loader image
October 14, 2024

Heshtja e tyre, një zhurmë e pështirë

Fjala intelektual u shfaq për herë të parë në shekullin XVIII me Volterin e të tjerë, por kjo nuk do të thotë se para këtij shekulli nuk kishim intelektualë. S’do mend se intelektualë kishim edhe atëherë kur nuk ekzistonte fare kjo fjalë, siç fjala vjen, Sokrati ishte i tillë, por i mungonte një emërtim i tillë. Përndryshe, ndryshimet në botë nuk do të mund të vinin prej qëndrimeve servile, sterile dhe sahanlëpirëse.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Heshtja e intelektualit është flori vetëm atëherë kur ai vlerëson se ajo që mund të thuhet është më e dëmshme sesa heshtja. Në të kundërtën, heshtja e tij kundrejt një mori çështjesh është një teneqe e ndryshkur. Për fat të keq, së fundmi kjo teneqe ka filluar dukshëm të na i vrasë sytë! Intelektualët kanë filluar t’i përshtaten furishëm heshtjes ose, edhe më keq, vardisjes së pushteteve, të cilët kur duan t’i mbulojnë dështimet dhe të zezat ndaj qytetarëve, lehtësisht si mburojë i vënë në shërbim intelektualët, pra punëtorët e arsimit, shkrimtarët, publicistët, prijësit fetar, gazetarët, institutet dhe, si kryetmerr, ata i përdorin pa ndonjë vështirësi edhe akademikët, kuptohet duke mos i futur të gjithë në një thes, por pjesën dërrmuese dhe dalluese të intelektualëve po. Mbase kjo panoramë e zymtë ta kujton një thënie të Vladimir Majakovskit: “Në një varkë që mbytet, intelektualët janë të parët që ia mbathin, menjëherë pas minjve dhe shumë para lavireve”! Shoqërisë sonë dhe shtetit tonë shpesh i ndodhë që varka t’i mbytej, kurse shpura intelektuale jo që një gjë të tillë nuk e parandalojnë, por të parët kërcejnë dhe nesër pas shpëtimit me shumë vështirësi të varkës, po këta i sheh të parët në lavdërime. Harrojnë se të jesh intelektual është diçka madhështore, por edhe punë me përgjegjësi, kurse këta dehen keq me cilësinë e parë, pra se të jesh intelektual është diçka madhështore, ngaqë për nga dituria dhe përvoja je më i ngritur se të tjerët dhe për rrjedhojë ty të besohet vendosja e dritave nëpër rrugët sterrë.

Jorastësisht, fjala intelektual rrjedh nga gjuha latine, nga fjala intelectus, që do të thotë kuptim, ide, koncept. Për intelektualin thuhet se është një njeri që ka përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, teknikës, të kulturës, por që ka edhe një formim të gjerë arsimor. Mes tjerash, ai merret me punë mendore dhe ka aftësi të theksuar të të gjykuarit të arsyeshëm. Të jesh intelektual është krenari dhe njëherësh përgjegjësi, ngaqë të duhet të vësh shenja në rrugë edhe atëherë kur rrugaçëria politike dëshiron rrugë pa asnjë shenjë dhe pa asnjë kamerë. Nëse arrin ta sfidosh këtë rrugaçëri, ke të drejtë të ndjehesh krenar, por duke mos harruar se misioni i intelektualit nuk mbaron për aq kohë sa jep shpirt frymëmarrja e fundit e njeriut. Fjala e gatuar dhe e pjekur mirë në furrën e mendimit është vepra e intelektualit. Hoferi thotë: “Dimë që fjalët nuk mund t’i lëvizin malet, por ato mund t’i lëvizin masat dhe njerëzit janë më shumë të gatshëm të luftojnë dhe të vdesin për një fjalë sesa për çfarëdo tjetër. Fjalët i japin formë mendimit, i trazojnë ndjenjat dhe lindin veprimin. Ato vrasin dhe ringjallin, prishin dhe shërojnë. Njerëzit e fjalës; teologët, profetët, intelektualët, kanë luajtur një rol më vendimtar në histori sesa liderët ushtarakë, burrështetasit dhe biznesmenët”.

Megjithatë, përkundër pranisë së madhe të intelektualëve, sidomos të profesorëve universitarë dhe instituteve, sërish në mesin tonë bënë gjumë të qetë injoranca dhe shkaktarët e saj. Në të kundërtën, po të kishim intelektualë të mirëfilltë, nuk do të kishim kaq padituri, nuk do të shihnim kaq vuajtje, nuk do të dëgjonim kaq klithma e rënkime, nuk do të qeveriseshim prej kaq shumë trutharëve, nuk do t’i korrnim kallinjtë e zbrazur dhe ta bluanim hambarin në vend të grurit, nuk do ta pandehnim gjalpin për hekur dhe nuk do të gënjeheshim kaq shumë për kaq shumë vite. Për pasojë, intelektualët nuk janë në gjumë, por ata janë në ankth. Ata frikësohen edhe të bëjnë gjumë, ngaqë mund ta shohin ndonjë ëndërr duke i kundërshtuar tiranët udhëheqës dhe pastaj vaj halli për barqet e tyre.

