loader image
December 4, 2024

Ju flisni për Mercedesin e hoxhës, rinia po ikë me avionë!

Shqiptarët janë populli me shifra më të larta të emigracionit në Ballkan dhe kjo duhet të jetë temë permanente e debateve, duke diskutuar për problemet ekonomike dhe investimet e reja në vend, si i vetmi mekanizëm për ta ndalë hovin e ikjeve. Nëse ne vazhdimisht u flasim të rinjve për tema koti, ata zbrazëtinë nga kjo kotësi do ta kërkojnë ta plotësojnë në vende të huaja – atje puna është postulati kryesor jetësor, e jo Mercedesi i hoxhës, mjekra apo pantallonat e tij.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe Mercedesi i një hoxhe ishin top-temat e lajmeve dhe debateve kryesore politike nëpër mediat shqiptare të Kosovës dhe më gjerë gjatë periudhës së fundit. Derisa rastet e Hagës përbëjnë një kauzë mbarëkombëtare, përmes së cilës duhet dëshmuar lufta e drejtë çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës kundrejt Serbisë, Mercedesi i një hoxhe dhe shpërfaqja e temave fetare gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit përbënte një kauzë të thjeshtë mediatike të bosëve të medias, për të fituar sa më shumë audiencë dhe euro nëpërmjet mekanizmave të reklamimit.

Në Shqipëri, beteja elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit po zhvillohet në shenjën e protagonizmit hegjemonist të socialistëve dhe ambicieve të tradhtuara të demokratëve opozitarë. Ndërsa, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut thellohen turbullirat politike me luftën e brendshme brenda llojit, duke e rrezikuar bashkëveprimin në arritjen e një caku të kahershëm – heqjen e numrave të përqindjes për gjuhën zyrtare që i referohet shqipes.

UÇK-ja në Hagë 

Në nëntor të këtij viti bëhen tri vjet nga paraburgimi në Hagë i katër eksponentëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për gjoja krime lufte “në emër të popullit të Republikës së Kosovës”. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po e rishkruajnë historinë e Kosovës, në përpjekjen e tyre të sinqertë që në formën më demokratike të mundshme ta vulosin luftën e drejtë të UÇK-së kundër Serbisë në vitet 1998/99.

Megjithëse funksionalizimi i kësaj gjykate në fillim kaloi përmes mekanizmave institucionalë të Kosovës, ajo ndërkohë më vonë u tjetërsua nga hallka prokuroriale, e cila të gjitha “provat” e saj kundër UÇK-së i kishte marrë nga Serbia dhe aleatët e saj. Atëherë, shtrohet pyetja se ku është logjika që një gjykatë e themeluar nga Republika e Kosovës të funksionojë me prova të mbledhura nga shteti armik, në këtë rast Serbia?! Kjo duhet të jetë një sfidë serioze për drejtësinë ndërkombëtare, aq më tepër kur dihet se nxitësi kryesor i përndjekjes së strukturës komanduese të UÇK-së ishte një raport kontrovers i deputetit zviceran Dik Marti në Këshillin e Europës që nga viti 2007. Raporti, i cili kërkonte hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, të kryera nga struktura komanduese e UÇK-së, ishte bërë në kuzhinat e Beogradit. Në të vërtetë, po ai raport më vonë u përgënjeshtrua nga vetë hartuesi i tij, mirëpo dëmi tashmë ishte bërë dhe procesi ishte kanalizuar, duke i sjellë para një gjykate speciale në Hagë drejtuesit kryesorë të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës.

Herëdo kur, drejtësia do të dëshmohet dhe çlirimtarët do ta fitojnë lirinë, mirëpo njolla e zezë që po mëtohet t’i vihet UÇK-së dhe shqiptarëve, në përgjithësi, me vështirësi do të shlyhet nga kronikat e kohës.

Mercedesi i hoxhës

Shoqëria shqiptare në Kosovë po kalon përmes një procesi të dhimbshëm dhe kaotik në trajtësimin e vlerave të saj kulturore e qytetëruese. Një deklaratë e një hoxhe a një prifti bëhet top-temë për muaj të tërë nëpër debatet kryesore mediatike. Thuajse të gjitha punët i kemi në terezi dhe tani na duhet të merremi me një gjest a deklaratë të filanit a fistekut. Pra, në kohën kur Kosova ndodhet përpara një shpërthimi të ri demografik (një zbrazjeje enorme që kërcënon pas disa muajve me procesin e liberalizimit të vizave), në vend se të flitet pareshtur dhe në mënyrë shumë serioze për çështjet ekonomike dhe sigurimin e një jetese më të mirë për rininë, ata merren me thashetheme të tilla të ulëta, që është jashtë çdo sensi.

Debatet në prime-time, nëpër televizionet me shikueshmëri më të lartë në rajon, për një dhuratë modeste që i bëhet një predikuesi fetar, paraqesin keqpërdorimin më të madh mediatik të konceptit “liri e shprehjes”. Tendenca e hapur për të fituar financiarisht nga shikueshmëria e televizioneve dhe e mediave të tjera sociale, duke shtjelluar tema koti, i ka zbritur këto media jo vetëm se në nivele neveritëse, por edhe gërditëse.

