Kundërshtia e elitës maqedonase ndaj një kërkese të shqiptarëve vendorë, përderisa ata të gatshëm që sërish t’ia plotësojnë kërkesat një shteti të huaj, i vendos deputetët shqiptarë në pozitë të vështirë, pa asnjë kundërpërgjigje, që nuk vjen pa pasoja edhe ndaj vetë shqiptarëve.
Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup
Amendamentimi i sërishëm i kushtetutës po përflitet si gjë e sigurt, edhe pse ky është një proces me shumë të panjohura. Kryesorja është çështja e shumicës së nevojshme prej 80 deputetëve. Ndoshta politikanët e pushtetit (koalicioni i të cilëve përbën shumicë absolute e jo të kualifikuar me 80 deputetë) dinë diçka që ne nuk e dimë, prandaj dhe flasin me aq vetëbesim, por nga ajo që politikanët e partive opozitare e flasin publikisht, ndryshimi i kushtetutës është larg nga të qenit gjë e sigurt. Ndërkaq pa pajtimin e një pjese të madhe të opozitës nuk mund të arrihet shumica e 2/3 në Kuvend.
Megjithatë, këtu nuk guxojmë ta harrojmë faktin që edhe vetë pushteti është larg nga të qenit unik, por është i përbërë nga disa pjesë që i bashkojnë nyje të dobëta. Këtu është fjala mbi të gjitha te fakti që, si koalicion paszgjedhor, pushteti përbëhet nga LSDM, BDI, ASH, dhe PDSH. Ndërkaq, dy partitë më të mëdha maqedonase e kanë shprehi që në koalicion parazgjedhor të grumbullojnë rreth vetes një mori partish të vogla. Sikur këto parti të garonin të vetme, nuk do të fitonin asgjë, por duke kandiduar në lista të përbashkëta me VMRO-DPMNE-në ose LSDM-në, arrijnë ta fitojnë ndonjë pozitë deputeti. Me gjasë, pikërisht këtu e mban shpresa pushtetin se do të sigurohet shumica e nevojshme për ndryshimet kushtetuese: duke e bindur të votojë “për” ndonjë deputet jo-DPMNE te koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Por, kjo është thikë me dy tehe, sepse ekziston rreziku edhe për të kundërtën: që ndonjë deputet i ndonjë partie të vogël maqedonase, që ka fituar pozitë deputeti duke qenë në koalicion parazgjedhor me LSDM-në, nga dëshira për t’u treguar më patriot, mund të dalë kundër amendamentimit të kushtetutës dhe kështu të sabotohet i gjithë procesi! Nga kjo dëshirë për t’u treguar më patriot ose më i mençur erdhi edhe propozimi provokativ i VMRO-DPMNE-së, që nëse duhet ta ndryshojmë preambulën, atëherë hajde ta përvetësojmë “modelin kroat” të preambulës, ku si popull konstituiv përmenden vetëm kroatët, ndërsa të tjerët renditen si pakica.
Ky apasionim për protagonizëm se kush do të jetë më patriot apo kush do të japë ndonjë propozim më të mençur, bëri që të harrohet se ç’ishte ajo që e nxiti procedurën për hapje të kushtetutës në radhë të parë – kërkesa e Sofjes zyrtare për futjen e bullgarëve në preambulën e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, kjo duke u bazuar në formulën aktuale ku përmendet populli maqedonas dhe “pjesët e popujve”, pas çka renditen populli shqiptar, populli turk, populli vlleh, serb, rom, boshnjak dhe, pas ndryshimit të kushtetutës, kësaj liste do t’i shtohej edhe populli bullgar.
Para se të bëhet futja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut kërkesë zyrtare e Sofjes ndaj Shkupit, qarqet bullgare kishin polemika se a është e udhës kjo kërkesë. Ky debat erdhi nga mosnjohja e saktë e kontekstit të Maqedonisë së Veriut, duke menduar se kjo nënkupton njohjen e bullgarëve si minoritet (dhe për bullgarët kjo do të përbënte fyerje). Ndërkaq, realiteti është se në kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë së Veriut nuk njihen minoritete, por në preambulën e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut figuron formulimi unik, ku përmendet populli maqedonas dhe “pjesët e popujve” gjegjës që jetojnë në territorin e shtetit: shqiptarët, turqit, vllahët, serbët, romët, boshnjakët dhe të tjerët.
