loader image
October 14, 2024

Dëmtimi i kauzës kombëtare nga politikanë egoistë

Në rrethana të ndryshme, dy figurat dominuese të politikës shqiptare në tre dekadat e fundit, e zbulojnë thelbin e tiparit të politikës së tyre: egocentrizmin. Politikanë të tillë, të interesuar veç për pushtetin personal, nuk kanë skrupuj etikë. Për ata gjithçka është e negociueshme, përveç pushtetit personal

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Kur Kosova shpalli pavarësinë dhe nisi ndërtimin e institucioneve demokratike, Shqipëria mori drejtim të kundërt. Gjithçka nisi me ndryshimet kushtetuese më 21 prill 2008, që konsistuan në:
Ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit.
Ndryshimin e mënyrës së shkarkimit të kryeministrit.
Kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Pasojat e këtyre ndryshimeve ishin këto:
Me ndryshimin e sistemit zgjedhor, vota e zgjedhësve e humbi fuqinë; politikanët e humbën kontaktin me zgjedhësin në një zonë elektorale të caktuar përpara së cilës kishin detyrime dhe, në çdo cikël zgjedhor, jepnin llogari.
Me ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, presidenti u dobësua; mundësia e kompromisit politik për të zgjedhur një figurë të pranuar gjerësisht u zhduk; tashmë, kryeministri, i cili gjithmonë zotëron shumicën minimale (50 + 1%), mund ta zgjidhte presidentin sipas oreksit.
Me ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së kryeministrit, kryeministri u bë i pa shkarkueshëm nga detyra; tashmë nuk mjaftonte një e pesta e deputetëve të kërkonte mandatin e mosbesimit, por ata duhet të kishin gjetur dhe një kandidaturë zëvendësuese për kryeministër.
Me kufizimin e mandatit të prokurorit të përgjithshëm, pozicioni i tij u dobësua, e ardhmja e tij u zhyt në pasiguri.
Për zbatimin në praktikë të sistemit të ri zgjedhor ishte e nevojshme të bëheshin ndërhyrje të tjera ligjore, duke e përcjellë zinxhir të dëmin. Kjo imponoi ndërhyrje në kodin zgjedhor, e cila çoi në dobësimin e rolit të pushtetit legjislativ, sepse e dobësoi autoritetin e deputetit.
Me kodin e ri zgjedhor, deputetët regjistroheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me anë të listave rajonale. Kjo procedurë u dha fuqi absolute kryetarëve të partive mbi kandidatët për deputetë, sepse tashmë ata nuk punojnë për të fituar miratimin e elektoratit, por miratimin e kryetarit. Nëse kryetari i vendos në listë, në vendet e para të listës, kandidatët e partive të mëdha, ato që konkurrojnë realisht për pushtet, e kanë të garantuar zgjedhjen deputet. Pasi zgjidhen deputetë, përgjegjësia e deputetit nuk është detyrim karshi elektoratit, por ndaj kryetarit të partisë, jo vetëm për faktin që ai e futi në listë, por edhe pse miratimi i kryetarit të partisë është i rëndësishëm për zgjedhjet pasuese, pas katër vitesh.
Ndryshimet kushtetuese nuk ishin të rastësishme. Personat përgjegjës për konsensusin e arritur, gjë që nuk ndodh shpesh në politikën shqiptare, ishin dy: njëri kryeministër në detyrë dhe tjetri aspirant për kryeministër (kryetari i opozitës atëkohë).
Dy politikanë që kishin qëndruar në skenë për më shumë se dy dekada, me kthimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritar me korrektim në proporcional rajonal, me një lëvizje realizuan dy gjëra: një, i vendosën partitë nën kontroll të rreptë; dy, u shmangën nga përgjegjësia e llogaridhënies, sepse u distancuan nga elektorati.
Kryeministër në detyrë, më 2008, kur u bënë ndryshimet kushtetuese, ishte Sali Berisha. Ai i fitoi zgjedhjet një vit më vonë, humbi më 2013, por kurrë nuk u largua nga politika. Ai instaloi në krye të partisë së tij një person, i cili dihet se nuk do të kishte fituar kurrë pa mbështetjen e tij.
