loader image
December 4, 2024

Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës si projekt serb përtej ideologjive dhe formave të regjimit në Serbi

Fakti që elaboratet e gjenocidimit të shqiptarëve rishfaqen kohë pas kohe nuk tregon një revizionim ose kritikë të tyre nga autorët e njëpasnjëshëm, por kemi të bëjmë me përditësime dhe aktualizime të së njëjtës kryeide: zhdukja e shqiptarëve si të tillë, qoftë përmes zhdukjes fizike, qoftë përmes dëbimit apo asimilimit.

Ardian MUHAJ, Tiranë  

Ndërkohë që miratimi i rezolutës së 23 majit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që e shpall 11 korrikun si Dita Ndërkombëtare e Gjenocidit në Srebrenicë është një zhvillim epokëbërës në përpjekjet e popujve të gjenociduar, ka pak ose mos me thënë aspak shpresë se kjo arritje epokale e popullit boshnjak do të përsëritet dhe do të arrihet nga populli shqiptar për sa kohë nuk i kemi elitat sunduese të vetëdijesuara. Është e qartë dhe e sigurt se qasja e opinionit botëror ndaj Serbisë do të ndryshojë, por për fat të keq kjo nuk duket se do të reflektohet në hapësirën tonë shqiptare, kjo sepse nëse elitat sunduese shqiptare do të kishin minimumin e vullnetit për të përballur Serbinë me krimet e veta ndaj shqiptarëve, nuk kanë asnjë nevojë që të mendojnë në rastin e Srebrenicës. Shqiptarët i kanë srebrenicat e veta në këto dy shekujt e fundit të përballjes me projektin gjenocidal serb. Mirëpo, këto srebrenica nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i vetëdijesuar elitat tona sunduese. Zinxhiri i akteve dhe fushatave gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptare është aq i gjatë, i qartë dhe i dokumentuar, saqë bëhet fjalë për një projekt, botëkuptim dhe frymë gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve. Akti më konkret që dëshmon vazhdimësinë dhe moszbutjen e këtij projekti dhe fryme gjenocidale është mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe betimi se kurrë nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës.

Shqiptarët duhet t’ua bëjnë të qartë serbëve dhe të tjerëve se mosnjohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë është pishtari që e mban ndezur flakën gjenociduese serbe ndaj shqiptarëve. Pavarësisht se shqiptarët nuk kanë arritur që ta zyrtarizojnë fajësinë e serbëve deri në nivelin e gjenocidit, tashmë është e qartë botërisht se Serbia ka kryer krime dhe masakra në Kosovë, të cilat konsiderohen si krime lufte në të drejtën ndërkombëtare. Millosheviqi, si kryetar i shtetit serb, është njohur zyrtarisht nga gjykata e Hagës si kriminel lufte dhe ushtrues i krimeve të luftës në Kosovë. Prandaj përbetimi i kryetarëve të njëpasnjëshëm të shtetit serb se kurrë nuk do ta njohin Kosovën e pavarur është dëshmi e vullnetit për ta mbajtur gjallë dhe ndezur projektin kriminal ndaj shqiptarëve.

Fryma gjenocidale ndaj shqiptarëve, që qëndron në thelbin e projektit kombëtar serb, duhet kuptuar dhe shpalosur përpara botës. Për më tepër, qëndrueshmëria e projekteve serbe për gjenocidin kundër shqiptarëve në dy shekujt e fundit tregon se ajo që i përbashkon krejt qeveritë dhe ideologjitë në Serbi është dakordësia për agresionin ndaj shqiptarëve dhe tjetërsimin etnik të trojeve të banuara prej shqiptarëve. Të gjitha fazat e projektimit të idesë shtetërore dhe nacionale serbe përfshijnë luftimin e shqiptarëve dhe serbizimin e trojeve të banuara nga shqiptarët.

