loader image
July 17, 2024

Izrael-Palestinë, përplasja me luftë e qytetërimeve vazhdon

U rizgjua shumë më egër një konflikt që jeton prej 75 vjetësh mes Izraelit dhe Palestinës dhe që mund të kthehet edhe në një konflikt botëror. Sulmi i 7 tetorit i Hamasit ndaj Izraelit ishte i pabesë me viktima dhe pengje, por me civilë. Por, a justifikohet sulmi i Izraelit ndaj popullsisë civile në Rripin e Gazës? A mund të pranohen pamjet apokaliptike me civilë të vrarë dhe deri foshnjat e sapolindura të nxjerra nga inkubatori pas bombardimit të maternitetit? Përse liderët e Europës mbajnë qëndrim të mesëm dhe si vlerësohet qëndrimi i liderëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe më e rëndësishmja, cila është zgjidhja?

Shkruan: Roland QAFOKU, Tiranë

Kur parashikuesit më të ethshëm të luftërave e kishin piketuar se do të ndodhte në Hapësirë, ajo gati po nis në një cep të globit. Po ndodh pikërisht aty ku ka qenë prej 75 vjetëve një konflikt i nxehtë si nga ajri me raketa dhe predha topash, por edhe në tokë nga përplasjet trup me trup për territor dhe fe. Dhe, lufta më e re po ndodh pikërisht aty ku nisi konflikti, kur Izraeli triumfoi ndaj arabëve në vitin 1948. Ato kohë 700 mijë palestinezë u larguan nga shtëpitë e tyre dhe pasardhësit e tyre janë sot banorë të Rripit të Gazës që po përjetojnë një masakër të dytë. Pikënisja më e re ndodhi më 7 tetor, kur Hamasi, me akronimin The Islamic Resistence Movement, një organizatë politike fetare e territoreve palestineze, e themeluar në vitin 1987 në Rripin e Gazës, kreu një masakër që askush nuk e kishte menduar. Si pasojë e asaj që u quajt Intifada 3, në Izrael u vranë 1400 persona dhe u morën peng 222 persona, pa kursyer fëmijët, gratë dhe popullsi civile. Nuk kaloi as 24 orë dhe kundërpërgjigja e Izraelit ishte si kurrë më parë. Ushtria izraelite u derdh drejt Rripit të Gazës me synimin për ta nxjerrë nga strofa Hamasin. Por, këtu nis problemi i dytë i madh. Pa marrë parasysh se çfarë objektivash po sulmon dhe kë po sulmon, objekt i sulmeve u bënë edhe fëmijë e gra. Pamjet janë edhe më apokaliptike. Bota po shikon me sytë e saj që në Rripin e Gazës po ndodh një katastrofë njerëzore dhe çdo ditë raportohet për civilë të vrarë. Situata ka kaluar çdo cak teksa u mësua që izraelitët nuk kursyen të sulmonin një maternitet, nga i cili foshnjat e sapolindura të vendosura në inkubatorë u nxorën jashtë godinës. Situata është vërtetë surreale. Tashmë ka vetëm një pamje: në horizontin e qiellit mes Izraelit dhe Palestinës ka vetëm plumba dhe raketa dhe aspak paqe. Çdo ditë vriten njerëz dhe përgjakja e përzier me pluhurin e shpërthimeve është panorama që tregon se ethet e luftës nuk po ndërpriten. Kjo do të thotë se nëse kjo zgjatet shumë, do të ketë më shumë luftë, një luftë asimetrike dhe me kosto njerëzore katastrofike.

A justifikohet sulmi i Hamasit me masakrat ndaj fëmijëve?

Sulmi në shkallë të gjerë i Izraelit është i paparë dhe i padëgjuar më parë. Është një bllokadë totale që ushtria e Izraelit po përdor ndaj Rripit të Gazës nëpërmjet ndërprerjes së energjisë elektrike dhe duke mos lejuar furnizimet me ushqim dhe karburant. Thjesht fare, në Rripin e Gazës duket sikur një ushtri po asgjëson kë i del përpara, pa pyetur se çfarë janë ata që qëllohen. Ishte më shumë se e tepruar ajo që tha ministri i Mbrojtjes se po luftonin kafshët njerëzore duke sjellë reagimin e “Human Rights Watch” që këtë që po bën Izraeli e cilësoi “krime lufte”. Por, çfarë është kjo panoramë, ku nga njëra anë Izraeli u godit rëndë dhe ka të drejtë të mbrohet dhe të sulmojë Hamasin, por në të njëjtën kohë po ia kthen me të njëjtën monedhë palestinezëve, duke synuar asgjësimin e Hamasit, por ama po vret gra e fëmijë dhe po shfaros një popull?!

