Historia e letërsisë nuk na i kanë përmendur fare disa nga kontribuuesit e letërsisë shqipe para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si: Ismail Pashën, Mulla Beqir Pejën, Dervish Efendi Pejën, Haxhi Ethem Beun, Jahja Bej Dugagjinin, Prishtinasin Mesihi, Suzin dhe Nehari Prizrenasin, Sulejman Efendiun, Mehmet Aqifin, Abdulrrahim Efendi Prizrenasin, Haxhi Ymer Lutvi Paçarizin, Selim Sirri Pashë Tepelenën, Muidi Tetovasin, Vasif Osman Enderun, Fehmi Beun, Aqif Mehmet Pashë Tetovën, Musa Qazim Pashën, Xhelaludin Efendiun, Rauf Leskovikun, Salih Rashid Pashën, Qamil Tepelenën e shumë të tjerë, të cilët kanë shkruar divane, poema, vjersha, poezi, dorëshkrime origjinale, përkthime, etj.
Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork
Letërsia, e cila mund të klasifikohet sipas zhanrit, gjuhës, periudhës historike, lëndës dhe origjinës kombëtare, u referohet veprave të shkruara të artit, që konsiderohen të jenë imagjinative dhe estetike të shkëlqyera. Ato përfshijnë forma të ndryshme, si poezi, ditarë, biografi, drama, romane, letra, kujtime dhe ese. Vetë fjala “literaturë” vjen nga fjala latine “literatura”, që do të thotë “mësim, shkrim, gramatikë”, që pastaj në gjuhët romane mori kuptimin e “njohurive të marra nga leximi ose studimi i librave” [Sartre: 1950]. Thënë ndryshe, letërsia është rilindja e shpirtit, e ideve, e ëndrrave, e asaj që e duam, e asaj që na lëndon, e asaj që ngacmon, është arti i të shprehurit, i të folurit, i të kuptuarit, i të përjetuarit të emocioneve. Ndonëse e vonuar, e tillë ka qenë edhe për shqiptarët.
Me ndryshimet politike, shoqërore e ekonomike që pësoi Shqipëria në 150 vitet e fundit, ndryshoi edhe kuptimi i kulturës, ndryshuan rrymat që e tërhiqnin shpirtin e shqiptarëve. Por, është botërisht e njohur tanimë se periudha moniste, që krijoi sistemin e parë institucional të Akademisë së Shkencave, prodhoi vepra letrare me histori të hapësirave shqiptare sipas versionit “të vet” politik, të përsëritur në të gjitha shkollat dhe universitetet për dekada me radhë, duke krijuar kështu një histori “të manipuluar” shqiptare, pa asnjë argument të mirëfilltë historiografik. Ajo u krijua brenda vijës ideo-politike dhe kontrollit të imtë të Partisë së Punës, që ishte në fuqi.
Në këtë kontekst, duke qenë historia si një nga elementët më të fuqishëm që ndërton “rrëfenjën mbi kombin”, që do të qëndronte në mendjet e fëmijëve për pjesën tjetër të jetës, ajo u serviri atyre gjepura historike. Si rezultat i kësaj, sot kemi tekstet letrare shkollore të cilat identifikojnë armikun në imazhin e turkut, por jo në imazhin e serbit [Leximi 3, Prishtinë 2009]; që tregojnë burgosjen e Azem Bejtës nga “turqit”, por nuk përmendin vrasjen e tij nga serbët [“Leximi 4”, Prishtinë, 2006]; që paraqesin Krishterimin si pozitiv dhe Ilirinë e Dardaninë si qendra të Krishterimit, ndërkohë që Islamin e paraqesin si fe të huaj [Historia 6, f.108]. Këto rrethana të “formulimit” të historisë të kujtojnë Adolf Hitlerin, i cili thoshte: “Të fitoj luftën, pa di unë si shkruhet historia”!