Përgjatë këtyre dy shekujve, gjenocidi ndaj shqiptarëve është shndërruar, në këtë mënyrë, nga një projekt në një filozofi të tërë kombëtare serbe. Nga ky projekt dhe nga kjo filozofi politike u zhvilluan ato plane dhe veprime konkrete, të detajuara në mënyrë të hollësishme dhe të tërësishme nga qeveritë e njëpasnjëshme të Beogradit. Fakti që elaboratet e gjenocidimit të shqiptarëve rishfaqen kohë pas kohe, nuk tregon një revizionim ose kritikë të tyre nga autorët e njëpasnjëshëm, por kemi të bëjmë me përditësime dhe aktualizime të së njëjtës kryeide: zhdukja e shqiptarëve si të tillë, qoftë përmes zhdukjes fizike, qoftë përmes dëbimit ose asimilimit.

Në këtë këndvështrim, në këtë njëtrajtësi dhe qëndrueshmëri të idesë ose, më saktë, filozofisë politike gjenocidale serbe, nuk ka dallim mes Kosovës dhe zonave të tjera të trojeve shqiptare. Nëse shquhet ndonjë dallim në qasjen serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë në krahasim me shqiptarët në përgjithësi, ky nuk është dallim në përmbajtje, por ka thjesht karakter pragmatik dhe programatik. Kosova dhe trojet e tjera shqiptare nuk janë të ndryshme nga këndvështrimi i filozofisë gjenocidale serbe, por faza të ndryshme të projektimit tërësor të së ashtuquajturës zgjidhje të problemit shqiptar. Kufiri i idesë së gjenocidit serb ndaj shqiptarëve nuk është as Morina, as Kukësi, as Prizreni dhe as Drini. Është Adriatiku. Pra, përballë nesh ata janë një. Dhe, për pasojë, edhe në përballë tyre duhet, është kusht i domosdoshëm, me qenë NJË tërësisht, njëmendësisht, filozofikisht dhe në të gjitha aspektet.

Ka disa aspekte që në një rrafsh krahasues do të na ofronin pikëvështrime më të qarta dhe korrekte. Një prej këtyre aspekteve është fakti që nga ana serbe ka një shumësi projektesh gjenocidimi kundër shqiptarëve, mirëpo nga ana e shqiptarëve nuk kemi projekte të tilla. Nga ana tjetër, është domethënës fakti se hartuesit e projekteve të tilla nga ana serbe nuk janë njerëz të thjeshtë ose pa funksione, por kryeministra, kryeintelektualë, kryeakademikë, kryeshkrimtarë etj.

Projektet dhe elaboratet serbe kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX, që vëzhguesve të largët me siguri u janë dukë fantazi, nisin në fakt të vihen në zbatim dhe konkretizohen që në shpërnguljen e shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit, më 1878, që të vazhdojnë me gjenocidin ndaj shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në vise të tjera shqiptare gjatë luftërave ballkanike (1912-1913) dhe Luftës së Parë Botërore. Pjesë integrale e këtij megaprojekti gjenocidal ishin edhe shpërnguljet e shqiptarëve, “reforma agrare” dhe procesi i “kolonizimit”, të ndërmarrë nga qeveritë e Beogradit ndërmjet dy luftërave botërore. Pas një pauze të dinamikës gjenociduese, për shkaqe të situatës gjeopolitike të Luftës së Dytë Botërore, dinamika gjenociduese rimerret me ritme të përshpejtuara, gjithnjë me idenë e rifitimit të kohës së humbur, në shfarosjen e shqiptarëve, përmes masakrave, burgosjeve dhe konfiskimeve kundër shqiptarëve nga komunistët jugosllavë në përfundim dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Filozofia politike e gjenocidit serb kundër shqiptarëve arrin të integrojë në kuadrin e vet edhe paradokse të tilla ideologjike dhe filozofike sikurse janë marrëveshjet dhe përpjekjet për shpërnguljen e shqiptarëve nën ish Jugosllavi në periudhën e viteve 1950-të. Sesi një ideologji internacionaliste, si ajo komuniste, arrin të pajtohet me shpërnguljen jashtë shtetit të një popullsie në kohë paqeje, këtë vetëm magjia manipulative e akademikëve dhe politikanëve të Beogradit mundet ta bëjë. Vëreni se të ashtuquajturit komunistë të Beogradit zyrtar po shpërngulnin një popullsi nga një shtet ku pretendohej se po ndërtohej socializmi si Jugosllavia drejt një shteti ku po zhvillohej kapitalizmi, si Turqia?! Kjo, qartazi, tregon se shqetësimet ideologjike të superstrukturës politike të Beogradit ishin dytësore, hidheshin tutje, liheshin mënjanë sapo krijohej mundësia për vazhdimin e zbatimit të megaprojetit të shfarosjes së shqiptarëve. Bashkim-vëllazërimi, natyrisht, që ishte një hipokrizi, por kaq haptas flluska e bashkim-vëllazërimit nuk shfryhet sa në rastin e qëndrimit të autoriteteve jugosllave ndaj shqiptarëve.

