Në mediat jugosllave me orientim djathtiste u citua disa herë deklarata e supozuar e Aleksandar Rankoviqit, ministër i Brendshëm dhe shef i policisë ushtarake dhe asaj sekrete. Rankoviqi, në diskutimin e tij në kuvendin jugosllav më 1951, kishte thënë: “Mes viteve 1945 dhe 1951, nëpër burgjet tona kaluan 3.777.776 të burgosur, ndërsa ne likuiduam 586.000 armiq të popullit”.
Shkruan: Ismet AZIZI, Gjilan
Dhuna intensive serbe ndaj shqiptarëve ka filluar nga viti 1878. Kjo dhunë, në vazhdimësi, ka ardhur duke u rritur e funksionuar në forma të ndryshme dhe është zbatuar në të gjitha trojet shqiptare. Jugosllavia, fillimisht shteti Serb-Kroat-Slloven, u krijua tërësisht mbi ndjenjën dhe planin pansllav, në ortodoksizëm dhe u zhvillua mbi urrejtjen ndaj tjerëve, posaçërisht ndaj shqiptarëve.
Edhe me vendosjen e sistemit monist në Jugosllavi, dhuna ndaj shqiptarëve nuk u ndal, por vazhdoi të veprojë në forma të ndryshme. Këto forma janë zbatuar në rastin e Drenicës, duke vazhduar me Masakrën e Tivarit, Informbyronë, periudhën e ashtuquajtur “të aksionit për mbledhjen e armëve”, etj. Aparati represiv në duart e komunistëve jugosllavë shkaktoi një tmerr të pa parë në historinë më të re të viseve të banuara me shqiptarë në Jugosllavi.
Duke pasur si model ÇEKA-n ruse, Partia Komuniste Jugosllave më 13 maj 1944 e themeloi shërbimin sekret OZNA (Odsek za Zaštitu Naroda – Sektori për Mbrojtjen e Popullit). Që nga themelimi i kësaj organizate famëkeqe e deri në vitin 1966, Tito ia kishte besuar Aleksandar Rankoviqit ta udhëheqë këtë shërbim. Kjo datë (13 maji) do të shënojë datën e themelimit të këtij aparati dhune në Jugosllavi, që për një kohë të shkurtër do të veprojë pamëshirshëm tek të gjithë popujt që jetonin në shtetin jugosllav, e në veçanti ndaj popullit shqiptar. Që nga shtatori i vitit 1944 e deri në fund të vitit 1945, nën akuzën e “antikomunizmit ekstrem”, u ekzekutuan me dhjetëra mijë shqiptarë. Zyrtarisht vetëm në Kosovë u ekzekutuan pa gjyq 17.400 shqiptarë.
Kur çetnikët përfunduan masakrat ndaj popullsisë së Sanxhakut, i filluan sërish, por tashti nën petkun partizan. Ata, për dallim nga çetnikët e mëparshëm, vranë vetëm të rriturit, intelektualët, parinë e qytetit – ata të cilët nuk u pajtuan me ideologjinë komuniste.
Ekzekutimet e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Haxhet, tash lagje e banuar e Pazarit të Ri, përkatësisht Novi Pazarit, në shumicën e rasteve janë kryer pa asnjë procedurë gjyqësore, pa të dhëna dhe dokumentacion të shkruar. Njerëzit janë marrë gjatë natës me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në vendin e përmendur për t’u ekzekutuar. Në atë kohë filloi grabitja e pronës së njerëzve më të pasur. Anëtarët e OZNA-s i kanë përcjellë njerëzit me autoritet dhe i kanë regjistruar të gjithë ata me të cilët kanë pasur ndonjë lloj kontakti. Menjëherë pas kësaj kanë filluar arrestimet masive. Të arrestuarit janë marrë në burg që ndodhej pranë ndërtesës së gjykatës së atëhershme. Dëshmitarët thonë se torturat ishin aq mizore, saqë banorët e lagjes janë detyruar të largohen në pjesë të tjera të qytetit, sepse nuk mund të përballoheshin britmat e atyre që ishin prapa mureve të burgut.