Historia e letërsisë nuk na i kanë përmendur fare disa nga kontribuuesit e letërsisë shqipe para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si: Ismail Pashën, Mulla Beqir Pejën, Dervish Efendi Pejën, Haxhi Ethem Beun, Jahja Bej Dugagjinin, Prishtinasin Mesihi, Suzin dhe Nehari Prizrenasin, Sulejman Efendiun, Mehmet Aqifin, Abdulrrahim Efendi Prizrenasin, Haxhi Ymer Lutvi Paçarizin, Selim Sirri Pashë Tepelenën, Muidi Tetovasin, Vasif Osman Enderun, Fehmi Beun, Aqif Mehmet Pashë Tetovën, Musa Qazim Pashën, Xhelaludin Efendiun, Rauf Leskovikun, Salih Rashid Pashën, Qamil Tepelenën e shumë të tjerë, të cilët kanë shkruar divane, poema, vjersha, poezi, dorëshkrime origjinale, përkthime, etj.
Vetëm kur shkenca shqiptare të jetë e pavarur nga politika, ne do te jemi ne gjendje të shkruajmë në mënyrë objektive historinë tonë kombëtare dhe historinë e letërsisë shqipe [Republika, 11.12.2010], por duke qenë se deri në çerekun e parë të shekullit të kaluar shqiptarët nuk kishin një gjuhë të shkruar letrare, shumica e informacioneve që kemi sot për to kanë për burim letërsinë e huaj. Disa shkrime të tyre letrare na japin informata për pozitën gjeografike, për emërtimet, për gjuhën, për politikën, për historinë, për traditat, për jetën sociale etj. Kjo letërsi, e vendosur në raftet e librarive të botës, u tregonte atyre për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ato ishin burimet kryesore për një të huaj që donte t’i njihte shqiptarët, bashkë me të mirat dhe të këqijat e tyre.
Këto shkrime letrare janë shumë të rëndësishme, por ne duhet të mbajmë në kujtesë se në letërsi të tilla, sikurse edhe në letërsinë shqiptare, jo gjithmonë na paraqitet një e vërtetë dhe jo gjithmonë kemi një shkrim origjinal. Varësisht nga cili qëllim dhe këndvështrim është parë, është dëgjuar dhe është shpjeguar një çështje, shpesh na është paraqitur në versione të ndryshme kontroverse me pak ose pa asnjë ngjashmëri mes tyre. Aty, për shembull, gjejmë imazhin e shqiptarit si “të pastër”, por njëkohësisht edhe “të ndyrë si turk” ose “të mbushur me morra”, “punëtorë” dhe “popull përtac”, “të shëmtuar” dhe “të pashëm”, “të ndershëm” dhe “hajdutë”, “të zotë për gjithçka” dhe “të pa aftë për asgjë”, “kursimtarë” e “shpërdorues”!
Ta marrim, për shembull, origjinën e shqiptarëve. Evliya Çelebi-u në “Seyahatname” thotë se janë me prejardhje nga një fis arab të Kurejshit në Mekë. Ristelhueber-i i konsideron “pasardhës të emigrantëve të hershëm Arian”. Trakti “Uber die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen” thotë se janë pasardhës të ilirëve. Kështu thotë edhe Max Muller-i [“Lectures on the science of language and languages of the seat of War”], që e citon Edson Lyman Clark në “Turkey” [New York: 1898] dhe që e përkrah Thomas Graham Jackson-i (Oxford: 1887). Zonja Will Gordon thotë se janë “pasardhës të fiseve thrako-ilire, që e pushtuan pjesën veriore të Greqisë, kur historia e atij vendi po dilte prej mjerullave të legjendave” [London: 1918]. Henry Holland-i thotë se mund të kenë emigruar prej “Alba” të Italisë [Holland: 1815]. Edmund Spencer-i i kushton një kapitull, ku anon nga supozimi se janë të ardhur prej Kaukazeve, duke u mbështetur në mendimin se atje “në Albaninë Kaukaziane” ende jetojnë disa fise albane [Spencer: 1851]! John Hobhouse citon Meletiusin, që thotë se shqiptarët nuk janë as prej