loader image
December 4, 2024

Konflikti më fatkeq i botës

Nëse shikohen raportet e përditshme të mediave, sidomos BBC, “New York Times” dhe “Washington Post”, kuptohet qartë lufta joselektive me shumë viktima ndër civilë dhe një rënie masive e furnizimeve me ushqim, ujë, karburant dhe energji elektrike për mbi 600.000 banorë, sidomos të pjesës veriore. Këto media informojnë se Izraeli ka kryer rreth 30,000 sulme ajrore mbi Gazën, pothuajse të gjitha duke prekur zonat civile me shumë viktima, sepse aty është i strehuar Hamasi.

Mersel BILALLI, Gostivar

Konflikti izraelito-palestinez i ka rrënjët që nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, me lindjen e lëvizjeve të mëdha nacionale mes hebrenjve dhe arabëve, ku që të dyja palët vepronin drejt arritjes së sovranitetit për popullin e tyre në atë pjesë të gadishullit arabik. Deklarata e kryeministrit të atëhershëm, Arthur Balfour, në vitin 1917 në emër të qeverisë britanike ishte një mbështetje politike për krijimin e një “shtëpie kombëtare për popullin hebre” në Palestinë. Por, Amin al-Husseini, arkitekti i lëvizjes kombëtare palestineze, pas pak kohë e formoi një lëvizje kombëtare palestineze, duke i shpallë hebrenjtë si armikun më të madh të kauzës palestineze, duke inicuar trazira në shkallë të gjerë kundër hebrenjve që në vitin 1920 në Jerusalem dhe një vit më vonë në Jafa. Në vitin 1929 një seri trazirash të dhunshme rezultuan vdekjen e 133 hebrenjve dhe 116 arabëve në Hebron e Safed dhe evakuimin e hebrenjve nga Hebroni dhe Gaza.

Pas Deklaratës për Krijimin e Shtetit Izraelit, më 14 maj 1948, Lidhja Arabe vendosi të ndërhynte në emër të arabëve palestinezë, duke marshuar me forca ushtarake në territorin e ish Palestinës Britanike, duke filluar fazën kryesore të luftës arabo-izraelite në vitin 1948. Luftimet e përgjithshme çuan në rreth 15,000 viktima, gjë që e alarmoi bashkësinë ndërkombëtare për një marrëveshje armëpushimi në vitin 1949, por tanimë Izraeli e mbante në kontroll pjesën më të madhe të territorit të ish mandatit britanik. Ndërkohë, Jordania e pushtoi dhe aneksoi Bregun Perëndimor, kurse Egjipti e mori në kontroll Rripin e Gazës.

Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm ushtarak dhe politik, që nga mesi i shekullit të 20-të dhe është një nga konfliktet më të gjata në botë. Janë bërë disa përpjekje për ta zgjidhur këtë konflikt në kuadër të përpjekjeve të tjera për ta zgjidhur konfliktin më të gjerë arabo-izraelit. Gjatë vitit 1950, Jordania dhe Egjipti i mbështetën sulmet ndërkufitare të militantëve palestinezë kundër Izraelit, ndërsa Izraeli, si hakmarrje kreu disa operacione ushtarake. Kriza e Suezit në vitin 1956 rezultoi në një pushtim afatshkurtër izraelit të Rripit të Gazës. Më pas, Qeveria Gjithë-Palestineze u braktis plotësisht nga Egjipti (në vitin 1959) dhe u shkri zyrtarisht në Republikën e Bashkuar Arabe, në dëm të lëvizjes kombëtare palestineze. Rripi i Gazës, më pas, u vu nën autoritetin e administrativ ushtarak egjiptian, duke e bërë atë de facto një pushtim. Në vitin 1964 u formua një organizatë e re çlirimtare – Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO), e drejtuar nga Jaser Arafati. Ajo fitoi menjëherë mbështetje të shumicës së qeverive të Ligës Arabe dhe iu dha një vend në Ligën Arabe.

Një përparim drejt një zgjidhjeje mes palestinezëve dhe izraelitëve u bë me Marrëveshjet e Oslos të viteve 1993-1995. Këtu trajtohet edhe çështja e statusit përfundimtar të Jerusalemit, vendbanimeve izraelite, kufijve, sigurisë, furnizimit me ujë, si dhe lirisë së lëvizjes për palestinezët. Në fakt, dhuna e konfliktit në këtë rajon të pasur me vlera historike, kulturore e fetare, imperativisht do ishte objekt i konferencave të shumta ndërkombëtare që kanë pasu të bëjnë me çështjet e sigurisë, paqes dhe të drejtave njerëzore, por me përparim tejet të ngadalshëm. Shumica e përpjekjeve për paqen janë përqendruar rreth zgjidhjes përmes ekzistimit të dy shteteve – shtetit të pavarur palestinez përkrah Izraelit. Por, kjo ide sikur për vite nuk funksionon si duhet.