Ata i vranë me një procedurë të thjeshtë. I nxirrnin nga shtëpitë, i arrestonin me shpejtësi, i merrnin në pyetje, “i gjykonin”, i dënonin dhe i ekzekutonin. Ky gjenocid komunist është më i vogël se ai i krahinës së Bihorit dhe luginës së lumit Lim, por për nga “cilësia” shumë më i vështirë. Vranë intelektualët, parinë e qytetit, të pasurit, njerëzit me autoritet e ndikim në popull. Pra, në Haxhet të Novi Pazarit janë ekzekutuar Aqif Blyta, Ahmet Daci dhe bashkëpunëtorët e tyre. Së bashku janë vrarë mbi 2000 njerëz të pafajshëm, të cilët e paguan çmimin për shkak se kishin luftuan kundër çetnikëve.
E gjithë kjo bëhej për t’ua futur frikën në palcë banorëve të kësaj krahine, sidomos shqiptarëve të Rrafshnaltës së Peshterit, të cilët ishin kundërshtarë dhe rezistues më të mëdhenj ndaj politikës serbomadhe. Për ta ilustruar më së miri efektin e një veprimi kaq të egër të OZN-ës tregojnë rezultate e regjistrimit të popullsisë së tri komunave Novi Pazar, Senicë e Tutin, të cilat ishin me shumicë shqiptare deri në vitin 1948. Vetëm 40 banorë kanë pasur guxim të deklarohen shqiptar në komunën e Novi Pazarit, ndërsa në atë të Senicës dhe Tutinit asnjë shqiptar. Pas këtyre masakrave, vetëm një numër i vogël i banorëve kanë pasur guxim të deklarohen të pa përcaktuar, myslimanë kurse tjerët serb.
Edhe pas transformimit të OZN-ës në UDB dhe KOS, të cilat ishin ndërtuar si instrumente dhune, represioni, manipulimi dhe komprometimi, asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë, sepse në krye të këtij organi ishte pasuesi i ideologëve serbomëdhenj, Rankoviqi.
Në mediat jugosllave me orientim djathtist u citua disa herë deklarata e supozuar e Aleksandar Rankoviqit, ministër i Brendshëm dhe shef i policisë ushtarake dhe asaj sekrete. Rankoviqi në diskutimin e tij në kuvendin jugosllav më 1951, kishte thënë: “Mes viteve 1945 dhe 1951, nëpër burgjet tona kaluan 3.777.776 të burgosur, ndërsa ne likuiduam 586.000 armiq të popullit”.
Popullsia e Sanxhakut, rajon ky i shtrirë në Serbi dhe Mal të Zi, u josh nga Titoja pas rënies së Rakoviqit. Në vitet në vazhdim, pas ndryshimeve kushtetuese, me të cilat ndryshime popullatës së besimit islam iu mundësua të deklarohen me përkatësi kombëtare musliman, të barabartë me kombet tjera, përderisa shqiptarët mbeten pakicë kombëtare. Kjo bëri që popullsia shqiptare e Sanxhakut e besimit islam, Plavës, Gucisë, Kolashinit, Podgoricës e Tivarit të deklarohen musliman për të shpëtuar jetën. Më vonë, nga vitet e ‘90-ta, këta filluan te deklarohen boshnjak, e cila gjë është duke vazhduar edhe sot. Pra, kjo tregon se pasojat më të dhimbshme të komunizmit që po i vuan sot populli shqiptar është asimilimi i cili po vazhdon gjithkah skajeve të trojeve shqiptare.
Mungesa e një klase politike antikomuniste në radhët e shqiptarëve, e tash edhe të boshnjakëve në Sanxhak dhe Mal të Zi, është rezultat i ndikimit pansllav. Shqiptarët e asimiluar në boshnjakë, muslimanë malazezë (crnogorski muslimani), e kanë vështirë të heqin dorë nga të qenit jugosllavë, edhe pse tashmë janë shumë të vetëdijshëm se nuk janë sllavë, për shkak se shumica e tyre ka prejardhje ilire ose, të mëvonshme, shqiptare.