ilirëve dhe as prej ati kombi të quajtur Albanezë të Azisë, por një përzierje e Keltëve, të cilët erdhën në Japigë të Italisë dhe pastaj, përmes Durrësit, u vendosen në vendin fqinj [Hobhouse: 1817]. John Froster Fraser-i, në “Pictures from the Balkans”, i përshkruan si një përzierje racash italiane, greke, sllave, bullgare – paraardhësit e të cilëve në kohërat e lashta, të nxitur nga pushtuesit e Maqedonisë, ikën në këto male, ku nuk mund të ndiqeshin [London 1906]! Ai, madje, e shkretëron kur thotë se: “shqiptarët nuk janë një komb, por një gjysmë dyzine kombesh, fëmijë të racave të ndryshme” [Fraser: 1906]. Spencer-i e konsideron të pamundur këtë konstatim, duke qenë i bindur se janë “autoktonë të këtyre vendeve… racë e pastër e këtyre maleve, pa ndonjë karakter të ngjashëm me grekët dhe sllavët” [Spencer: 1851]. Ky është një diskutim shumë i vështirë – thotë Brailsford-i – vetëm një gjë është e sigurt: ”ata nuk janë të ardhur”, se fjalët e huaja në gjuhën e tyre janë vetëm dëshmi e kontakteve me pushtete të ndryshme [Brailsford: 1906]. William Peacock-u e plotëson këtë konstatim duke thënë se “janë pasardhësit e racës më të vjetër të Europës” [New York: 1914], njëjtë sikurse pretendonte edhe Rev. CT. Erickson-i në “Homiletic Renew” [Maj 1913]. Pyrrhus J. Ruches, që i sheh shqiptarët vetëm zi, i referohet Guiliano Bunofante-s, një profesori të linguistikës pranë “Princeton University”, i cili mendon se: “Shqiptarët dhe rumunët duket se janë i njëjti popull – Dacët dhe Thrakët e vjetër… Në qoftë kështu, shqiptarët nuk janë autokton në Shqipëri, por të ardhur nga lindja, para shekullit XI” [Ruches: 1945]. Por, Ruches ndihet më i sigurt kur citon diplomatin rus Patriaew, që shkruante se: “historianët bizantinë i paraqitshin shqiptarët si popull nomad, që shkonin prej një vendi në tjetrin me tufën të tyre, popull që historianët venecianë i quanin ‘viri malignantis naturae’…” [Patriaew: 1915].
Nga ana tjetër, ndërsa Thomas Smart Hughes-i i përshkruan si njerëz të egjër, të pabindur, të stërvitur për luftë prapa shkëmbinjsh, të paaftë për fushëbeteja [Hughes: 1820], Baron Felix de Beaujour i njohu si ushtarët më të mirë të Turqisë Europiane, të patrembur, të zellshëm, të fuqishëm dhe mjeshtër në përdorimin e armëve [Beaujour: 1829]! Edhe Kozma Thesprotos-i shkruante se nga lashtësia “kanë qenë armëmbajtës, shpatëmbajtës dhe luftarakë. Janë guximtarë të rrahur me vështirësi, liridashës, anarkistë dhe të pashtruar” [Thesprotos: 1831]. Ndërsa Edmund Spencer-i i njohu si “luftëtarë të provuar” [Spencer: 1851]! Jakob Spon-i shton se “me shpatën në dorë i mbanin mbledhjet e tyre” [Spon: 1724], kurse Brown-i i pa si “të dhënë pas armëve” dhe “këshilltarë të mirë” [Brown: 1673], por “përherë në konflikt me fqinjët” [Thumann: 1774]. Henry Brailsford-i e përshkruante shqiptarin si “luftarak dhe të qëndrueshëm ndaj aventurave të rrezikshme” [Brailsford: 1906]. Fillimisht edhe Poqueville i përshkruante si “të patrembur për lirinë e vet” [Pouqueville: 1806], por pastaj ndryshoi mendimin dhe u bashkua me konsullin rus në Sarajevë [Gilferding: 1859], me klerikun anglez [Denton: 1862], me konsullin rus në Prizren [Jastrebov: 1904], me arkeologun rus [Kondakov: 1909], me arkeologun austriak (Kanitz) dhe me dy zonjat britanike Mackenzie dhe Irby, të cilët i paraqisnin shqiptarët si “barbarë” [Mackenzie & Irby: 1874]!