Pikërisht në bazë të këtij formulimi mbështetet kërkesa e Sofjes zyrtare për futjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si kusht për tërheqjen e vetos bullgare në procesin eurointegrues. Kjo është arsyeja e parë përse është aq budallallëk propozimi i VMRO-DPMNE-së për përvetësimin e “modelit kroat” të preambulës, sepse me “modelin kroat” nuk hiqet vetoja bullgare!
Ndërkaq, arsyeja e dytë, por kryesore, se përse ky propozim është i papranueshëm, është shtirja si budalla me pretendimin që modeli i një shteti homogjen si Kroacia, ku mbi 90 për qind e popullsisë i takojnë vetëm njëri grup etnik, të zbatohet në një Maqedoni të Veriut, ku komuniteti shumicë është mezi mbi 50 për qind dhe në këtë shtet jeton një komunitet i shqiptarëve që përbën gati se 30 për qind të popullsisë, me shifrat zyrtare që tregojnë koeficient prej vetëm 1.83x të maqedonasve në raport me shqiptarët, ndërsa shqiptarët të vetëm janë 3x më shumë se gjithë të tjerët së bashku! Ndërkaq, nëse i llogarisim veç e veç, shqiptarët janë 7.4 herë më shumë se komuniteti i tretë për nga numri: turqit. Më tej, shqiptarët janë 12.6x më shumë se romët, 26 herë më shumë se serbët, 34 herë më shumë se boshnjakët dhe plot 67 herë më shumë se vllahët!
Kjo statistikë e shpërfaqë josinqeritetin e politikanëve maqedonas me propozime si modeli kroat, me shtirjen si të brengosur “po, ama nëse ua japim shqiptarëve këtë të drejtë, kjo do t’i diskriminonte turqit, romët,…” (thua ti se avancimi i statusit dhe të drejtave të 30 për qind shqiptarëve do t’u pakësonte diçka të tjerëve, që të gjithë së bashku nuk janë as 10 për qind!), dhe nëpër fjalime përsëritjen si papagall: “shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbët, vllahët”.
Llogaritë e shqiptarëve
Procesi i hapjes së kushtetutës, për hir të Bullgarisë fqinje, çoi te rihapja e kërkesës së kamotshme të shqiptarëve për rregullimin e denjë të statusit të gjuhës shqipe. Aktualisht, në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut figuron vetëm një gjuhë zyrtare, maqedonishtja, ndërsa në nivel lokal lejohet përdorimi zyrtar edhe i ndonjë gjuhe që flitet nga minimum 20 për qind e popullsisë së asaj njësie të vetëqeverisjes lokale. Kjo është zgjidhje e zakonshme në shumë shtete, por duke përbërë më shumë se çerekun e popullsisë së shtetit, shqiptarët me të drejtë kërkojnë status më të avancuar të gjuhës së tyre – barazi të plotë me maqedonishten. Detajet e përdorimit të gjuhëve zyrtare duhet të rregullohen me ligj, por para se të arrijë puna aty, nevojitet që statusi i gjuhëve të vendoset në kushtetutë. Sa i përket gjuhës shqipe, nevojitet zëvendësimi i përqindjes, që rëndom përdoret për nivelin lokal, me emërtimin e duhur si “gjuha shqipe” dhe të vendoset si duhet, e jo ndonjë formulim i tipit “përskaj maqedonishtes gjuhë zyrtare është edhe shqipja” ose gjuha maqedonase të përmendet në një nen, ndërsa shqipja në një nen më poshtë, duke e shkruar “gjuha shqipe është po ashtu gjuhë zyrtare”.