Pas projektit gjenocidues që u zhvillua nën fasadën e bashkim-vëllazërimit dhe socializmit, dinamika e gjenocidit vazhdon dhe përshpejtohet në vitet 1990-të, duke kulminuar në vitet 1998/1999. Pas këtij kulminimi të fundmijëvjecarit, kjo dinamikë vazhdon, edhe pse me ritme dhe forma e mjete të reja ose të ndryshme, por gjithnjë me të njëjtën frymë dhe njëtrajtshmëri ideore dhe filozofiko-politike. Pa dyshim që investimi intensiv në fshehjen e fakteve dhe në pengimin e dokumentimit të këtij gjenocidi, që përpjekjet e pandalshme të klasës politike, të shtresës intelektuale dhe qarqeve akademike serbe për të penguar njohjen e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, janë pjesë integrale të frymës së megaprojektit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve. Ajo që bie në sy dhe është shqetësuese në literaturën amnistuese, shfajësuese dhe justifikuese të autorëve serbë dhe proserbë është se, për fat të keq, për shumë arsye kanë gjetur mundësinë e shpalimit edhe në botime serioze të katedrave ose botuesve europianë, si “Cambridge” apo “Oxford University Press”, për të mos folur pastaj për botues dhe katedra të tjera. Për shembull, nga një prej këtyre autorëve që e kanë gjetur derën e manipulimit deri në “Cambridge University Press”, vizita e Millosheviqit në Kosovë më 24 prill 1987 paraqitet si diçka spontane dhe e pafajshme. Autorët serbë përpiqen të krijojnë idenë se Millosheviqi aty zbuloi diçka të paditur, të panjohur, të ashtuquajturin presion të shqiptarëve kundër serbëve në Kosovë. Madje, pretendohet se shqetësimet e serbëve pakicë në Kosovë kundër shumicës shqiptare ishin përcjellë në Beograd, por kishin rënë në vesh të shurdhër. Në këtë botim, të vitit 2015, arrihet deri aty sa të flitet për paaftësinë e autoriteteve të Beogradit për ta parandaluar emigrimin e serbëve nga Kosova ose të autoriteteve federale për ta ndalur eksodin serb nga Kosova etj. etj. Unë do ta ilustroj këtë me një citim të këtij autori në kufijtë e paradoksit: “Me gjithë praninë e kudondodhur të Armatës Popullore Jugosllave në Kosovë dhe me gjithë arrestimin e një numri të madh irredentistësh shqiptarë, sikurse etiketoheshin në diskursin zyrtar, situata nuk ndryshoi. Më 1987… çështja e emigrimit të serbëve nga Kosova kishte marrë përmasa kritike.”

Pra, duke e përmbyllë, ky shembull i depërtimit të filozofisë justifikuese të gjenocidit deri në botues të tillë, të shquar për rigorozitetin e tyre shkencor, tregon qartë se fryma e filozofisë gjenocidale të Garashaninit, të Çubriloviqit, të Qosiqit, Akademisë Serbe dhe të shtetit serb, në përgjithësi, është e gjallë, kërcënuese dhe, potencialisht – në rastin më të volitshëm për serbët, edhe vepruese. Kjo është njëra anë, kurse ajo se si ne jemi përballë, po përballemi dhe do të përballemi me këtë frymë është një shqetësim që duhet të na angazhojë të gjithëve si shqiptarë, përtej kufijve politikë ose ideologjikë.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X