loader image
November 15, 2024

Ferma e Demokracisë

Nëse e pyesim vetëm në e njohim mjaftueshëm demokracinë? – druaj se një të tillë përgjigje akoma nuk e japim dot, anise ne kemi jetuar mjaftueshëm zhgënjime për të thënë se nuk e dimë në mund të jetohet më mirë se kaq! Shqiptarët i njohin përpjekjet për të ndryshuar sisteme e për të rrëzuar diktatura; e megjithëkëtë ndërtojnë mite mbi rrënojat e së shkuar! Shqiptarët si pak kush i kanë provuar kusuret e komunizimit, shtypjes sistematike dhe tëhuajësimit; por, dy breza mbas nuk duken shumë shpresëdhënës! 

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Në përkufizimet klasike, demokracia përmendej si një formë qeverisje në të cilën shumica e njerëzve ushtronin sovranitetin e tyre drejtpërsëdrejti ose përmes referendumesh ose në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre.

Përsiatjet filozofike dhe përvojat e tilla politike ishin frymëzuar kaherë nga reformat e hershme të Solonit, Pisistratit dhe Klistenit, e të cilat i dhanë hov përparimit dhe ngritjes së një sistemi demokratik në poliset greke. Këto reforma më vonë u perfeksionuan nga Efialti dhe Perikliu, për ta shtruar rrugën e një sistemi që lejonte qytetarët t’i marrin vendimet lidhur me polisin e tyre – anise, aso kohe, të tilla liri do gëzoheshin veç prej një mase njerëzish, sepse gratë, skllevërit dhe metekët ose banorët e huaj të Athinës as do konsideroheshin si qytetarë.

Me rrjedhën e pafrenueshme të kohës, ideali demokratik ka pësuar trandje të vazhdueshme duke u formatuar e përshtatur ku me forcë, ku me andrra e ku me dhunë.

Perceptimi i Lirisë, përkufizimi i së Drejtës, Pronës, Interesave ose Përgjegjësisë së bashku me pranimin ose refuzimin e autoriteteve ligjvënëse dhe ligjzbatuese historikisht i kanë përplasur traditat e mendimit prej Lock-ut, Russo-it, Montesquieu-s, Kant-it e deri në ditët tona.

As mbarimi i luftnave botërore dhe as triumfi i Perëndimit kundrejt Komunizmit të acartë në “kacafytjen e idealeve” nuk dha mjaftueshëm truall për Paqe të Përjetshme. Madje, në shoqëritë pluraliste alla West konkurrenca e interesave dhe panegociueshmëria e lirisë individuale mbetën pikëpyetje të serta, pa përgjigje të plota, përherë drithënuese në raport me legjitimitetin e sistemeve qeverisëse. Në fakt, më shumë sesa liria, barazia e sforcuar, dro edhe drejtësia e munguar në sistemet demokratike bashkëkohore, po e çvelos një botë që ka zënë të thartohet teksa zemra i është ndryshkur prej çikërrimave inatçore.

Të jetosh me hijen tënde!

Qe diell me dhambë asaj dite, kur sapo zbarkuan në Shkupin e kalldrëm*rrëfenjësit të paepun për Dashninë që ish derdhur dikur, me shumicë, mbi kryeshehrin e shqiptarëve. Ish ftohtë, anise qielli lahej në rruazore florini. Ish ftohtë sa as bardaku me çaj t’zi nuk po na ndihmonte me e mbledhun vetën! Ish dimën i ftohtë anise zemra që mbërthye prej mikpritjes së pamuktë të shqiptarëve nurshumë. Ndoshta, të vemit shqiptarë që akoma kishin xixa n’xhan për Atdheun. Pra, për ata, Toka nuk qe e thatë akoma. Aty, përkundej djepi i mëmëdheut, ndaj çdo lëvizje nisej e bitisej përunjësisht.

Asaj dite, pa rënë akoma perdja e hënës, prof. Ferid Muhiq po ligjëronte gjithë pasion e jetë, ndër tjerash mbi të Drejtën, Demokracinë, Njeriun dhe Lirinë. Më vjen marre edhe sot, kur kujtohem se me ç’guxim e pyeta: – ndjesë profesor, por a nuk mendoni se njeriu njëmend ishte i pagdhendur mjaftueshëm dhe se bashkësia në të cilën jetonte ngjasonte me një xhungël brenda së cilës rrezikoheshin të gjithë prej të gjithëve? Kësisoj, nevoja për të hequr dorë nga vetautonomia dhe për ta dorëzuar atë në duart e një super-strukturore mbi bashkësinë qe më se urgjente?

Prof. Muhiqi dukej që nuk e kishte për herë të parë një pyetje të tillë. Më pa me mëshirë … (ose ashtu mu duktë mua) dhe me qetësinë e tij të fisme, u kthye tërë urtësi: ah, jo, jo, jo! Njeriu s’ka qenë asnjëherë ujk për njeriun! Ne nuk e pranojmë këtë përkufizim kaq të ashpër! Doemos, njerëzit kanë nevojë për organizim dhe struktura të mirëmenduara, funksionale, por kjo nuk nënkupton se ne jemi qenie të egra, në gjenezë e deje. Jo! Ne kemi ardhur me një amanet dhe besatim! Ndaj, në kërkim të përmbushjes së misionit dhe realizimit të vetës, gjejmë rrugë e kanale për ta zbutur ose lehtësuar jetën tonë dhe atë të të tjerëve. Ne e njohim Veten duke hequr dorë prej vetës! I njohim limitet duke e shtruar Lirinë. Ne nuk jemi ujku. Qenia jonë është ndërtuar përtej ngushticës dhe mangësive së egos.