Statusi i gjuhës shqipe është zgjidhja më gjysmake e Marrëveshjes së Ohrit dhe nyja kryesore e mosmarrëveshjeve në mes palëve. Përndryshe, pas amendamentimeve të Kushtetutës në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk ka mbetur më asgjë ku njëri grup etnik që jeton në territorin e shtetit ka pozitë më të lartë se të tjerët. I vetmi grup i “privilegjuar” janë maqedonasit në shtetet fqinje, në nenin 49 ku shkruan se Republika duhet të kujdeset për ta, ndërsa te po i njëjti nen përmendet edhe detyrimi i shtetit për mbajtje të lidhjeve me diasporën, por këtu nuk bëhet dallim etnik.
Në botë ka shtete në kushtetutat e të cilave përshkruhen simbolet shtetërore, madje edhe simbolika e ngjyrave të flamurit, por diçka e tillë nuk përmendet në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Është e vërtetë se aty shkruan që republika ka flamur, himn dhe stemë të veten, por monoetniciteti i këtyre simboleve nuk është i përmendur në kushtetutë. Kështu që, maqedonishtja, si gjuhë e vetme zyrtare, është gjëja e fundit e mbetur në kushtetutë ku populli maqedonas ose, më saktë, një tipar i maqedonasve ka status të privilegjuar.
Pa dyshim se edhe pas gjithë atyre amendamenteve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, kushtetuta aktuale ka edhe shumë mangësi të tjera, përpos mosnjohjes së gjuhës shqipe. Sado që ta meremetosh, nuk mund të ndreqësh tërësisht një gjë e cila prej nga fillimi është nisur mbrapshtë, ndërsa dihet se me çfarë mbrapshtie të ligë më nëntor 1991 u formulua dhe u miratua kushtetuta e Maqedonisë. Për këtë arsye, këtij shteti i nevojitet një “reset” ose “riformatim” i plotë (për t’u shprehur me terminologjinë e sotme të IT-së), me sistem operativ të ri dhe të denjë për kohën moderne në të cilën jetojmë. Një rregullim shtetëror i rimenduar nga fillimi dhe me kushtetutë të re do të ishte zgjidhja e duhur afatgjate, por aktualisht ekziston drojë te faktori politik shqiptar që ta hapë këtë temë, ngase faktori politik maqedonas gjithsesi që do të ishte kundër, ndërsa që të ketë shanse për realizim, nevojitet të fillohet me lobim të durueshëm te faktori ndërkombëtar. Në fakt, edhe heqja e 20-përqindëshit famëkeq dhe vendosja e barazisë gjuhësore në kushtetutën aktuale është shumë e pasigurt që do ndodhë. Ashtu si gjithmonë, edhe tani qarqet maqedonase janë të gatshme t’ia plotësojnë dëshirën një shteti fqinj si Bullgaria, por assesi nuk pranojnë të ndryshohet kushtetuta për t’u plotësuar ndonjë kërkesë e 30 për qind qytetarëve të këtij shteti! Nëse e majta dhe e djathta maqedonase, nëse liberalët dhe konservatorët maqedonas kanë qëndrime të ndryshme për shumëçka, ashtu si gjithmonë, edhe tani ata i bashkon kundërshtimi i kërkesave racionale të shqiptarëve.
Një përjashtim befasues nga kjo njëmendësi antishqiptare doli të jetë presidenti Stevo Pendarovski. “Unë e kam thënë disa herë këtë, të paktën dy apo tre vitet e kaluara e kam thënë, në mënyrë absolute nuk më pengon, do të përkrahja një gjë të tillë, është e natyrshme, sepse një identitet etnik që është i qartë dhe faktik nuk mund ta fshehim pas numrave”. Por, ai është vetëm një përjashtim nga qindra eksponentë politikë, mediatikë dhe joqeveritarë maqedonas, që mendojnë se “tani nuk është momenti për këtë” ose që gjuha shqipe nuk duhet të figurojë në kushtetutë asnjëherë.
