loader image
December 12, 2024

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës – dinamizëm i ri në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar

Dihet se shpallja e njëanshme e pavarësisë dhe krijimi i një shteti nuk parakupton edhe funksionim stabil të atij shteti. Asnjë shtet nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa krijuar lidhje me shtetet e tjera dhe pa u faktorizuar në arenën ndërkombëtare. Kjo bëhet e mundur me anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë e rajonalë, të cilët duhet konsideruar si platforma ku mbrohen interesat shtetërorë.  

Ditar KABASHI, Prizren   

Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës që në muajin maj të vitit 2022. Pas afro dy vjetësh, më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës mbështeti raportin që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill. Në përkrahje të raportit votuan 131 deputetë, kundërshtuan 29, kurse abstenuan 11 deputetë[1]. Tutje, nga ana procedurale, anëtarësimi i Kosovës do të vendoset përfundimisht nga ministrat e Jashtëm të Këshillit të Europës.

Përpjekja për standardizim legjislativ paneuropian

Funksionimi i demokracisë kushtëzohet me ngritjen e një strukture të qëndrueshme  institucionale e ligjore që bazohet në shtetin e së drejtës. Pavarësia, paanshmëria dhe efektiviteti i pushtetit gjyqësor përbën parakusht thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Të gjitha organet shtetërore, në përgjithësi, dhe ato gjyqësore, në veçanti, duhet të sigurojnë që të ketë trajtim të barabartë para ligjit për të gjithë individët dhe që të drejtat dhe liritë e garantuara të zbatohen. Në këtë kontekst, kushtetuta e Kosovës zotohet se ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre[2].

Në kontinentin europian prej dekadash vihet re përpjekja për të përafruar fushën legjislative dhe konceptet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Themelimin e Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës duhet lexuar si akte që synojnë – ndër tjerash – edhe materializmin e kësaj ideje. Sfidat e paraqitura në këtë drejtim kërkojnë veprime efektive për të konsoliduar fushëveprimin legjislativ koherent paneuropian. Mbi këtë bazë, qëllimi i Këshillit të Europës është të sigurojë e të fuqizojë një infrastrukturë legjislative dhe institucionale paneuropiane, e cila duhet të karakterizohet me pavarësi, paanshmëri, transparencë dhe trajtim të barabartë në sundimin e ligjit në të gjitha nivelet shtetërore.

Dobitë e anëtarësimit në Këshillin e Europës

Anëtarësimi në Këshillin e Europës mund t’i sigurojë një vendi një sërë përfitimesh. Fillimisht duhet theksuar se një vlerë e anëtarësimit në Këshillin e Europës ndërlidhet me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këshilli i Europës i promovon parimet e respektimit të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës dhe vendet anëtare e mbështesin njëra-tjetrën në mbrojtjen dhe jetësimin e këtyre parimeve.

Tjetra është pajtueshmëria me standardet europiane të qeverisjes dhe avancimi i tyre brenda vendit. Këtu hyjnë sfera vitale të një shteti, si: legjislacioni, të drejtat e njeriut, demokracia, arsimi, shëndetësia, etj.

Anëtarësimi në Këshillin e Europës e lehtëson edhe bashkëpunimin vendit anëtar me arealin europian. Këshilli i Europës e promovon bashkëpunimin ndërmjet vendeve anëtare dhe kjo mund t’i rrisë shkëmbimet kulturore, sociale dhe ekonomike, mund t’i mbrojë interesat e përbashkëta dhe ta lehtësojë zhvillimin e politikave të përbashkëta në fusha të ndryshme.

Një çështje me interes për vendet që duan të bëhen pjesë e Këshillit Europian është përfitimi nga fondet europiane. Anëtarësimi në Këshillin e Europës u mundëson vendeve anëtare të përfitojnë nga fondet e këtij Këshilli. Këto fonde mund të përdoren për financimin e projekteve në fusha të ndryshme, si: mbështetja e reformave demokratike, forcimi i të drejtave të njeriut, reduktimi i varfërisë, mbrojtja e mjedisit, etj.

Krahas elementeve të lartpërmendura, një avantazh serioz për qytetarët e shtetit të pranuar në Këshillin e Europës është qasja në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), për të cilën do të bëhet fjalë veçan në vijim.

Këto dobishmëri ofrojnë mundësi të rëndësishme për vendet që t’i harmonizojnë politikat e tyre me standardet europiane dhe të arrijnë një efektivitet më të madh ndërkombëtar.

