loader image
October 14, 2024

Anamneza

Të gjithë flasin se kush hyri, kush doli, kush ku u ngjit, cili vodhi, cili i ka lidhjet, celularët (telefonat), ndërkaq të gjithë ne paguajmë. Ndërsa, kungujt e varur në gardh, si puna e zyrtarëve të korruptuar francezë, na tregojnë se sa të mëdhenj, sa të bukur e sa të lule veshur janë.

Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar

“…Ki mëshirë për të mjerin e vërtetë, ndihmo milingonë tani! Më jep dy- tre kokrra, çfarëdo ushqimi më jep; sapo të mbaroj dimri, huanë do ta kthej; u lut gjinkalla!,… – Ku ishe kur shkëlqente ai diell? – Dhe tani kërkon timin mundim, këndo gjinkallë, këndo gjersa era ftohtin luan!” janë këto disa ndër reshta, të përshtatur, të poetit dhe fabulistit francez La Fonten, më i lexuari i shekullit të 17-të, në fabulën e tij Gjinkalla dhe Milingona, ndër të rrallat e shkruar në formë poezie ashtu siç dhe Lopa, Dhia, Delja dhe Luani. Për ta përmbyllur këtë parantezë, në gjithë këtë mesele alegorike, mësimi dhe këshille të mençur, mbase, të keqen e kam kundërshtuar gjithmonë, mund të mbështetem me plot gojë në guximin tim, për të vazhduar. I vetëdijshëm se lale-lule nuk do jetë asnjëherë, nëse mundet të thuhet kështu dhe se nuk mundet të jetë gjithçka perfekt, por këtu (siç shpeshherë thuhet) as mëzi pelës nuk i ngjan. Dhe, mos më ndërprisni kur jam në formë, ju lutem. Njeriu i virtytshëm nuk duhet më të hezitojë t’i fsheh mendimet e tij. Duhet ta thotë gjithmonë atë që e ka në zemër. Edhe Kurani, edhe Bibla, thotë: kush është i drejtë, të vazhdojë të jetë i drejtë. Sakaqherë, shumëçka që do shpaloset si më poshtë është arsye kuptimplotë, e drejtë, reale dhe e vërtetë, me shprehje shpirtërore dhe njëkohësisht emocionale…

Në gjithë këtë, për të filluar me radhë, Sami Frashëri, në përmbledhjen e tij Fjalë të Urëta, 1878, ndër të tjerat ka shkruar se t’i japësh pozitë dhe ta nderosh një njeri pa merita është si të hedhësh në ndyrësira një qese me margaritarë. Ndërkaq, për gëzimin dhe hidhërimin ka shkruar se s’kanë kufi, sepse njeriut, pse ka zënë një pozitë të vogël, i bie pika nga gëzimi, pastaj ai vdes nga hidhërimi pse nuk zë një pozitë më të lartë. Sa për të qeshur, aq edhe për të qarë (vajtuar) me rënkim e shumë zë.

Dhe kur jemi tek kjo e fundit, vajtimi përnjëherë më bie në kujtesë, fjala e vjetër: mos qaj, mos rënko, mos (vajto) pa e parë qivurin. Dhe, qivur pas qivuri, tragjedi pas tragjedie, skandal pas skandali, situata është më e koklavitur se kaq; edhe vaja më s’ka kuptim, edhe lotët më janë tharë. Edhe pse nuk do të doja të hyja (futem) në thellësi, ngase sa e sa herë jam i përtërirë. Por, tek apologjia, Shqiptarët, 1919, Mit’hat Frashëri, intelektuali më i shquar i Shqipërisë në fillim të shekullit të 20-të, i cili duke cituar disa studiues e historianë që kanë kaluar e udhëtuar nëpër Shqipëri dhe shkruar për të dhe shqiptarët, përveçse paraqet cilësitë më të mira, ngre në dukje hapur mendimin e tij për mentalitetin mesjetar, duke shkruar se në vendin e tyre nuk merren me gjë tjetër veç se me blegtori dhe se preferojnë jetën baritore, kundrejt asaj që është plot me lodhje nga puna. Është e vërtet se malet e Shqipërisë ushqejnë kope të panumërta delesh të vogla që në Turqi quhen kirirdjiks, me mish të shijshëm dhe me lesh shumë të butë (fq.34). Këto togfjalësha të tij para më shumë se 100 vjetësh, edhe pse janë me narrativ krejtësisht tjetër, mbase janë më se të qëlluara kur është në pyetje aktualiteti i pacipë i nëndiellit të kësaj ane. Dhe, ja e vërteta: – Në ditë të sotme, duke vepruar dhe u konsideruar akoma si dele, ose na ha ujku ose na ha bariu (pronari). Ja pra, “për çudi”, çdoherë del nga ndonjë vegëz, ndonjë bisht që më shtyn ta bëj, e t’i futem thellësisë.

