loader image
December 12, 2024

Diapazon

Dituria është jetë. Nuk ka rëndësi se nga cili drejtim vjen. Urtësia nuk njeh as anë horizonti, as kufij konvencionalë. Ajo është thesar dhe kudo që të gjendet duhet marrë. Dituria nuk vjen e shërbyer në pjatë të florinjtë, por duhet mund dhe sakrificë. Pena e saj është durimi dhe vullneti.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Përpara njeriut shtrihet koha, që s’mund ta njohë duke ngrirë të tashmen. Po as duke groposur të kaluarën me pretendimin se nuk nevojitet pasi është kohë e përdorur dhe si e tillë nuk ka vlerë. Koha është ura pa kalimin e së cilës njeriu nuk mund të mbërrijë atje për ku është nisur. Do apo nuk do njeriu kjo urë lëviz nën këmbët e tij krejt pandjeshëm derisa të ndalë aty ku duhet të ndalë. Detyrë e njeriut nuk është të gdhendë kolonadat apo harqet mbi të cilat do të qëndrojë ura e kohës. Nëse mendon se kjo është detyrë e tij, po e çon dëm energjinë në sipërmarrje që nuk janë të sferës njerëzore. Të shpenzosh energji në mënyrë të panevojshme dhe të rraskapitësh mendjen në gjetjen e zgjidhjeve me kushtin, po sikur kështu, po sikur ashtu, nuk është aspak mençuri dhe për më tepër urtësi.

Një nga shenjat më domethënëse të kësaj mungese mençurie e urtësie në ditët e sotme është indiferenca ndaj vlerës së ekzistencës. Çdo ditë zgjerohet aradha e individëve që besojnë se trinomi durim – punë – këmbëngulje është gjëja më e pavlefshme dhe më e mërzitshmja që mund t’u ketë ndodhur në jetë. Sugjestionimi nga mitet e rrjeteve sociale apo mediatike ushqehet çdo ditë me energji të freskët mendore, e cila është në fazën kur duhet të marrë vlerën që i bën nder dinjitetit njerëzor. Dëmi është i konsiderueshëm. Kalimi i kohës vetëm në aktivitete që vrasin kohën duket kënaqësia më e madhe e jetës, edhe pse thellë – thellë e kuptojnë se kjo mënyrë të vepruari është absurde, por iu duket zgjedhja më e lehtë absurdi sesa vlera e ekzistencës.

Ekzistenca merr vlerë në sajë të diturisë, përndryshe pakuptimësia e saj bëhet boshti qendror i jetës. Jetojmë në ekonominë e konsumit, por kjo nuk do të thotë që njeriu është vetëm konsumator dhe që të rritë nivelin e konsumit duhet të rritë me patjetër sasinë e parave në zotërim. Njeriu është esencialisht më shumë sesa përmasa lëndore. Kjo është deviza që duhet rikujtuar shpesh e më shpesh, pasi leqet konsumeriste janë të shumta dhe qëndrojnë gati në pusi. Mjafton një çast pavetëdije dhe mund të mbërthehesh nga fije të padukshme, që përcaktojnë ritmin e jetës krejt të kundërt nga sa kërkon sfera shpirtërore e njeriut.

Ruajtësi dhe mbrojtësi i njeriut është dituria. Ajo është pishtari që ndriçon dhe mban ndezur njerëzoren tek njeriu. Pa këtë zjarr që djeg ligësinë dhe mbjell farën e përshpirtshmërisë është e pamundur ringritja e njeriut si qenie. Nëse ky zjarr shuhet në akullsinë e pavetëdijes, qenia e tij është në rrezik, ekzistenca e tij është në zgrip. Shndërrimi në krijesë ndryshe bëhet fakt dhe më pas ka vetëm nënshtrim ndaj fuqisë së stomakut.

Dituria është jetë. Nuk ka rëndësi se nga cili drejtim vjen. Urtësia nuk njeh as anë horizonti, as kufij konvencionalë. Ajo është thesar dhe kudo që të gjendet duhet marrë. Dituria nuk vjen e shërbyer në pjatë të florinjtë, por duhet mund dhe sakrificë. Pena e saj është durimi dhe vullneti. Boja e saj është gjaku i shpirtit. Ngritja dhe vlera e njeriut marrin kuptim vetëm përmes saj. Vlera e të diturit qëndron mbi çdo vlerë tjetër, edhe pse sot paraja është kthyer në përmasën e vetme përmes së cilës vlerësohet apo zhvlerësohet njeriu. Sado ndikim të ketë paraja dhe zotëruesit e saj në jetën publike, është thjesht i përkohshëm. Mund të zhvlerësohet në çdo moment, por dhe në qoftë se zgjat merr fund me vdekjen e zotëruesit. Ndërkaq dituria vazhdon të ketë ndikim edhe kur i dituri nuk është më në këtë botë. Ai vazhdon të prekë zemra dhe të frymëzojë me qindra dhe mijëra lexues apo dëgjues. Njeriu nuk duhet të ketë për qëllim se sa do të jetë rrezja e ndikimit të tij në shoqëri. Shqetësimi i të diturit është si të jetojë me diturinë që ka dhe si do ta përcjellë këtë mënyrë të jetuari në mënyrën më të mirë, që vlera e diturisë të shfaqet në sytë e të magjepsurve pas parasë me gjithë madhështinë e saj të fshehur poshtë petkut të thjeshtësisë dhe dashamirësisë ndaj njerëzve në tërësi, dhe jo vetëm ndaj atyre që zotërojnë pasuri.

A mund të jetë kjo sjellje e asaj kategorie që diapazonin e ka në gradët më të ulëta të këndvështrimit? Kategoria me diapazon të ngushtë është jashtëzakonisht egocentrike. Njeriu i kësaj kategorie beson verbërisht se mendimi i tij është i padytë dhe i pakundshoq. Aq i bindur është në verbërinë e tij, saqë nuk mund të ofrojë asnjë argument logjik që të mbrojë këndin e ngushtë të vështrimit. Sa më me diapazon të ngushtë, aq më vështirë për të reflektuar mbi rrezikun që i kanoset ekzistencës prej këtij lloj diapazoni.

Sa më i gjerë këndi i vështrimit, aq më i kthjellët mbi realitetin e ekzistencës. Gjerësia dhe thellësia e shikimit vjen vetëm pasi je ngjitur me sakrificë në sferat e larta të botës shpirtërore. Kjo nuk ndodh pa u thelluar në dituri me sinqeritet dhe dashuri. A mund të ketë rrugë tjetër për të sfiduar ekspozimin ndaj fuqisë së parasë dhe gradëve të ulëta të këndvështrimit?

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X