shembull i mirë i demokracisë në këtë rajon problematik, siç është Ballkani”. “Detyra e jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë dhe për një jetë më të mirë”.

Sipas tij, Kosova është projekt i paqes, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe. “Nëse në vendet e tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre”. Ai përmendi se secili qytetar i Kosovës duhet të punojë për krijimin e një vendi më të mirë për gjeneratat e reja. Ai theksoi se “Sot në këtë 15-vjetor të pavarësisë së vendit, ne mund të mburremi me diçka që Kosovën e bën vend shumë të mirë. Fjala është për të drejtat që ne u japim pakicave etnike. Askund në Europë minoritetet nuk gëzojnë kaq të drejta në çdo nivel si këtu te ne. Andaj, duhet të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar, nuk kanë sjellë rezultate të mira”.

Pritjet e mëdha!

Pritjet shoqërore në Kosovë, karshi situatës sociale dhe ekonomike, në përgjithësi, ishin shumë herë më të mëdha, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ndodhi më e keqja – u thelluan pabarazitë sociale (të cilat mund të sjellin kauza ekstreme sociale), gjë që për vendet demokratike ose kapitaliste pabarazitë e tilla janë krejtësisht normale, mirëpo jo edhe ato pabarazi që burojnë nga mungesa e meritokracisë.

Në këtë periudhë bashkëkohore sikur shumë prej partiakëve i zaptuam majat e pozitave shoqërore në shumicën e rasteve pa kurrfarë sistemi të meritës, duke i shfrytëzuar format klanore, nepotizmin e çka jo tjetër, për përfitime individuale ose grupore, gjë që as që kemi mundur ta imagjinojmë më parë!

Si përfundim, krejt ato pritje të mëdha që kishte shoqëria shqiptare para ’99-tës u shembën. Sikur lakmia e stërtepruar pa sistem të meritës për pozitat shoqërore bëri  të përmbyset besimi dhe në vend se të dëgjojmë sot lajme të mira për kulturë, arsim, shëndetësi, për vende të reja të punës, për një jetë më të mirë qytetarie etj., tani ndër lajmet kryesore në mediat aktuale kosovare janë informacionet për keqpërdorime, korrupsion, krim të organizuar, kaos urbanistik, emigrim të të rinjve dhe dukuri të tjera negative, për të cilat as që ishte imagjinuar në shoqërinë shqiptare kur kihen parasysh vuajtjet e sakrificat nëpër të cilat kishin kaluar.

Dialogu me Serbinë!

Shumë vite nga procesi i shtetndërtimit të Kosovës, veçanërisht nisur nga viti 2011, u janë kushtuar bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë këtij procesi, shumë marrëveshje janë nënshkruar, por shumë pak prej tyre kanë arritur të zbatohen. Takimet mes negociatorëve, kryenegociatorëve dhe emisarëve për dialog u intensifikuan gjatë vitit të kaluar. Vitit 2022 ka nisur me kërkesat e faktorit ndërkombëtar kundrejt të dyja vendeve që t’u kthehen bisedimeve esenciale dhe të punohet drejt një marrëveshje funksionale mes tyre, e cila duket të jetë jo aq e lehtë e arritshme.

Së fundmi, Serbia dhe Kosova, në parim, sikur e pranojnë atë propozim të Bashkimit Europian, të njohur si plani franko-gjerman. Ky propozim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi iu pat dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por disa çështje akoma mbeten të paharmonizuara. Ndërkaq, Kosova vazhdon të përballet me presion ndërkombëtar për çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo, në të vërtetë, është një nga pikat më të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi. Formimin e saj, me shumë ngulm, e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse marrëveshja burimore për këtë çështje vazhdon të kundërshtohet me argumente se nuk është në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Por, ky argument nuk është i qëndrueshëm, sepse edhe nga kushtetuta e Serbisë duhet fshirë përcaktimin se Kosova është pjesë e Serbisë.

“No New Broken Republic” (Jo një republikë të re të thyer) është një lloj paralajmërimi se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë një bosnjëzim i Kosovës. Atje, presidenca është tripalëshe, me nga një përfaqësues nga boshnjakët, kroatët dhe serbët. Këta të fundit, të njohur me emrin Republika Sërpska, shpesh e kanë penguar marrjen e vendimeve në të mirë të Bosnjës dhe të integrimit të saj, madje disa herë duke kërcënuar me ndarje dhe pavarësi!

Liberalizimi i vizave!

Liberalizimi i vizave është njëra prej temave që për vite shërbente si karotë për Kosovën, që nga ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, por që akoma mbeti e parealizuar. Një fije shprese jep komisioni përkatës i Parlamentit Europian, i cili shënon një hap drejt heqjes së vizave. Një marrëveshje e arritur në dhjetor të vitit 2022, ndërmjet Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Europian, paraqet një kompromis, sipas të cilit liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit ETIAS (European Travel Information and Authorisation System), më së voni deri më 1 janar 2024. Marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën, para hyrjes në fuqi, do të dërgohet për votim në seancën plenare të Parlamentit Europian dhe më pas votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Komisioni Europian që në vitin 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të  vizave, ndërsa një vit më vonë Parlamenti Europian votoi në favor të këtij procesi, por kjo tashmë ka mbetur në vullnetin e vendeve anëtare, përkatësisht të Këshillit Europian.

Integrimi europian            

Kosova ka synuar t’u bashkohet organizatave perëndimore qëkur e ka shpallur pavarësinë e saj më 2008. Në këtë drejtim, vitin e kaluar Kosova shënoi një hap të rëndësishëm drejt intergrimeve europiane, duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshill të Europës, në maj të 2022-tës. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e kishte zyrtarizuar aplikimin teksa shprehej e bindur se aplikacioni do të pranohet. “Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-europian e më optimist në rajon, prandaj meriton të jetë pjesë e Këshillit të Europës.” – ishte shprehur Gërvalla.

Këshilli i Europës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Europë, që ka për qëllim kryesor sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Moment tjetër i rëndësishëm për rrugën e Kosovës drejt familjes europiane u shënua më 14 dhjetor 2022, kur  presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, dhe kryeministri, Albin Kurti, nënshkruan aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Europian. Aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë, pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. (Kosova nuk njihet ende nga pesë shtetet anëtare të BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.)

Një ditë më pas, kryeministri Kurti ia dorëzoi në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Europian ministrit për Çështje Europiane të Çekisë, Mikulas Bek. Me këtë rast, ministri Bek tha se presidenca çeke e përkrah aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkim Europian. “Është nder i imi ta pranoj aplikacionin e Republikës së Kosovës, që ka qenë një nga prioritet e  BE-së dhe Çekisë. E ardhmja jonë e përbashkët është mënyra më e mirë për t`i zgjidhur problemet, ekonomike, sociale ose edhe etnike, pra kjo është arsyeja përse ne i mirëpresim hapin e qeverisë së Kosovës drejt Bashkimit Europian dhe i çmojmë arritjet e Kosovës deri më tani.” – deklaroi ministri.

Proceduralisht, mjafton shtetet që s’e kanë njohur Kosovën të përmbahen nga votimi, që vendimi të kalojë. Por, edhe ky proces do jetë i lidhur si karotë për jetësimin e marrëveshjes me Serbinë. Ky hap i Kosovës drejt BE-së u përkrah nga disa shtete europiane, ambasadorë e diplomatë të shumtë. Presidentja, Vjosa Osmani, ka publikuar një fotografi nga ceremonia e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë. Sipër kësaj fotografie, Osmani ka shkruar se “Republika e Kosovës është e përjetshme”. Dikush tjetër shkroi “Kosova – një republikë e re e thyer”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X