Status quo-ja aktuale izraelito-palestineze, që është duke zgjatë me dekada, ka filluar që nga pushtimi ushtarak izraelit i Bregut Perëndimor dhe Gazës, të njohura si territoret palestineze në vitin 1967. Lufta Gjashtëditore e vitit 1967 ushtroi një efekt të rëndësishëm mbi nacionalizmin palestinez, pasi Izraeli fitoi kontrollin ushtarak mbi Bregun Perëndimor që administrohej nga Jordania dhe mbi Rripin e Gazës që administrohej nga Egjipti. Asaj kohe PLO nuk ishte në gjendje të vendoste ndonjë kontroll në terren, andaj e krijoi selinë e saj në Jordani, që ishte shtëpia e qindra mijë palestinezëve. Megjithatë, baza palestineze në Jordani u shemb me luftën civile jordaneze-palestineze në vitin 1970. Humbja e PLO-së nga jordanezët bëri që shumica e militantëve palestinezë të zhvendosen në Libanin e Jugut, ku ata shpejt pushtuan zona të mëdha, duke krijuar të ashtuquajturën “Fatahland”. Kështu, që nga viti 2006, pala palestineze është copëtuar nga konflikti midis Fatahut, partisë tradicionalisht dominuese në territoret palestineze, dhe sfiduesit të saj elektoral – Hamasit, që është një grup militant “islamik”, që ushtron kontrollin në Rripin e Gazës. Përpjekjet për të korrigjuar këtë janë përsëritur dhe akoma vazhdojnë.

Që nga viti 2019 pala izraelite ka përjetuar gjithashtu trazira politike, me katër zgjedhje legjislative jopërfundimtare, që janë mbajtur në një hark kohor prej dy vjetësh. Raundi paraprak i negociatave të paqes kishte filluar në korrik 2013, por qe pezulluar në 2014. Andaj, pas një pauze, që nga viti 2006, Hamasi dhe Izraeli kanë zhvilluar pesë luftëra, ku e fundit është kjo në vitin 2023.

Brenda shoqërisë izraelite dhe palestineze konflikti gjeneron një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh dhe opinionesh, me disa që pretendojnë se dhuna e ushtruar nga izraelitët kundër palestinezëve është pjesë e një gjenocidi, gjer te ajo se palestinezët e përdorin terrorizmin në mbarë botën për të promovuar interesat nacionale të tyre. Realisht, që nga fillimi i konfliktit, viktima të konfliktit nuk janë kufizuar vetëm tek luftëtarët, por edhe te një numër i madh viktimash ndër civilë nga të dyja palët. Sondazhet e shumta tregojnë se një pakicë izraelite hebreje (rreth 32 për qind) mbështesin një zgjidhje me dy shtete (Izraeli dhe Palestina). Hebrenjtë izraelitë janë të ndarë sipas vijave ideologjike dhe shumica e favorizojnë ruajtjen e status quo-së. Përafërsisht 60 për qind e palestinezëve (77 për qind në Rripin e Gazës dhe 46 për qind në Bregun Perëndimor) i mbështesin sulmet e armatosura kundër izraelitëve brenda Izraelit, si një mjet për t’i dhënë fund okupimit, ndërsa 70 për qind e tyre besojnë se një zgjidhje me dy shtete nuk është më praktike, si rezultat i zgjerimit të vendbanimeve izraelite në territoret palestineze.

Ndarja mes Fatahut dhe Hamasit (2006-2007)

Në vitin 2006, Hamasi militant (në shumë vende trajtohet si organizatë terroriste) fitoi një shumicë prej 44 për qind në zgjedhjet parlamentare palestineze. Izraeli u përgjigj se do të fillonte sanksionet ekonomike nëse Hamasi nuk do pranonte marrëveshjet e mëparshme izraelito-palestineze, duke kërkuar që kjo organizatë ta braktiste dhunën dhe ta njihte të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, të cilat Hamasi i refuzon. Pas luftës së brendshme të ashpër politike midis Fatahut dhe Hamasit në Gazë (2007), Hamasi mori kontrollin e plotë të zonës, duke shtypur konkurrencën. Në të njëjtin vit, Izraeli vendosi një bllokadë detare kundër Rripit të Gazës në bashkëpunim me Egjiptin, i cili vendosi bllokadë tokësore në kufijtë e vet me Gazën.

