loader image
December 12, 2024

Arsyet e një drame shqiptare

U premtua 11 vjet më parë përmbysja e sistemit arsimor me arsyen se ishte i vjetruar, por rezultatet e PISA-s tregojnë se përmbysja ka ndodhur, por me efektin e kundërt. Shqipëria ndodhet në vend të parafundit në renditje në rajon për cilësinë në arsim. Cilat janë shkaqet e kësaj situate dhe çfarë duhet bërë? Një panoramë e gjendjes në universitete dhe shkolla, por edhe si mund të dilet nga ajo që quhet drama më e madhe që ka prekur kombin?

Roland QAFOKU, Tiranë

Rënia e nivelit në lëndën e matematikës me 30 pikë, rënia po me 30 pikë në lexim, rënia në aftësinë e mësimit të lëndëve shkencore me 20 pikë, braktisja e lartë e orëve të mësimit, mospërqendrimi në orën e mësimit për shkak të zhurmës që bëhet në klasë dhe bullizimi i kthyer në fenomen ndaj nxënësve të viteve të para të gjimnazit janë rezultatet e raportit ndërkombëtar të PISA-s për Shqipërinë. Ato janë të atij niveli, saqë mund ta quajmë me bindje se e gjithë kjo është një dramë kombëtare. Konkluzionet e këtij studimi, nga më seriozët në botë, e rendisin Shqipërinë në vendin e parafundit në rajonin e Ballkanit duke lënë pas vetëm Kosovën, shtetin e dytë me shqiptarë në rajon. Rregulli i një shoqërie është se si do të jetë rinia sot, do të jetë atdheu nesër dhe situata aktuale e bënë shumë të zymtë të ardhmen e vendit. Janë një varg pyetjesh që bëhen pas rezultateve skandaloze të dala nga ky studim: Përse arsimi shqiptar arriti deri në këtë pikë?; Përse arsimi shqiptar njeh vetëm ulje përsa i përket cilësisë në mësimnxënie? Cilat janë arsyet që arsimi shqiptar ka prekur fundin?

Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2023, një nga sfidat që proklamoi për votuesit, por edhe për gjithë shoqërinë, ishte jo vetëm rritja e cilësisë në arsim, por përmbysja e një sistemi që sipas saj lëngonte dhe ndriçimi dhe çuarja e tij në një stad dhe nivel që kurrë nuk ishte arritur në histori. Në fakt, me rezultatet e dala nga studimi i PISA, realisht përmbysja ka ndodhur, por në aspektin negativ. Tashmë jemi përballë një fakti kaq të rëndë, sepse është prekur thelbi i arsimit dhe, aktualisht, askush nuk e di se si mund të arrihet ndonjë ndryshim. Me pak fjalë, në të ardhmen duhet kryer përmbysja e përmbysjes së përmbysjes. Le t’i marrim me radhë aktorët që çuan në këtë gjendje!

Së pari, buxheti për arsimin përherë ka lënë për të dëshiruar. Edhe pse reklamohet rritje të shifrave, ato janë kryesisht në infrastrukturë. Sigurisht ky është një element i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm. Për ta kuptuar situatën e parave në arsim, mjafton të japim një shifër. Është përkeqësues fakti se shpenzimet për arsim kanë ardhur në ulje. Kështu, ndërsa pothuajse ka qenë në shifrën 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në vitin 2022 kjo shifër shkoi në 2.9. Prandaj, në të ardhmen, ajo që duhet bërë është rritja e buxhetit të mbështetur mbi arsyen e fortë të këtij raporti të PISA-s. Shpërndarja e shpenzimeve duhet të bëhet në vartësi të defekteve të shfaqura në këtë studim, në mënyrë që të përmirësohen.

Së dyti, ikja e rinisë është elementi edhe më kryesor se i pari. Përveç largimeve masive të të rinjve, por edhe të fëmijëve, ata vijojnë studimet e tyre në vendet ku emigrojnë bashkë me prindërit, kryesisht në Perëndim të Europës ose në SHBA dhe Kanada. Kjo shkëput një numër të konsiderueshëm nga armata e nxënësve dhe studentëve. Ndërkaq, janë 30 mijë të rinj që studiojnë në universitetet e botës. Sigurisht, ata që studiojnë jashtë janë nxënësit dhe studentët ekselentë dhe më cilësorë dhe në Shqipëri gjithnjë e më shumë po studiojnë nxënës dhe studentë gjithnjë e më pak cilësorë. Kjo do të thotë se rinia shqiptare i ka braktisur universitetet e Shqipërisë, rrjedhimisht mungesa e prurjeve cilësore sjell një nivel më të ulët në universitetet shqiptare. Ajo që duhet bërë është nxitja që të rinjtë të mos largohen. Për këtë duhen politika të tilla që një student të mësojë e ta quajë si normale studimin në një vend të BE.

Së treti, universitetet kanë rënie të ndjeshme të nivelit të tyre. Si universitetet shtetërore, ashtu edhe ato private, u janë nënshtruar shpesh vlerësimeve dhe në shumë raste mungesa e akreditimeve tregon nivel të ulët. Madje, mund të themi se për disa universitete nuk ka arsye përse ekzistojnë. Për rrjedhojë, një nxënës që del me rezultate të larta në shkollën e mesme, gjithnjë e me pak mendon të vijojë studimet në universitetet e Shqipërisë. Impenjimi dhe investimi duke përdorur të gjitha metodat, që nga investimi në kushte, laboratorë dhe në mësimdhënie, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, për ta rritur atë cilësisht duke e ranguar sa më lart në renditje, do të ishte zgjidhja më e mirë dhe më e shpejtë. Shqipëria do të kishte kështu një universitet cilësor dhe kjo do të kishte efekte të menjëhershme pozitive.