Gjithsesi, fjala intelektual u shfaq për herë të parë në shekullin XVIII me Volterin e të tjerë, por kjo nuk do të thotë se para këtij shekulli nuk kishim intelektualë. S’do mend se intelektualë kishim edhe atëherë kur nuk ekzistonte fare kjo fjalë, siç fjala vjen, Sokrati ishte i tillë, por i mungonte një emërtim i tillë. Përndryshe, ndryshimet në botë nuk do të mund të vinin prej qëndrimeve servile, sterile dhe sahanlëpirëse.

Se sa ndërlidhet kuptimi i fjalës intelektual me intelektualët tanë të sotëm, kjo është pyetje që fillimisht kërkon kundrim të thellë. T’i shohësh se kujt i thonë intelektual, kush u thotë dhe menjëherë pastaj të hulumtosh rreth veprave të tij dhe qëndrimeve nëpër kohë, sidomos në kohë të vështira. T’i vrojtosh universitetet dhe institutet shkencore dhe kulturore, jo vetëm për metodologjinë dhe praktikat e zhvilluara nëpër fakultete me studentët, por edhe qëndrimet e tyre ndaj ecejakeve të ndryshme shoqërore dhe shtetërore. T’i analizosh akademitë për sa u përket prurjeve të reja në shkencë dhe në art, si dhe qëndrimet e tyre për sa u përket politikave të përgjithshme. Çfarë të shohësh si përfundim? Mbizotërim të heshtjes. Heshtje dhe strukje për t’u dukur ndonjëherë me ndonjë përsiatje, që më tepër sjell mjegull sesa sqaron diçka, siç qe rasti më herët me letrën e Krajës drejtuar “myslimanëve të fecabook-ut”, pikërisht në kohën kur Kosova kishte nevojë për përsiatje të nivelit të lartë për sa u përket problemeve të korrupsionit, politizimit të arsimit, copëtimit të tokave, përçarjeve të kokave e të ngjashme. Po ashtu së fundmi me publikimin e tekstit me titull “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ku përpos gabimeve të shumta drejtshkrimore, kemi përplot gabime historike dhe akuza gjoja për blerje (korrupsion) të njohjes së shtetit të Kosovës, ku pjesë të këtij teksti as Akademia e Serbisë nuk do të mund t’i shkruante kaq përshtatshëm me propagandën e tyre, edhe pse më vonë doli se ky tekst nuk është i Akademisë së Kosovës, por qëndrim personal dhe inatçor i Krajës. Megjithatë, kjo flet se sa poshtë ka rënë Akademia dhe njeriu që e drejton atë Akademi. E keqja tjetër qëndron në faktin e mosreagimit të intelektualëve tjerë, sidomos të atyre që janë më të dalluar në mesin e intelektualëve. Në vend se të kemi reagime dhe sqarime për këto pamflete të një njeriu që di të kacafytet me masën dhe të nesërmen si qyqe ankohet se masa nuk po sillet si duhet ndaj tij, duke harruar qëllimisht i gjori se masa përmban të mirin dhe të keqin, analitikun dhe euforikun, ndaj nuk mund të mos presësh edhe fyerje, ngaqë me dashje të është “kruar” me masën. Qëllimisht ai kapet me masën, ngaqë më lehtë mund ta luajë rolin e viktimës dhe krejt këtë film të pështirë ia mundësojnë intelektualët e tjerë, që në vend se t’i reagojnë me fakte dhe argumente, ata bëjnë sehir se çfarë po i thotë masa atij dhe ky masës.

Është e kuptueshme se nuk është e lehtë të agosh si intelektual në kohën kur varfëria të rri sipër si Shpatë e Demokleut, madje siç thotë Nino Manfredi: “Një njeri nuk mund të rrijë gjithë jetën duke e bërë intelektualin me brekë të grisura, kur ka njerëz të tjerë që fitojnë miliardat”. Kjo është e rëndë, sidomos në kohën kur ekonomia e lirë ka filluar me të madhe t’i robërojë njerëzit, mirëpo intelektuali i cili paraprakisht e di se rruga e tij nuk është e shtruar me qilim të kuq e me lule nëpër skaje, do të dijë të notojë më mirë, duke mos u fundosur në detin e varfërisë, por as duke mos u dëfryer nëpër jahte të të pasurve, pasuria e të cilëve është grumbulluar përmes rrugëve kriminale.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X