Qasja në juridiksionin e GJEDNJ-së

Qasja e individëve në juridiksionin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) sjell dobi të shumta. Një ndër interesat e përgjithshëm është mbrojtja e të drejtave dhe lirive të individëve. Duke qenë se GJEDNJ-ja është gjykatë që e zbaton Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe i mbron të drejtat themelore të individëve, anëtarësimi i shteteve në Këshillin e Europës u siguron individëve mundësi aplikimi për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre kundër institucioneve të shtetit të tyre dhe të kërkojnë drejtësi përballë një padrejtësie të pretenduar.

Risi është hapja e rrugës së fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurimit të drejtësisë për arsye se GJEDNJ-ja promovon sundimin e ligjit dhe të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Shtetet anëtare detyrohen t’i respektojnë vendimet e Gjykatës dhe kjo kontribuon në sundimin e ligjit dhe zhvillimet pozitive në procese gjyqësore.

Anëtarësimi në GJEDNJ pasqyron para komunitetit ndërkombëtar rëndësinë që një vend u kushton të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Kjo gjë ngre lart reputacionin dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit dhe kështu mund të ndikojë në krijimin e besueshmërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me rritjen e besueshmërisë avancohen edhe bashkëpunimet ekonomike, përfshirë investimet e huaja.

GJEDNJ-ja përmes jurisprudencës së vet promovon reformat demokratike dhe ndihmon në forcimin e institucioneve demokratike të vendeve anëtare. Duke zbatuar vendimet e Gjykatës, shtetet anëtare i rrisin standardet demokratike dhe fitojnë efektivitet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Prandaj, krijimi i raportit me GJEDNJ-në ndihmon në promovimin e reformave demokratike.

Një avantazh i anëtarësimit në GJEDNJ është kontributi në rrugëtimin e integrimit europian, ngase kështu hidhen hapa konkretë në harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të kontinentit europian dhe kjo e lehtëson bashkëpunimin paneuropian.

Dokumenti kryesor i Këshillit të Europës është Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Konventa e përcakton detyrimin e shteteve anëtare (palëve) që t’i respektojnë vendimet e formës së prerë të Gjykatës në çdo çështje, ku ato janë palë dhe që vendimet e tilla përcillen në Komitetin e Ministrave, i cili mbikëqyr ekzekutimin e tyre[3].

Kur kemi parasysh që Kushtetuta e Kosovës parasheh se dispozitat e KEDNJ-së dhe Protokolleve të saj kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike të shtetit kosovar[4], del në pah detyrimi i shtetit kosovar për zbatimin e KEDNJ-së ende pa u bërë anëtar i Këshillit të Europës. Me anëtarësimin e Kosovës në Këshill, ky zotim i njëanshëm i Kosovës do të gjejë kuptim konkret për qytetarët kosovarë.

Këto përparësi tregojnë se anëtarësimi në GJEDNJ paraqet një etapë të rëndësishme për shtetet, por kjo kushtëzohet nga respektimi i vendimeve të Gjykatës dhe nga ruajtja e marrëdhënieve të mira me shtetet e tjera anëtare. Nuk duhet harruar se Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Europës pas invazionit ushtarak që kishte nisur më 2022.

Në vend të përmbylljes

Dihet se shpallja e njëanshme e pavarësisë dhe krijimi i një shteti nuk parakupton edhe funksionim stabil të atij shteti. Asnjë shtet nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa krijuar lidhje me shtetet e tjera dhe pa u faktorizuar në arenën ndërkombëtare. Kjo bëhet e mundur me anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë e rajonalë, të cilët duhet konsideruar si platforma ku mbrohen interesat shtetërorë.

Republika e Kosovës nuk është anëtare e OKB-së, as e NATO-s, as e BE-së dhe, madje, nuk njihet si shtet nga pesë vende anëtare të BE-së as pas 16 vjetësh që nga shpallja e pavarësisë. Për këtë arsye, secila nismë që kontribuon në integrimin e Kosovës në këto organizata paraqet risi pozitive. Kësisoj, përpos avantazheve të lartpërmendura, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës paraqet akt krucial për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar. Kosova do të konsolidohet më tej si shtet, gjë që do të ndikojë në dinamizmin e lidhjeve me aleatët e vet.

[1] Shih: https://www.coe.int/en/web/portal/-/pace-recommends-that-kosovo*-becomes-a-member-of-the-council-of-europe (qasur më 20. 4. 2024).

[2] Kushtetuta e Kosovës, neni 3/2.

[3] Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, neni 46.

[4] Kushtetuta e Kosovës, neni 22/2.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X