Sidokudo, 80 vjet më parë, viti 1942, filmi (drama romantike) Kazablanka, bazuar në shfaqjen antinaziste, para involvimit të Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore Everybody Comes to Rick’s (Të gjithë vijnë tek Riku), shkruar nga Mërej Barnet dhe Xhoan Alison në regji të Majkëll Kërtizit me protagonist Rikun (Hamfri Bogart) dhe Ilsan (Ingrid Bergman), përshkruan një ngjarje ikonike romantike që ndodh po ashtu përgjatë Luftës së Dytë Botërore në vitin 1941, në një kazino-bar nate, në Kazablankë të Marokut, kontrolluar nga francezët, edhe pse me Rikun pronar emigrant amerikan (i cili bredh duke qëndruar si neutral) thuajse askush nuk e sundon lokalin. Aty frekuentojnë zyrtarë të korruptuar francezë, gjermanë nazistë, kumarxhinj, spiunë, kontrabandistë, kriminelë, vrasës, mashtrues, si dhe refugjatë të dëshpëruar, për të arritur në Shtetet e Bashkuara e kështu me radhë. Të gjithë hyn e dil, duke futur njëri-tjetrin në kurth dhe bëjnë sikur asgjë nuk ndodh.

Si duket, në këtë gravitet (rëndesë), gjersa gjezdisja nuk më lë ta ndaloj, në kurth jemi futur edhe ne. Duke jetuar me atë sintagmën e njohur çfarë do të ndodhë nëse do të ndodhë, njëjtë, sikur tek drama Kazablanka. E, më kuptoni qartë, situata është tragjikomike dhe po bëhet gjithnjë e më tragjike. Të gjithë flasin se kush hyri, kush doli, kush ku u ngjit, cili vodhi, cili i ka lidhjet, celularët (telefonat), ndërkaq të gjithë ne paguajmë. Ndërsa, kungujt e varur në gardh, si puna e zyrtarëve të korruptuar francezë, na tregojnë se sa të mëdhenj, sa të bukur e sa të lule veshur janë.