Intelektualët e këtyre trevave, të cilët kanë qenë kundër Jugosllavisë socialiste të Titos, e që me plot sukses këtë qëndrim e kanë bartur edhe te gjeneratat më të reja dhe janë të preokupuar me problemin e identitetit, shkojnë aq larg, sa thirrën në gjenezën e tyre boshnjake të hershme nga e cila kinse kanë dalë edhe serbët dhe kroatët. Krejt këto janë pasoja të relacionit të shqiptarëve të ish Jugosllavisë, përkatësisht të Malit të Zi e Sanxhakut, me shërbimin jugosllav (UDB) dhe ndikimit të kulturës pansllave, që vazhdon të jetë prezente. Patriotizmi jugosllav, që në fakt ishte pansllavizëm, ka lënë gjurmë të thella, e që ende nuk janë zbardhur si duhet për ta kuptuar se çfarë kanë qenë ato veprimtari shoqërore-politike dhe për çfarë kauzash në dëm të tyre u kanë shërbyer.
Në një hapësirë ku ndodhemi të rrethuar me shtete sllave zbardhja e së kaluarës dhe dosjeve të komunizmit, të cilat janë në duart e tyre dhe ruhen dhe klasifikohen e falsifikohen nga vetë ata, është vështirë të bëhet edhe për një kohë të gjatë. Edhe pse çdo hapje e dosjeve, sa do e pakt që të jetë, do të ishte hap shpresëdhënës për zbardhjen e së kaluarës, për të cilën në Sanxhak e Mal të Zi edhe nuk iu pëlqen të merren seriozisht me të kaluarën, sepse ajo tregon diçka tjetër nga ajo që shumica ndjehen. Publikimi i disa të dhënave të një komisioni të themeluar në vitin 2009 nga qeveria e Serbisë për ndriçimin e të vërtetës për varrezat e fshehta të të zhdukurve pas 12 shtatorit të viti 1944, janë të mirëseardhura, edhe pse të pakta.
Në Sanxhak, por edhe në Mal të Zi, komunizmi ka lënë gjurmë të pashlyera. Komunizmi ua ka shlyer shqiptarëve atje mbamendjen, duke u thirrur në ruajtjen dhe kultivimin e bashkëjetesës që proklamohej si “vëllazërim-bashkim”. Shqiptarët në Mal të Zi dhe Sanxhak, për hir të kultivimit të vëllazërim-bashkimit, ishin detyruar t’i harrojnë krimet që u janë bërë nga çetnikët dhe partizanët. Por, edhe nga frika e prezencës së madhe të UDB-ës. Përveç kësaj, pasardhësit e ish nomenklaturës komuniste vazhdojnë të jenë në pozicione vendimmarrëse dhe krijues të politikave aktuale, që përbëjnë problem më vete për të ardhmen e shqiptarëve dhe boshnjakëve të këtyre trevave.
Nuk ka dilemë se shoqëria shqiptare, por edhe popujt fqinjë, kanë nevojë të lirohen sa më parë nga komunizmi. Se cilët mund të jenë hapat drejt një dekomunistizimi më të shpejtë, kjo është vështirë të përcaktohen. Shqiptarët janë të ndarë në shumë shtete. Në Serbi, Mal të Zi e Maqedoninë Veriore shqiptarët konsiderohen se janë të rrezikshëm për ato shtete. Çdo hap në realizimin e të drejtave të tyre konsiderohet armiqësor, madje përdoret edhe termi “shqiptarizim”. Fshirja e adresave të shqiptarëve në Serbi konsiderohet nga serbët se është luftë kundër shqiptarizimit të Serbisë.
Se a do të kishte sukses ndalimi ligjor i kryerjes së detyrave publike (përfaqësues parlamentar, gjyqtarë, gazetarë etj.) për anëtarët dhe aktivistët e ish-partisë komuniste, dyshoj shumë se mund të bëhet, sidomos jashtë Shqipërisë e Kosovës, andaj element tjetër që mund të konsiderohet i nevojshëm është detyrimi ligjor për heqjen e emrave dhe simboleve të socializmit nga hapësira publike, siç është dekomunistizimi i emrave të rrugëve dhe shesheve. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Sanxhakut, kjo do të ishte shumë e ngadalshme, nga shkaku se pikërisht në komunizëm maqedonët dhe boshnjakët u faktorizuan në dëm të shqiptarëve.
Shqiptarët, malazezët, boshnjakët, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit, duhet krijuar një strategji, pse jo të përbashkët, për t’i eliminuar pasojat e komunizmit dhe për t’iu kundërvënë pansllavizmit, bartës i të cilit është Serbia.