Pozita e vështirë e deputetëve shqiptarë
Ndoshta deri kur të vijë puna te ndryshimi i preambulës ndodh ndonjë mrekulli dhe te politikanët maqedonas mbizotëron mendja e shëndoshë, që nëse 32 vite e kemi ulur kokën para shteteve fqinje, atëherë së paku njëherë le të merremi vesh me shqiptarët, të cilët jetojnë bashkë me ne në të njëjtin shtet. Por, praktika e ka dëshmuar që ndaj shqiptarëve ata nuk mendojnë në mënyrë racionale.
Kundërshtia e elitës maqedonase ndaj një kërkese të shqiptarëve vendorë, përderisa ata janë të gatshëm që sërish t’ia plotësojnë kërkesat një shteti të huaj, i vendos deputetët shqiptarë në pozitë të vështirë, pa asnjë kundërpërgjigje, që nuk vjen pa pasoja edhe ndaj vetë shqiptarëve.
Nëse e votojnë ndryshimin e preambulës pa e kushtëzuar me zyrtarizimin dhe barazimin e gjuhës shqipe në kushtetutë, përgjithmonë do ta qajnë si një shans të artë që e kanë lëshuar dhe do të ishin cak i kritikave të ashpra nga publiku shqiptar. Por, nëse për votimin e preambulës këmbëngulin që të bëhet në këmbim të votave të deputetëve joshqiptarë për gjuhën shqipe dhe këta të fundit e refuzojnë këtë këmbim, atëherë deputetët shqiptarë mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar, duke u bërë shkaktarë të pengimit apo zvarritjes së serishme të eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut.
Një mundësi tjetër është që shqiptarët të këmbëngulin në qëndrimin e tyre për gjuhën shqipe, me shpresë se për këtë do të arrijnë ta bindin për mbështetje edhe faktorin ndërkombëtar, duke e pasur parasysh që në BE dhe, në përgjithësi, në Perëndim, ka shtete ku gjuhë e barabartë zyrtare është gjuha e komuniteteve shumë më të vogla se 29.52-përqindëshi i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Por, nuk ka garanci që, fillimisht, do të fitohej mbështetja e faktorit ndërkombëtar dhe që pastaj ata me sukses do t’i bënin presion faktorit politik maqedonas që të pranojnë diçka të natyrshme, për të cilët ekzistojnë precedentë në shumë shtete europiane.
Deputetët shqiptarë nuk mund të zbatojnë as “abstenim konstruktiv” (siç njihet në praktikën e vendimmarrjes në BE), duke votuar të përmbajtur për ndryshimin e preambulës, ashtu që mos ta legjitimojnë ndryshimin e preambulës pa u plotësuar kërkesa e tyre për gjuhën shqipe, por njëkohësisht duke mos penguar që të tjerët ta miratojnë preambulën e re dhe që ka rëndësi të jashtëzakonshme në zhbllokimin e rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, kjo sepse sipas amendamentit XVIII të kushtetutës, për ndryshimin e preambulës nuk mjafton vetëm shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, por edhe shumicë nga deputetët që u takojnë komuniteteve joshumicë. Dhe, kjo s’ka shanse të realizohet pa votat e deputetëve shqiptarë, ngaqë ashtu si në popullsinë e përgjithshme të shtetit, edhe në Kuvend shqiptarët të vetëm janë shumë më shumë se të gjithë të tjerët së bashku.
Deputetët shqiptarë e kanë edhe një mundësi, por që nuk dihet se ku na çon dhe është mjaft e rrezikshme: që ta bëjnë një manovër të ngjashme me atë që delegatët sllovenë e bënë në Kongresin e fundit të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë kur propozimet e delegatëve të Sllovenisë mbivotoheshin nga delegatët e Serbisë dhe të atyre që Serbia i pat futur nën kontroll: RS të Malit të Zi, KSA të Kosovës dhe KSA të Vojvodinës, ashtu që nga ana tjetër kalonin propozimet e Serbisë me shumicë votash nga ata. Kjo zgjati derisa delegacioni slloven, me në krye Millan Kuçanin, e braktisi sallën në mënyrë demonstrative.