Gaza një “burg i hapur”

Pra, në Gaza, në vitin 2006, i fitoi zgjedhjet Hamasi. Kjo i lejoi Hamasit të sundonte në kushte diktature, duke mos lejuar zgjedhje tjera të çdo lloji. Afro 17 vjet atje sundon Hamasi me metoda të vrazhda në koordinim me struktura tjera, si Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ) dhe disa shoqata virtuale.

Me këtë, praktikisht, u krijuan dy enklava palestineze të ndara dhe tejet të armiqësuara mes vete – Bregu Perëndimor dhe Gaza, gjë që e pengon avancimin drejt pavarësisë. Vetë ata praktikisht e detyruan Izraelin ta izolonte Gazën dhe të krijonte një pengesë gjigante sigurie dhe një mori pengesash betoni, sensorë, armë me telekomandë, detektorë tunelesh dhe barriera të tjera, që u përfunduan kryesisht deri në vitin 2021. Por, njëherazi Gaza mbeti në varësi të plotë sa i përket furnizimit të saj me ujë, energji elektrike dhe karburant. Incidentet e shumta, sulmet me raketa dhe tensionet e shumta e shndërruan Gazën në një “burg të hapur” me mbi dy milionë “të burgosur”! Mbijetesa për shumicën e banorëve varet nga ndihma të dërguar nga Katari dhe disa shtete të tjera. Siç informon Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë Refugjatëve (UNRWA), Gaza viteve të fundit është shndërruar në stres masiv nga mbipopullimi dhe varfëria.

Nëse shikohen raportet e përditshme të mediave, sidomos BBC, “New York Times” dhe “Washington Post”, kuptohet qartë lufta joselektive me shumë viktima ndër civilë dhe një rënie masive e furnizimeve me ushqim, ujë, karburant dhe energji elektrike për mbi 600.000 banorë, sidomos të pjesës veriore. Këto media informojnë se Izraeli ka kryer rreth 30,000 sulme ajrore mbi Gazën, pothuajse të gjitha duke prekur zonat civile me shumë viktima, sepse aty është i strehuar Hamasi. Rezultati është shkatërrimi sistematik i shtëpive, bizneseve, spitaleve dhe objekteve të ndihmës. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi më 19 tetor se “të paktën 30 për qind e të gjitha njësive të banimit në Rripin e Gazës ose janë shkatërruar (12,845 objekte) ose janë bërë të pabanueshme (9,055). Do duhen të paktën tri vjet pas një armëpushimi të sigurt për t’u rindërtuar në nivelin e paraluftës, për të qenë të aftësuara për banim, punë ose shërbime. Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave të Palestinës, popullsia e Gazës u rrit nga 340,000 në 1970 në 1.13 milion në 2000 dhe 1.6 milion në 2010. Tani ajo ka më shumë se 2.2 milionë banorë dhe popullsia duket se po rritet me ritme të shpejta. Madje, gjysma e popullsisë jetojnë nga ndihmat e jashtme.

Hamasit duket se më tepër i intereson pushteti dhe nuk çan kokën për viktimat. Kur Hamasi e pa rrezikun e humbjes së pushtetit, e luti Katarin që së paku politikisht ta shpëtojë. Tani, pas katastrofës që vetë e provokoj, Hamasi e pranon ndërprerjen e zjarrit dhe lëshon pengjet, të cilët s’dihet pse i mbante! Kujt i bëri shërbim, pos Netanjahut, që ishte para rrëzimit apo ndonjë qendre tjetër botërore që tanimë e ka shkatërruar OKB-në?! Në logjikën e çdokujt që diçka kupton mbetet enigmatike pyetja se për çfarë arsye gjithë ato viktima e humbje të  jetëve të fëmijëve!? Në gjithë këto eretizma në emër të fesë e kombit, mbetet që së paku qeveria palestineze në Bregun Perëndimor të ngulë këmbë në statusin përfundimtar.

Në kushte të tilla, në Gazë s’ka shtet në botë, qoftë edhe me kryeqytet Tel-Avivin që do ishte i interesuar për okupim ose aneksim të territorit të Gazës, pasi gjendja e atjeshme do ishte një barrë e madhe harxhimesh për shtetin okupues. Por, mbajtja e statusit të papërfunduar të Palestinës vetëm nga përfitimet politike të politikanëve në pushtet është një dëm i përgjithshëm. Bregun Perëndimor (territori palestinez shumëfish më i madh se Gaza) është buzë eksplodimit. Koha kërkon përfundimin e të gjitha proceseve.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X