J.G. Amerling-u [Wien 1879] thotë se shqiptarët kanë dhënë personalitete të shquara në Greqinë e Lashtë, në Perandorinë Bizantine, në Perandorinë Osmane, në Itali, në Austri, etj. Leo Freundlich-u [Albanian Golgatha] thotë se shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë Osmane burra shteti e gjeneralët më të zotë, gjykatës të mirë, krijuesit e shkëlqyeshëm të letërsisë, tregtarët të zotë të Rumanisë, ushtarët e zellshëm të Greqisë, etj. Kemi pastaj Friedrich Vallisch-in [“Neuland Albanien”] që i përmend disa nga shqiptarët e famshëm, si: Sinani i Arkitekturës, burri i madh italian Francesco Crispi, diktatori i dikurshëm grek Theodores Pangulos, admirali dhe presidenti i shtetit grek Kunduriotis, mbreti Fuad i Egjiptit, ndërtuesi i hekurudhës së Semmeringut Karl von Ghega (Gega), aktori Aleksandër Mojsiu etj. Por, në të njëjtën kohë kemi edhe të tjerë që thonë se për 2000 vjetët e shkuara: “asnjëri prej tyre nuk ka dhënë jetën për këtë vend” [Baerlein: 1922, f.10]!
Albert Dumont-i habitej se si shqiptarët, “që jetonin në kasolle”, megjithatë ndërtonin armë të bukura e të punuara në filigran, varëse ari, bizhuteri të jashtëzakonshme dhe zbukurime që një brez ja përcjell brezit tjetër [Dumont: 1874]. Po aq i habitur kishte mbetur edhe James Creagh-u, i cili i kishte vlerësuar shqiptarët tërësisht injorantë në matematikë, pa asnjë kualifikim e asnjë mjet matës për distancë e vende, e që megjithatë i llogarisin majat e maleve dhe i hapin kanalet e tyre më me saktësi si një gjeometër i kualifikuar [Creagh: 1876]. Ndërkohë William Peackok-u shkruante se zejtarët shqiptarë mbajnë kafene e filigranë në të gjithë Lindjen e Afërme dhe janë të njohur për ndërtime e dizajnime e bukuri e stolisje të revoleve e jataganëve, të njohura tashmë për secilin udhëtarë e udhëpërshkrues. Tyta e revoles, bishti i shpatës, të mbështjella me arë dhe doreza e pistoletës e mbështjelle me argjend, provojnë që shqiptaret jo vetëm që kanë zanat, por e njohin shumë mirë edhe artin dhe kanë prirje për te [Peacock: 1914]. Shqiptarët jo vetëm që janë të aftë për industri dhe zeje të ndryshme – thotë Edward Frederick Knight-i, por “vendi ka punishte të ndryshme të atilla që nuk do turpëronte as prodhimet artistike të kryeqendrave perëndimore” [Knight: 1880]. Këtë bindje e pati edhe Will Gordon-i, i cili në vitin 1918 shkruante se, ndryshe nga malazezët, “shqiptarët janë shumë punëtorë”, në male bujq e çoban të mirë, në qytete zejtarë të zotë. Gordon-i blen prej tyre disa çanta e rripa të ndërtuara prej lëkurave të ngjyrave të ndryshme dhe të qepura me gozhda bronzi e argjendi, me një dizajn profesional të stolisur me thakë e xhufka lëkure. Mjeshtëria e tyre me ar dhe argjend ishte delikate dhe tejet e përsosur, sidomos në zbukurimet e pistoletave, të shpatave dhe jataganëve. Prizreni ishte qendër industriale e armëve, ndërsa Elbasani vendi më i njohur për përpunimin e leshit dhe pambukut [Gordon: 1918].