E ula shikimin. Shifja këpucët me njolla balte. Mu si mendimet në kokën time. Pastaj, thashë me vete: – Oh, prit! Por, ne, në shkolla, sikur mësonim diçka tjetër? Ose ose ajo që ne mësojmë a mos është përtej asaj që mendojmë, hamendësojmë, kujtojmë? Ne jetojmë me hijen tonë, por nuk njohim as vetën dhe as grinë e errët?

Të jetosh në fermën e Demokracisë

Kuptueshmërinë e “animalizminit” oervellian druaj se e kam përbrendësuar thellë-thellë përgjatë lëvizjeve të pandërprera ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës. Tymnaja demokratike që orvatet me i shndërrue këto qytete në vatra lirie, drejtësie e barazie tretet kollaj prej reshjeve acidike, të cilat rigojnë zëshëm mbi godinat që në brendi mbajnë era korrupsion e krim. Aty qytetarët e zgjedhur prej qytetarëve, sapo pajisen me postin e “të përzgjedhurve hyjnorë” nuk njohin më sistem e qytetari, veç drejtorit apo shefit të ri! Rëndom, përvojat e grumbulluara kanë lënë për të kuptuar se shqiptarët pak janë munduar për të ndërtuar diçka matanë familjes, farefisit e partisë! Boshllëku i krijuar ndërmjet të zgjedhurve dhe zgjedhësve në mbarim të zgjedhjeve ka qenë kaherë hendek i pakapërcyeshëm! Histeria e krijuar me korrjen e fitoreve elektorale ka lënë për t’u kuptuar se elitat politike shqiptare sorollatën në amullinë e ankthit që kullon prej iluzionit të një armiku që vazhdimisht përpiqet ma ua vjedhun karrigen dhe pushtetin.

Nga ana tjetër, Mitrovica është gjithnjë nxënësi i përjashtuar prej orës mësimore, ngase o vonohet në progres o pengohet në proces. As lindje, as perëndim. Mitrovica veç në vegime mund ta ketë përdëftuar shijen e demokracisë. Çdo gjë tjetër që mbetet prej saj është pluhun mashtrimesh, pazaresh a premtimesh, të rreme, lëshuar prej sistemesh politikisht korrekte veç në raport me nocionin “demokraci.”

Dhe, nëse e pyesim vetëm në e njohim mjaftueshëm demokracinë? – druaj, se një të tillë përgjigje akoma nuk e japim dot anise ne kemi jetuar mjaftueshëm zhgënjime për të thënë se nuk e dimë në mund të jetohet më mirë se kaq! Shqiptarët i njohin përpjekjet për të ndryshuar sisteme e për të rrëzuar diktatura; e megjithëkëtë ndërtojnë mite mbi rrënojat e së shkuar! Shqiptarët si pak kush i kanë provuar kusuret e komunizimit, shtypjes sistematike dhe tëhuajësimit; por, dy breza mbas nuk duken shumë shpresëdhënës!

Ndoshta, për njeriun nuk është kurrë e lehtë shkëputja prej sojit të mendësisë që ish formuar dhunshëm nën mizorinë e zaptimit dhe forcës së spiunimit. Fundja, sistemet e tilla që në thelb kanë pasur shfrytëzimin, përbuzjen, torturën, zhbërjen e besa edhe shfarosjen e Njeriut “të ndryshëm” prej “mbinjeriut” të përcaktuar nga një grusht i vockël qeniesh pa njerëzi, në krye të herës janë siguruar që veprimtaria e tyre të mos ishte jetësosur. Kjo, për të thënë se në këtë Tokë nuk kanë munguar njerëzit dhe idetë por ata dhe ato që patën forcën e pushtetin; e sforcuan njeriun deri në vetëmohim.

Demokracitë lindin e ndërtohen, gjallërojnë a pengohen, cenohen ose fiken përkohësisht, por ama mbesin aty përjetësisht; për sa kohë ka zemra dhe sy për të falur dhe frymuar! Demokracitë janë të njerëzve derisa ata të mos e falin veten tek udhëheqësit populistë; tek prijësit nihilistë! Demokracitë kthehen kurdo që Njeriu ta kthen shikimin kah vetja – oaza prej ku çelin detnat e njerëzimit. Demokracitë mund të mos ishin ferma; nëse Njeriu, burrë apo grua qoftë, s’do e bojatiste veten si më të barabartin e të barabartëve; si të vetmin mes të gjorëve; si të parin mes numrash! Demokracitë nuk do përfundonin në ferma nëse Njeriu – amanetin e Fillimit nuk e kthente në bunar t’harrimit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X