Tepria e reagimit të Izraelit duket se mbështetet në disa faktorë. Njëri, më i rëndësishëm, është se të qenit në postin e kryeministrit Benjamin Netanyahu e shikon si varkë të mbështetur nga ekstremistët hebrenj. Ata besojnë se Zoti ua dha hebrenjve të gjithë territorin midis lumit Jordan dhe detit Mesdhe dhe kjo duhet të jetë brenda kufijve të shtetit të Izraelit. Argumenti kryesor duhet gjetur në studime shkencore. “Historia e njerëzimit është historia e qytetërimeve.”, na mësonte profesori i Harvardit, Samuel Huntington. Dhe, nga kjo teori nuk përjashtohet as Izraeli me Palestinën. Kulturën dhe qytetërimin nuk mund t’i ndash dhe që të dyja kanë të bëjnë me mënyrën e përgjithshme të jetesës së një populli (Huntington Samuel, Përplasja e qytetërimeve, Logos, Shkup 2004, faqja 51-53). Deri këtu OK. Por, a është i pranueshëm kundërsulmi i Izraelit, duke vrarë civilë, gra dhe fëmijë. Pamjet e fëmijëve palestinezë të vrarë nga izraelitët janë nga më të rëndat që njerëzimi ka parë pas masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999. Dhe, kjo është e papranueshme.

Një planet pothuajse gati në luftë

Kur mendohej se kriza në botën islamike po frenohej, plasi më e madhja. Frika më e madhe është një tjetër luftë pas kësaj Izrael-Palestinë, e cila mund të jetë në shkallë të gjerë dhe të rizgjidhë luftërat e fjetura mes shteteve dhe territoreve në këtë zonën më të nxehtë të Globit. Kjo i jep të drejtë ekspertit të çështjeve të sigurisë ndërkombëtare, George Friedman, që më shumë se një herë ka deklaruar se sistemi ndërkombëtar gjendet sot së tepërmi jashtë ekuilibrit. Kulmi i kulmeve në të gjithë këtë konflikt ishte kur ministri i Trashëgimisë së Izraelit, Amilai Eliyahi, tha se hedhja e një bombe bërthamore ishte një opsion në luftën Izrael-Hamas. Sigurisht që ndaj tij pati një lumë kritikash dhe akuzash si nga qeveria, por edhe nga kryeministri Benjamin Netanyahu ai u qortua, por ama nuk u largua nga kabineti. Ndonëse vetë bëri një sqarim pa ndonjë shpjegim thelbësor, fakti që nuk u mor masë do të thotë se opsioni i bombës bërthamore nuk ka qenë një lapsus personal i ministrit. Habia vijoi jo për faktin se Irani mbështeste Hamasin, por atë e mbështeti me forcë të madhe si Turqia. U bë qendra e lajmeve në rruzull deklarata e presidentit Recep Tayyip Erdogan se Hamasi është organizatë çlirimtare. Përfaqësues i një vendi anëtar i NATO-s, Erdogan, e ngatërroi aq shumë situatën, saqë me këtë qëndrim i ka lënë me duar të kryqëzuara liderët e Europës dhe të SHBA-së. Turqia ka qenë qendra më e suksesshme e fuqisë në botën myslimane dhe një qëndrim i tillë do të thoshte zgjerim i rrezes së konflikteve ndërbotërore. Shtetet e mëdha dhe me ndikim duken aq të hutuara, sa të bën përshtypje indiferenca ose butësia e deklaratave të atyre që i drejtojnë ato shtete. Në këtë situatë ka vetëm një pyetje thelbësore: përse liderët e shteteve me peshë në botë nuk bëjnë thirrje që të mos përdoren civilët për përfitim nga të dyja palët?