Së katërti, stafet pedagogjike në universitet lënë shumë për të dëshiruar. Rekrutimi i tyre nuk bëhet mbi bazën e aftësive personale dhe garës, por gjithnjë me metodat e vjetra të mykura të tarafeve dhe interesave. Madje, në shumë raste nepotizmi është shumë më i dukshëm. Arsimi shqiptar mund të jetë vendi i vetëm në botë ku pozicioni i pedagogut trashëgohet nga babai dhe nëna, te djali dhe vajza, por edhe me lidhje të tjera familjare. Rastet janë të shumta. Ajo që duhet bërë është reformë e thellë për rekrutimin e stafeve cilësorë pedagogjike për të arritur një nivel të kënaqshëm cilësor.

Së pesti, dështimi me kurrikulat e reja. Rendja pas teksteve angleze “copy paste”, jo vetëm që nuk solli atë që pritej, por ka sjellë në disa raste edhe efektin e kundërt. Prandaj, ajo që duhet bërë është ndryshimi urgjent i kurrikulave mbi bazën e alternimeve me ato që janë ekzistuese dhe kanë krijuar një përvojë në arsimin shqiptar, të ndërthurur me ato europiane.

Së gjashti, paga e mësuesve dhe pedagogëve është një arsye e rëndësishme që ndikon drejtëpërdrejtë në nivelin arsimor. Rritja e pagave për 30 mijë mësues është vetëm një vendim i vonuar. Në këto 10 vjet, pagat e ulëta kanë bërë që një pjesë e madhe e mësuesve të demotivohen dhe sigurisht kjo ka sjellë ulje të cilësisë në arsim. Ajo që duhet bërë urgjent është rritja e pagave të mësuesve në atë nivel, sa të mos ketë dallime të mëdha me mësuesit në vendet anëtare të BE-së.

Së shtati, kërkimi shkencor në universitete është pothuajse i papërfillshëm. Në buxhetin e vitit 2024 është parashikuar 1 miliard e 586 milionë lekë të dedikuara për programet e kërkimit shkencor. Kjo është një shifër e papërfillshme për universitetet tona. Po si mund të kesh cilësi në universitet, kur nuk ka kërkim shkencor? Prandaj, ajo që duhet bërë është rritja e buxhetit për kërkime shkencore jo sa për të thënë, por përmes një strategjie që duhet ta hartojnë vetë universitetet, duke i kthyer jo vetëm në një institucion në të cilin shkohet në shkollë, por në të njëjtën kohë ku bëhet edhe shkencë. Kjo do ta rrisë cilësisht edhe një student, edhe një pedagog, por edhe diploma e marrë në këtë universitet që bën kërkim shkencor do të ketë vlerë më të madhe.

Së teti, mungesa e një kontrolli cilësor në shkolla dhe universitete është një element shumë i rëndësishëm për cilësinë në arsim. Stafet e kontrolleve nga ministria në shumë raste janë jo vetëm pa përvojën e duhur, por niveli i tyre është shumë më poshtë stafeve pedagogjike që ata kontrollojnë. Për këtë qëllim, ministria duhet të krijojë strategji të posaçme në këtë drejtim, duke e vlerësuar me rigorozitet kontrollin e veprimtarisë së një shkolle ose të një universiteti shtetëror apo privat. Një element i rëndësishëm në këto kontrolle duhet të jetë edhe mbarëvajtja në shkollë, duke e cilësuar një vend ku fëmijët dhe të rinjtë jo vetëm ku mësohen, por edhe edukohen. Kjo do të sjellë sa më pak defekte në problemet sociale, veçanërisht bullizimi mes të rinjve. Mbi bazën e raporteve që hartojnë këto grupe kontrolli, Ministria e Arsimit arrin ta kuptojë situatën dhe gjendjen në arsim, por edhe çfarë duhet të përmirësojë në të ardhmen.

Së nënti, rendja e një mase studentësh në lëndët me karakter social, pra të lehta, dhe largimi nga lëndët shkencore, ka bërë që të bjerë ndjeshëm formimi gjeneral. Vetëm në Fakultetin e Shkencave të Natyrës janë disa degë që janë mbyllur dhe shumë të tjera janë në mbyllje. Dega e matematikës dhe fizikës janë pothuajse të papreferuara për maturantët. Rrjedhimisht, një rini që nuk njeh matematikën dhe fizikën, kurrë nuk mund të jetë një rini e formuar mirë. Qeveria duhet ta shpallë emergjencë kombëtare arsimimin dhe mësimin e lëndëve shkencore. Duhet të subvencionohen degët në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në mënyrë që jo vetëm të mos mbyllen degët e matematikës dhe fizikës, por të krijohen kushtet dhe mundësitë e vijimit të tyre normal, sepse nga diplomimi i tyre do të dalin mësues më cilësorë. Këtu nuk duhet të përjashtohet edhe raporti me librin. Duhet të bëhet e mundur rritja e mundësisë së leximit, duke vënë në dispozicion edhe libra falas, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të kenë akses edhe kur ata nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë libra.

Së dhjeti, rënia e nivelit ekonomik të shoqërisë është një arsye e rënies së cilësisë në arsim. Nuk mund të ketë nivel të mirë arsimor një fëmijë, një nxënës, një student, kur familja vuan nga kushtet ekonomile. Një familje e tillë nuk ka mundësi t’i krijojë kushte arsimore fëmijës, rrjedhimisht ai nuk do të vijojë në një shkollë cilësore dhe nuk mund të arrijë asnjëherë rezultate cilësore. Rritja e nivelit ekonomik në shkallë kombëtare duhet të shikohet si një vlerë më shumë për një arsimim më të mirë të shoqërisë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X