Pak a shumë kështu trajtohet edhe çështja e gjuhës. Ndër të hershmit është murgu domenikan At Brokardi në gjysmën e shekullit XIV që konstatonte se shqiptarët: “kanë një gjuhë mjaft të ndryshme nga latinishtja, megjithatë ata përdorin shkronja latine në librat e tyre”! Më pastaj është Claudio Ptolomeo në “Geografia cioè descrittione Universale…” (1598), që shkruante se shqiptarët “flisnin një gjuhë të veçantë dhe tipike”, kurse Bonvick-u i konsideronte “të vetmit përfaqësues modern të gjuhës thrako-ilire (pellazgjike)” [Bonwick: 1873]. Pietro Chiara (1880) hedh një vështrim kritik mbi Giovanni Emmanuel Bidera, për të cilin thotë se është negativ për shumë shkrime që kanë të bëjnë me shqiptarët, por pajtohet me të kur thotë se: “Gjuha shqipe është folur nga pellazgët e vjetër” [Chiara: 1880]. Në përpjekje për të dëshmuar vjetërsinë e gjuhës shqipe Vincenzo Dorsa shkruante se: “shqiptarët, latinët dhe grekët kishin një prejardhje të përbashkët pellazgjike ose coliane parahomerike [Dorsa: 1862]! Para tij John Hobhouse kishte takuar pretendime se gjuha e shqiptarëve është një përzierje e gjuhës sllave, me gjuhë të tjera të provincave të mëdha të Turqisë, por ka edhe fjalë italiane, frënge e, madje, edhe fjalë të ngjashme me gjuhen angleze [Hobhouse: 1817]. Viscounttess Strangford shkruante se shqiptarët flasin të njëjtën gjuhë, një dialekt të pashkruar, të mbushur me interpretime të huaja dhe, në format e saja ekstreme, në veri e në jug krijojnë mundësi për gjithçka, përveç bashkimit [Strangford: 1864]. Në prag të Kongresit të Manastirit, John Froster-i shkruante se gjuha (shqipe): “është gjuhë bastarde dhe pa formë, e kanë një alfabet kombëtar, por shumë pak e përdorin, një pjesë përdorin shkronjat latine, të tjerët ato greke, në disa rajone është e inkorporuar italishtja, në tjetrën greqishtja dhe sërish në tjetrën ajo sllave [Fraser: 1906].
Në çështjet e besimit, fesë i japin pak rëndësi [Dumont: 1874] dhe janë gjithmonë gati të pranojnë fenë e sunduesit dhe të hyjnë në shërbimin e të huajve [Boue: 1840]. Fiset e tyre nuk kanë të njëjtin religjion, disa janë me fe muslimane dhe disa të tjerë të krishterë, ka madje edhe dy fe në të njëjtën familje [Lunn & Lowe: 1906], sidomos ndarja fetare ndërmjet burrit e gruas, që nuk e kishin për gjë të piqnin një copë mish derri dhe një copë mish deleje në të njëjtën enë [Eton: 1798]! Shqiptarët e islamizuar nuk ishin në gjendje t’i shpjegonin Jakob Bartholdy-t se si ata kishin kaluar në fenë islame, por në mesin e shumicës muslimane të krishterët gëzonin të njëjtat të drejta [Bartholdy: 1807].
Pierre Blanchard-i thotë se shqiptarët, pas rënies së Skënderbeut, e ndryshuan fenë, pjesa më e madhe e përqafuan muslimanizmin, por më shumë për politikë sesa për bindje! Ata vazhduan të jenë aq muslimanë të këqij sa kishin qenë dikur të krishterë të këqij [Blanchard: 1806]. Frederic Guillaume de Vaudoncourt thotë se nuk ishin fare të ngarkuar me fanatizëm fetar dhe përderisa quheshin shqiptarë, feja e Krishtit ose e Muhamedit mund të ndryshonte vetëm në mënyrën e lutjes [Vaudoncourt: 1816]. Hobhouse pastaj na kujton zonjën M. W. Montagu, e cila duke folur për arnautët thoshte se ky popull jeton ndërmjet Krishterimit dhe Muhamedanizmit dhe nuk ishin të aftë për të zgjedhur fenë më të përshtatshme për vete dhe prandaj të premten ata shkonin në xhami e të shtunën në kishë [Hobhouse: 1817].