Kështu, deputetët shqiptarë të parët të votojnë për miratimin e preambulës së re, pastaj kryeparlamentari Talat Xhaferi ta nxjerrë në votim amendamentin për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, eventualisht edhe propozime të tjera të arsyeshme, si p.sh. buxheti të votohet me shumicë Badinteri, proceset gjyqësore të zhvillohen me panel gjykatësish të etnive të ndryshme, simbolet shtetërore të jenë dyetnike ose etnikisht-neutrale etj. Më pas, kur deputetët joshqiptarë të votojnë kundër propozimeve të logjikshme të kolegëve shqiptarë, fill pasi që votuan diçka për t’ia plotësuar dëshirën një shteti të huaj, atëherë deputetët shqiptarë në mënyrë demonstrative ta braktisin sallën parlamentare! Por, çka pasi të kryhet një manovër e tillë? Shqiptarët t’i braktisin institucionet e Maqedonisë së Veriut pas gjithë atyre përpjekjeve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat? T’i shpallin institucionet e tyre paralele? Në territoret ku ka shqiptarë ta shpallin një shtet alternativ, që popujve të tjerë do t’ua mundësojë atë që të tjerët ua mohojnë shqiptarëve?! S’do shumë filozofi që të zbulohet se sa jorealist është ky skenar.
Nëse elita politika maqedonase edhe në këtë rast mbetet në qëndrimin klasik që t’u plotësohen dëshirat shteteve fqinje, por të kundërshtohet një kërkesë e shqiptarëve vendorë, deputetët shqiptarë nuk kanë në dispozicion asnjë kundërpërgjigje ideale. Si do që të vepronin, do të gabonin, por së paku le të gabojnë së bashku, në vend se të shtiren njëri më patriot se tjetri ose njëri më konstruktiv se tjetri!
Pasi të peshohen të gjitha opsionet, duket se veprimi i vetëm që mund ta bëjnë është që të votojnë pro ndryshimit të preambulës për t’iu plotësuar kërkesa Bullgarisë dhe shqiptarët mos të bëhen shkak i vazhdimit të bllokimit të rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, por partitë shqiptare gjithashtu ta dërgojnë një deklaratë të përbashkët te ambasadat relevante ku shprehin pakënaqësi që kushedi për të satën herë Maqedonia e Veriut po zbaton diçka për hir të shteteve fqinje, por çon inat ndaj një kërkese të arsyeshme të shqiptarëve vendas, kjo e shoqëruar me shembuj nga shtetet e përparuara perëndimore, ku zyrtare është gjuha që flitet në përqindje shumë më të vogël se 29.52-përqindëshi i shqiptarëve në RMV.
Është e vërtetë se nuk do të kishte kurrfarë dobie praktike nga një deklaratë e tillë, ashtu si p.sh. nuk fituam asgjë as nga Deklarata e Tiranës, por me rëndësi është që në arkiva të mbetet i shënuar konstruktiviteti i faktorit politik shqiptar në rrugën proeuropiane dhe properëndimore, aq sa hoqën dorë nga një kërkesë legjitime e shqiptarëve dhe e lejuan një sjellje joparimore të faktorit politik maqedonas. Pastaj të ardhmes nuk i dihet. Asnjëherë nuk duhet ta nënvlerësojmë peshën e dokumenteve të nënshkruara. Ndoshta një ditë te kryeqytetet që vendosin për fatin e të tjerëve vijnë në pushtet njerëz që janë edhe të arsyeshëm edhe të drejtë, që do ishin të vetëdijshëm për padrejtësitë që janë bërë ndaj shqiptarëve dhe do të dinin t’i çmonin sakrificat që i kanë bërë shqiptarët dhe, si shpagim për këtë, për shqiptarët do të vendosnin diçka edhe më shumë se vetëm mbështetja për zyrtarizimin e gjuhës së tyre në kuadër të një shteti si Maqedonia e Veriut.