Mediat kanë përgjegjësi të madhe shoqërore dhe ato duhet t’i paraprijnë zhvillimit kulturor, shkencor, arsimor, qytetërues, si edhe përparimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve, duke nxitur debate që shpërfaqin rrugët e sukseseve dhe që nxisin dashurinë ndaj vendit. Shqiptarët janë populli me shifra më të larta të emigracionit në Ballkan dhe kjo duhet të jetë temë permanente e debateve, duke diskutuar për problemet ekonomike dhe investimet e reja në vend, si i vetmi mekanizëm për ta ndalë hovin e ikjeve. Nëse ne vazhdimisht u flasim të rinjve për tema koti, ata zbrazëtinë nga kjo kotësi do ta kërkojnë ta plotësojnë në vende të huaja – atje puna është postulati kryesor jetësor, e jo Mercedesi i hoxhës, mjekra apo pantallonat e tij. Kështu, derisa në mediat tona shkon debati flakë për Mercedesin e hoxhës, rinia po ikë vrullshëm me avionë dhe bileta njëdrejtimëshe!

Amullia politike në Shqipëri 

Më 14 maj 2023 në Shqipëri votohet për zgjedhjet lokale, ku është përqendruar vëmendja e opinionit shqiptar. Sado që këto lloj zgjedhjesh nuk janë primare që ta përcaktojnë drejtimin e shtetit, ato janë mjaft të rëndësishme sidomos për ta qartësuar amullinë politike që mbretëron brenda forcave opozitare. Loja e gjykatave me vulat e Partisë Demokratike u ka dhënë favore socialistëve në pozitë që ta akuzojnë opozitën e ndarë dhe të përçarë, e cila “nuk është e denjë” të udhëheqë me Shqipërinë.

Realisht, lufta më e madhe politike bëhet ndërmjet kandidatëve të PS-së, që drejtohet nga Edi Rama, dhe kandidatëve të koalicionit “Bashkë fitojmë”, që drejtohet nga tandemi i vjetër Berisha-Meta. Ndërkaq, kandidatët e PD-së së “vulave” të Alibejës duket se janë larg pritshmërisë për të fituar ndonjë bashki serioze. Berisha dhe Meta janë aktorët më të vjetër në politikën shqiptare dhe, gjykuar nga tubimet masive që i kishin në protestat antiqeveritare kohë më parë, lënë të kuptohet se janë një kërcënim serioz për qeverisjen socialiste. Aktualisht, nuk është problem mosha e shtyrë fizike e Berishës, as etiketa antiamerikane që përpiqen t’ia vënë vazhdimisht, sa është loja (përçarja) me logon e Partisë Demokratike, me të cilën po operojnë një grup deputetësh të anës së Lulzim Bashës.

Megjithëkëtë, ndryshimi politik në Shqipëri duket se është një proces në ardhje. Qeverisja dhjetëvjeçare e socialistëve nuk ka dhënë rezultatet e pritura në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik ose ndaljen e migrimit dhe shqiptarët është mirë që t’u japin shanse të reja gjeneratave të ndryshimit.

Hapja e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut aktualisht gjendet para një procesi të rëndë politik, që ndërlidhet me detyrimin për ndryshime kushtetuese, konkretisht për futjen e elementit bullgar në Kushtetutë, si një zgjidhje tanimë e dakorduar për tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes për problemet identitare. Meqë për këto ndryshime kushtetuese nevojiten mbi 80 vota të deputetëve në kuvendin republikan, një gjë e tillë është e pamundur pa mbështetjen e deputetëve opozitarë maqedonas të VMRO-DPMNE-së. Lideri i kësaj të fundit disa herë ka bërë me dije se ka kontroll të plotë te deputetët e tij, të cilët nuk janë të gatshëm të votojnë diçka të tillë. Madje, ata janë kthyer në istikamet e vjetra, duke e protezhuar modelin kroat, diçka që nuk ka kurrfarë lidhje me realitetin etnik në Maqedoninë e Veriut.

Partitë politike shqiptare, si zakonisht, mbeten të çakorduara edhe rreth çështjeve më primare që lidhen me fatin tonë në këtë shtet. Kërkesa e kahershme që gjuha shqipe të definohet si gjuhë zyrtare në gjithë vendin (pa kategorinë e përqindjes – “mbi 20 për qind”), tani e ka kohën më të volitshme që të ezaurohet njëherë e përgjithmonë. Nëse tani nuk kryhet kjo punë, rasti tjetër kushedi se kur do të vijë! Kushtetuta, megjithëse nuk është libër i shenjtë, ajo nuk është as libër i thjeshtë që mund të ribotohet kur t’i teket botuesit.

Prandaj, shqiptarët njëmend presin nga të zgjedhurit e tyre që këtë herë të reflektojnë maturi të gjithë bashkë, pavarësisht inateve politike ditore, që njëherë e mirë ta mbyllin këtë çështje dhe gjuha shqipe të jetë zyrtare sikurse maqedonishtja, pa asnjë diferencim.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X