loader image
December 4, 2024

Identitetet janë njohje

Në nji varg kuranor lexojmë: “O njerëz, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, që të njiheni me njëri-tjetrin. Më fisniku prej jush tek Allahu është ai që i përkushtohet më shumë Atij.” (Kuran, 49:13)

Edison ÇERAJ, Tiranë

Nji prej çështjeve ma të randësishme që na kujton ky varg është ajo që varet prej nesh dhe ajo që nuk varet prej nesh; gjanat që nuk mundena me zgjedhë dhe ato që mundena me i zgjedhë. Domethanë, nuk janë në dorën tonë përkatësitë e ndryshme në e me të cilat lindim, si gjinia, gjuha, ngjyra, raca, kombësia, mbiemri, paraqitja e kështu me radhë. Ajo që mbetet në dorën tonë është përpjekja, përkushtimi, pse jo edhe vetëmohimi për ma të mirën që dimë e që mundemi. Përpjekja. Mund të themi se identiteti i njeriut si të tillë është përpjekja.

“Ajo që bën angazhimin dhe luftën tonë njerëzore dhe të arsyeshme, ajo që i jep vulën e maturisë e të qetësisë është bindja se rezultati përfundimtar i çdo gjëje nuk është në dorën tonë. Detyra jonë është të përpiqemi, mandej rezultati është në dorë të Zotit. Të kuptosh mirëfilli jetën tënde në këtë botë do të thotë të bësh përpjekjet e tua pa pasur ambicien për të arritur dhe pushtuar gjithçka, si dhe të jesh i gatshëm ta pranosh fatin, apo atë që quhet vullneti i Zotit.” (Izetbegoviq)

Kështu, identiteti ndahet në dy lloje: ai që nuk e zgjedhim dot dhe ma i randësishmi, ai që zgjedhim përmes fjalëve dhe veprave që mbjellim vazhdueshëm e që korrim po vazhdueshëm, duke formu në këtë mënyrë atë që njihet si karakter dhe personalitet i veçantë i secilit.

Këto dy lloje ndikojnë te njëri-tjetri, kanë nji marrëdhanie herë misterioze e herë të përftueshme, por sidoqoftë kjo nuk mund të përdoret si justifikim i llojit: “Kështu jam unë!” Kjo sepse shprehje të këtij lloji janë anashkalim, mospërballje me veten, deri edhe dorëzim. Dihet që çdokush mund të gabojë e dështojë, por puna është çfarë bajmë aty e mbrapa; sa përpjekje bajmë për me u ringritë, për me rigjetë atë rrugë ku ndërgjegjja dhe hapat nuk janë në kontradiktë.

Lloji i dytë i identitetit, pra ai në të cilin lindim, që nuk është zgjedhja jonë, duhet pa si nji mundësi e jashtëzakonshme për njohje. Përkatësitë tona të ndryshme shërbejnë që të njohim njëri-tjetrin, domethanë veten, sepse teksa njihemi me një besim, botëkuptim apo kulturë të ndryshme nga e jona, në fakt, jemi duke e njohë ma mirë veten, kjo falë krahasimit dhe shkëmbimit të vazhdueshëm që rrjedh natyrshëm.

Kjo qasje është e vetmja mënyrë me ba paqe me veten dhe me botën, duke e pa diversitetin njerëzor si vlerë, si mundësi, si motiv për njohje, përpjekje shpirtërore dhe intelektuale. Askush nuk është i plotë apo i vetëmjaftueshëm, ja pse kemi nevojë për njëri-tjetrin. Më vete e me të tjerë.

E gjitha i ngjan nji peme, ku rranjët janë ai identiteti i pashmangshëm, ai zani i brendshëm, qoftë edhe kur duam ta mbajmë të fshehur. Është zani që ban dallimin. Kurse identitetet e tjera që na duhet me veshë në kohë e në hapësirë janë frytet e kësaj peme. Sa ma besnikë të jemi me atë za, aq ma të vyera do të jenë frytet.

“A nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët kah qielli?!” (Kuran, 14:24)

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X