Në Berat, David Urquhart-i i kishte parë gratë e krishtera të mbuluara me ferexhe sikurse muslimanet [Urquhart: 1839]. Kështu i kishte pare edhe Edward Lear-i gratë e Tiranës [Lear: 1851], po edhe Henry Tozer, i cili shtonte se: “Muhamedantët këtu nuk janë muhamedanë të vërtetë dhe të krishterët nuk janë të krishterë të vërtetë” [Tozer: 1869]. W. F. Hasluck-u thotë se meqë shqiptarët nuk panë ndonjë të mirë nga të qënit të krishterë, zgjodhën fenë islame, duke i garantuar vetes siguri [Hasluck: 1929, f.72]. Edmund Spencer-i shkruante se muslimanët shqiptarë të cilitdo fis “kanë disa merita për motive atdhetare dhe një dashuri për pavarësinë, ndryshe nga të krishterët të cilët të influencuar nga priftërinjtë e tyre, përveç urrejtjes ndaj njëri-tjetrit janë edhe tradhtarë ndaj pavarësisë së tyre” [Spencer: 1851]. Po atë vit, kur Lear-i gjeti në Lezhë mikun e vjetër, një prift të huaj italian, dhe e pyeti “si shkon me këta të krishterë”?, ai shënoi përgjigjen e priftit: “të krishterë, ah sikur Perëndia të vërshonte Drinin e t’i merrte të gjithë në parajsë, do të bënte shumë mirë. Të krishterë? Hajdutë, derra, ujqër, shtazë, majmunë, budallenj, kafshë të egra. Njëlloj (të gjithë) grekë, turq, shqiptarë dreqi i marrtë të gjithë së bashku” [Lear: 1851]. Në fund të fundit, derisa Krishterimi shfrytëzohej si një “armë ideologjike për zgjerime koloniale”, Islami shfrytëzohej “për mbrojtje kundër kolonializmit”, shkruanin dy vizitoret proserbe britanike, Georgina Muir Mackenzie dhe Adeline Paulina Irby, të cilat i vlerësonin shqiptarët e të gjitha fiseve dhe të gjitha besimeve si “ishin shumë të ndyrë”. Madje, as mirësjellja dhe mikpritja që gjetën tek ata nuk e vlerësuan për virtyt, pasi çdo e keqe kishte vetëm një emërtim “Musluman arnaut” [Mackenzie &Irby: 1874].
Duke qenë që shumica e këtyre informatorëve ishin priftërinj të krishterë, përveç qëllimeve politike, ato shfrytëzonin rastin që të fusnin këtu edhe kontrastin ndërmjet latinit dhe turkut [Denton: 1877]. Referencat e tyre i kanë ndihmuar propagandës sllave për t’i paraqitur shqiptarët të painteresuar për civilizim. Më 3 janar 1930, qeveria jugosllave udhëzonte Ilija Shumenkoviqin – përfaqësuesin e përhershëm në Gjenevë, që të thoshte se në regjionet ku jetojnë shqiptaret “nuk ka pasur kurrë shkolla shqipe…, se popullata nuk paska ndjerë asnjë nevojë për arsimim, sepse “gjuha shqipe askund nuk ka ekzistuar (në shkollë) se nuk kishin libra as gazeta”! Karl Marksi, bashkë me hijen e tij – Engelsin, kishin po ato mendime negative për shqiptarët, të cilët i konsideronin si “popull i papërgatitur për civilizim” [New York Tribune, 7 prill 1859].
Si shembull të fundit do të mjaftoj me një tregim për vrasjen e bukuroshes Frosinë, nuseja e Muhtarit, birit të Ali Pashë Tepelenës. Rrëfime të tilla letrare na fusin shpesh “në rrugë pa krye”, që nuk na lënë të gjykojmë se çfarë në të vërtetë kishte qenë gjendja e një “X” problemi! Në lidhje me këtë ngjarje ne kemi pesë versione letrare, të cilat përputhen vetëm në një pikë, në vrasjen e Frosinës, por tejet kontradiktore për arsyen dhe mënyrën e vrasjes!