Shqiptarë dhe konflikti Izrael-Palestinë

Shqipëria nuk është treguar aspak indiferente për këtë konflikt edhe pse nuk ka asnjë lidhje, asnjë përfitim dhe asnjë humbje. Në cilësinë e përfaqësuesit të një vendi anëtar i Këshillit të Sigurimit, por edhe një vend multifetar paqësor, kryeministri Edi Rama i ka deklaruar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se Shqipëria është e gatshme të bashkësponsorizojë një rezolutë. Madje, ai propozoi mbajtjen e një konference paqeje, që nuk do jetë vetëm paqja e këtij konflikti, por edhe në rindërtimin e Gazës. më 9 nëntor Rama deklaroi: “Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit. Megjithatë, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza. Izraeli ka të drejtën e padiskutueshme të vetëmbrojtjes, ai duhet ta bëjë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Tejzgjatja e këtij konflikti vetëm ushqen ambiciet e Hamasit për kaos dhe një konflikt më të gjerë. Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi. Ripushtimi i Gazës është i papranueshëm. Me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza. Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të asnjë të ardhme politike për Hamasin. Nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez”.

Ndërkohë liderët e Kosovës nuk e harrojnë të mirën e Izraelit ndaj shtetit të ri. Por, në Kosovë e dinë më mirë se kushdo çdo të thotë një konflikt dhe aq më shumë kur sulmohen civilë dhe fëmijë. Izraeli u bë shteti i 119-të që e njohu shtetin e Kosovës më 4 shtator 2020 dhe 5 muaj më pas vendosi marrëdhënie diplomatike. Ndërkaq, ironia është se Palestina është një nga 37 shtetet që nuk e ka njohur Kosovën. Dhe, kryeministri Kurti i quan aleatë të gjithë ata që janë renditur në krah të Izraelit. Albin Kurti deklaroi: “I bashkohem thirrjes së aleatëve për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe mbështetjen e së drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit dhe kërkesës për lirimin e menjëhershëm të pengjeve”.

Shumë më të përmbajtur në Maqedoninë e Veriut, protesta në mbrojtje të jetëve të civilëve në Gaza ishte një homazh, por edhe një thirrje për jetën e mijëra njerëzve që janë vrarë në Rripin e Gazës. Pra, kjo panoramë na jep një konkluzion se shqiptarët janë kundër dhunës, si nga ana e Hamasit, por edhe nga ana e Izraelit. As Hamasi e as Izraeli nuk mund ta justifikojnë dhunën dhe luftën ndaj civilëve. Besohet se opinioni shqiptar është në anën e duhur. Ndonëse në rrjetet sociale ka një larushi mendimesh e deri ekstremiste, ajo që bie në sy është qëndrimi unik i politikanëve shqiptarë në të tre shtetet ku banojnë bashkëkombasit tanë: e dënojnë Hamasin për sulmin e 7 tetorit, duke e cilësuar këtë organizatë terroriste, por i dënojnë në të njëjtën kohë edhe sulmet e Izraelit ndaj popullsisë civile në Rripin e Gazës.

Cila është zgjidhja?

A mund të ketë një degë ulliri nga Izraeli për Hamasin? Sot që e shtrojmë këtë pyetje kjo duket çmenduri, por zgjidhja e situatës është te paqja dhe jo te lufta. Dhe, sigurisht që zgjidhja e konfliktit është më e vështira. Por, a mund ta bëjë këtë kryeministri i 10-të i Izraelit Benjamin Netanyahu? Ka një histori interesante ky konflikt me moshë 7 dekada e gjysmë. Madje, janë bërë edhe përpjekje të mëdha për paqe. Vite më parë kryeministri Ehud Barak i afroi Jaser Arafatit 94 për qind të Bregut Perëndimor për një shtet palestinez, plus kompensime territoriale për pjesën më të madhe të 6 përqindëshit të mbetur, plus gjysmën e Jerusalemit, plus kthimin dhe sistemimin në Palestinë të refugjatëve palestinezë, por Arafati jo vetëm që u tha jo të gjitha këtyre, por e quajti Izraelin fashist. Në këtë situatë të nderë vetëm një zgjidhje ka: duhet ndërhyrë urgjentisht përpara se konflikti të dalë jashtë kontrollit. Duhet urgjent nisja e negociatave për të ndërprerë luftimet dhe sulmet. Dhe, më e rëndësishmja, të shpëtohen sa më shumë civilë që po vdesin duke na sjellë memorien e të vrarëve të Luftës së Dytë Botërore, që për ironi ishin brezi i gjyshërve izraelitë, që sot sulmojnë civilët në Gaza.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X