Megjithatë, më 2021 gjërat ndryshuan me ndërhyrjen e SHBA-së. Në 25 prill, PD-ja i humbi zgjedhjet për herë të tretë rresht. Më 19 maj, SHBA-ja e shpalli Sali Berishën person non grata, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes. Më 13 qershor, PD-ja bëri zgjedhje dhe i preferuari i Berishës, Lulzim Basha, u rizgjodh kryetar, me mbështetjen e Berishës. Më 9 shtator, Basha u distancua publikisht nga Berisha.
Berisha, nga ana e tij, në vend që të tërhiqej, u hodh në sulm. Prej 9 shtatorit 2021 u mundua ta merrte drejtimin e partisë, por nuk ia doli. Për qëllime krejt personale, me nisma krejt destruktive, Berisha e ka zhytur opozitën shqiptare në krizë dhe, praktikisht, prej lëvizjes së tij fiton vetëm ai që është në pushtet, ish-kundërshtari i tij. Ai vazhdon të shfaqet në publik me simbolet e PD-së dhe e deklaron veten kryetar të saj, megjithëse juridikisht nuk e njeh asnjë institucion si të tillë.
Politikani tjetër që dha pëlqimin për ndryshimet kushtetuese ishte Edi Rama, ish-kryetari opozitës asokohe dhe aktualisht kryeministër i Shqipërisë. Më 2008, atij i interesonin ndryshimet kushtetuese, sepse ia lehtësuan kompletimin e kontrollit të partisë, ndërsa më vonë, pasi mori pushtet, i shfrytëzoi privilegjet e ndryshimeve kushtetuese. Pas 10 vitesh në pushtet, nga anëtarët e kabinetit të zgjedhur prej tij, gjenden në burg dy ministra, një i tretë është drejt rrugës për në burg, është arrestuar një deputet i partisë së tij, janë arrestuar një numër zyrtarësh të tjerë, ndërsa vetë kryeministri nuk ka marrë asnjë përgjegjësi morale për faktin që një numër jo i vogël zyrtarësh të zgjedhur prej tij kanë abuzuar me pushtetin. Ai është munduar t’i mbrojë ata, me argumentin e imunitetit të deputetit, por kur e ka parë të pamundur t’i mbronte më tej, i ka braktisur. Pas çdo arrestimi, kur e pyesin gazetarët pse nuk jep dorëheqje, ai përgjigjet se “përgjegjësia është individuale”. Kjo është e vërtetë për përgjegjësinë ligjore, por jo për atë morale. Një njeri etikisht i përgjegjshëm do të ndjente përgjegjësi që disa nga personat e emëruar prej tij kanë abuzuar me pushtetin që ai ua ka mundësuar.
Në rrethana të ndryshme, dy figurat dominuese të politikës shqiptare në tre dekadat e fundit e zbulojnë thelbin e tiparit të politikës së tyre: egocentrizmin. Politikanë të tillë, të interesuar veç për pushtetin personal, nuk kanë skrupuj etikë. Për ata gjithçka është e negociueshme, përveç pushtetit personal.
Kjo i shpjegon qartë disa lëvizje joracionale për njerëzit normalë. Për shembull, për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 14 maj 2023 Sali Berisha mbështet Fredi Bejlerin për kryetar bashkie në Himarë, një person i dyshuar për bashkëpunim me organizata terroriste greke në dëm të Shqipërisë, kur vetë Berisha ka qenë president (1994). Ai është akuzuar se ka bashkëpunuar me një bandë terroriste që sulmoi një post kufitare në Peshkëpi të Gjirokastrës, ku humbën jetën dy ushtarakë shqiptarë. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka vendosur prej vitesh marrëdhënie më të mira me presidentin serb sesa me atë të Kosovës, dhe iu është bashkuar iniciativave serbe, të cilat e dëmtojnë Kosovën (siç është iniciativa për Ballkanin e Hapur).
Njerëz të tillë, si gjithë egoistët, funksionojnë me parime të ndryshme nga shumica e shoqërisë. Për ata gjithçka është e negociueshme. Pushteti personal i tyre bën përjashtim nga ky rregull. Prandaj, distancimi nga politikanë të tillë, largimi i tyre nga skena, do të ishte shërbimi më i mirë për çështjen kombëtare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X