Rrëfimin e parë e sjell konsulli gjeneral i Francës në oborrin e Ali Pashës – Pouqueville në “Voyage en Moree, a Constantinopole, en Albanie…” të përkthyer në anglisht dhe të botuar në Londër në vitin 1806. Sipas tij, bukuroshen Frosinë e vrau vetë vjehrri Ali Pasha, pasi ajo nuk iu përgjigj dëshirës epshore të vjehrrit (Aliut) dhe prej inati e mbyti në liqen bashkë me disa gra të tjera! Versionin e tij e përdorën më pas edhe udhëpërshkrues të tjerë!
Rrëfimi i dytë vjen nga John Cam Hobhouse (1786 – 1869) në librin “Travels in Albania” [London 1817] duke na dhënë tregimin e Mansour Efendiut, se Frosina ishte një e krishterë, e mbesa e Arqipeshkvit të Janinës. Ndryshe nga Pouqueville, këtu Frosina ishte një grua e martuar me një fëmijë gjashtëvjeçar, që djali i Aliut – Muhtarit, synonte ta kishte “dashnore”! Duke qenë se ai i kishte dhënë asaj dhuratë një unazë me vlerë, ajo ia kishte shitur një tregtari që pastaj e kishte blerë gruaja e Muhtarit, vajza e Ibrahim Pashës, e cila kishte zbuluar intrigat e të shoqit dhe i ishte ankuar Aliut se burri i saj lakmonte gra të tjera! Veziri i kërkoj t’i shkruante emrat e pesëmbëdhjetë grave më të bukura greke e turke të Janinës, me të cilat dyshonte se mund t’i shkonte i shoqi. Atë natë të gjitha u arrestuan, u futën në një anije, u lidhën në thasë dhe u mbytën në liqe!
Rrëfimin e tretë na e jep gjeneralit Frederic Guillaume de Vaudoncourt (1818), i cili e vendos në rendin e krimeve politike, larg pasionit kriminal që tregon Pouqueville dhe larg aventurave që jep Hubhouse. Edhe ky, sikurse Pouqueville, thotë se vrasja e bukuroshes u bë me urdhrin e Aliut, por për një shkak krejt tjetër, që biri i tij – Muhtari të mos binte në influencën e rrezikshme të priftërisë greke.
Rrëfimi i katërt është në kujtimet e kolonelit anglez William Martin Leake në: “Travels in Northern Grecce” [London 1835]. Në faqen 19 të librit të tij ai na e jep historinë e Frosinës, i bazuar në të njëjtat histori, por shton se rasti mund të ketë pasur edhe të tjera shkaqe politike, ndryshe nga poezia që i kushton poeti grek Aristot Valaoriti (1824–1879)!
Nga këto rrëfime të ndryshme, lexuesi fiton bindjen se kemi të bëjë vetëm me një përrallë të versioneve të ndryshme, por ne kemi edhe rrëfimin e pestë, atë të Mane Tahirit, ati i të cilit kishte qenë në krye të policisë së Ali Pashë Janinës dhe duhej ta dinte këtë ngjarje më mirë se kushdo tjetër. Ai thotë se shkaku i vrasjes së Frosinës ishin disa letra (dokumente) të vetë Pouqueville-s, i ngarkuar me akuzën dhe mëkatin që ai ia përshkruan Aliut! Ky i fundit e dinte këtë dhe deshi ta shfrytëzonte për qëllime politike. E thirri një ditë Frosinën dhe e pyeti nëse “i bie në qafë Pouqueville”? Frosina nuk ia fshehu. Aliu pastaj shfrytëzoi situatën, duke e këshilluar të vente një natë te frangu, të pinte bashkë me të sa të dehej e pastaj t’ia merrte disa dokumente, natyrën e të cilave ia shpjegoj Aliu. Ajo bëri siç i tha pashai dhe kur ja solli dokumentet në dorë, Aliu e mbyti Frosinën, e bashkë me të edhe disa gra të tjera, që të mos lihej ndonjë dyshim. Se kush ishin “disa gra të tjera” Pouqueville i përmend, por nuk jep shpjegim më të gjerë, Vaudoncourt-i nuk i përmendë fare, ndërsa koloneli Leake thotë se ato ishin gjashtëmbëdhjetë gra, të cilat u vranë bashkë me Frosinën, mbase për t’u dukur si fatkeqësi e për të humbur gjurmët e krimit!