Pak e nga pak, në jetë ekziston fati i bardhë (mirë) dhe fat i zi (keq). E, në këtë mishmash, ne nuk jemi fatzinj, por ashtu na ka pëlqyer. Secili e krijon fatin e vet (shpërfaq sërish një fjalë) sipas sjelljes e veprimit. E pastaj habitemi se përse kemi mbetur periferi, shumë mbrapa, e të parëndësishëm si bishti i kavallit. Këtu (sinqerisht po them) nuk bëhet fjalë as për fat as për fatkeqësi. Fundja, si fati, si fatkeqësia, janë gjë relative. Megjithatë, ne jemi mjeshtër për të bërë lëvizje në drejtimin e gabuar. Në këtë aspekt, të gjithë kemi dështuar. Sistemi, institucionet, familja, individi. Ne jemi të gjithë fajtorë dhe përgjegjës. Me një fjalë të vetme, ne jemi monstra dhe kjo herë do kurdo duhet paguar një herë. E, çmimi që duhet paguar është shumë i lartë. S’ka të gjejmë fajtorin. Fajtorë jemi (jeni) vetë, gjithçmos është faji ynë (juaj), i pastër, si Siberia në verë. Derisa këtu lejohet shkelja e çdo rendi e rregulloreje dhe bëjmë sikur nuk e shohim, në burg e djall duhet të shkojmë të gjithë puqur me të tjerët. Ne nuk kemi arritur ta kultivojmë vetëdijen. Dhe, tani nuk mund ta bëjmë vetëm. Gjërat elementare të një rendi shoqëror na mungojnë. Është një dëshmi e vërtetë se njerëzit e rëndomtë nuk i besojnë askujt, por gjithsesi votojnë. Për shkak se janë të varur dhe nuk kanë fuqi. Po kështu, zgjedhjet vijnë e shkojnë, ata (politikanët) puthen, përqafohen, fitojnë, humbasin dhe më pastaj gjithçka është njësoj, gjithçka është e rrafshët, të gjithë tek pas derrja, tek garuzhda për dy e tre fasule më shumë. Ndërkaq, ata vjedhin bashkë, amnistohen bashkë dhe, kësisoj, pa sy e vesh, zi e më zi, keq e më keq, skllavi gjithmonë mbetet skllav. E gjitha kjo është produkt i ynë. Të merremi vesh e të kuptohemi për një vlerësim interesant, prej politikanit duhet kërkuar puna, përkushtimi dhe rezultati, e jo favoret e kompromiseve politike, “çka ka për mua?”. Prandaj, qëndrojmë para një ambisi, me ndërtime të egra, deponi të egra, gropa, pluhur e baltë, qen endacakë, mbetje e mbeturina e plëndësa në rrugë. Veç kësaj, me shpërdorim detyre, krim, korrupsion, zhvatje e vjedhje të organizuar. Jemi tërësisht të shpërbërë. Të gjithë në rrezik. Dhe, në gjithë këtë shfletim të kësaj anamneze, deri këtu, të shoqërisë (sonë), nëse mund ta quajmë shoqëri. Për ta shtruar çështjen çka apo çfarë strategjie, çfarë diagnoze e terapi na duhet për të dalë nga kjo çmenduri, ka një alternativë – janë sërish njerëzit, edukimi i tyre, mentaliteti. Rruga dhe mënyra e vetme është të lejohen të vargohen vërtet ata që dinë, jo ata që pak dinë pak s’dinë ose-ose, siç ndodh, hiç s’dinë. Prej tyre me nga një okë mend, domethënë njerëz seriozë në kuptimin e plotë të fjalës, që duan të punojnë me gjithë mend. Është nevoja për njerëz të vyeshëm, të paepur e fisnikë, me moral të palëkundur, jo përfitues të tipit të kojotëve (grabitqarëve) aktualë politikë. A nuk është veprim i ligë dhe kundërvajtës i llojit të vetë të atrofohet arka për rreth dy milionë euro (saktësisht 1.8 milion), edhe atë në kohë krize, për përshtatje të një salle për organizim të takimit të radhës ministror të OSBE-së, që do mbahet në vjeshtën e vonshme, ndërsa në anën tjetër të shitet gjithë kohës mjegulla me kortezi nga ana e ministrit të Jashtëm duke u fotografuar me sandviç në dorë nëpër aeroporte. Ndonëse konferenca e Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, ku morën pjesë kryeministra e ministra të jashtëm, si dhe personalitete të tjerë relevant gjeopolitik u mbajt në një sallë modeste, pa asnjë ndërhyrje përshtatjeje ose Islanda që i lyen akoma me furça dore objektet (godinat) institucionale. Në një çast të dhënë, ta lëmë atë, se kush do ta paguajë (ne do ta paguajmë), të gjitha paratë do të përfundojnë në rrethin vicioz oligarkik,… via-partia. Sikur furnizimet (prokurimet) publike të jenë arkat e baballarëve. Apo, ministri i Arsimit, që çdo fillimvit sillet si gjinkalla në ditët e para të ftohta të dimrit, që i drejtohet milingonës për do thërrime me ushqim e që tërë verës ka kënduar e kërcyer valle dhe, për ironi të fatit, vazhdon avazi i mungesës së librave shkollorë, e për objekte të mos flasim. A, i treti me hacienda skaj e më skaj, i katërti e i pesti, pa i numëruar, që nuk dinë ç’bëjnë e çka flasin. Po, funksioni i pushtetit politik, për të më kuptuar, nuk është kënaqësi. Përkundrazi, është përgjegjësi serioze. Madje, derisa ato funksione e pozita politike i kanë shndërruar si vende të thjeshta pune, e jo përgjegjësie, ka përfunduar gjithë ky muhabet. Dhe, përsëri fajtorë jemi, duke ndenjur herë pas here gatitu para tyre sikur të kapur peng në një kohë anarkie që as qeni t’ zotin nuk e njeh. Është kjo një patologji mediokre e shpirtrave kolltukofagë pa ndër dije,… nuk di, s’kam ndonjë definicion për ta formuluar ndryshe. Kushedi, ndoshta dikush tjetër e di dhe ka një përkufizim tjetër më bindës?! E, nëse e ka, siç priret, atypëratyshëm ia ulim kapelën!

Për të hedhur themelet e së ardhmes dhe vlerave, nuk ka vend për fjalime të mëdha, demin duhet kapur nga brirët, duhet vendosur synime dhe të vazhdojmë shtegun (rrugëdaljen) përpara, duke zgjidhur problemet në mënyrë sistematike. Udhëheqësi politik nuk duhet të jetë aty për përralla në shkallë, shëndeti në ballë, të tipit këtu u vra një vetë, më tutje u vranë dy vetë, e në prapavijë mbush xhepa mbush arka ose për puthador të paskrupullt, por për të motivuar dhe vendosur ato synime. Për këtë shkak, një qëndrim i ri udhëheqës na duhet, mbase përbrenda kësaj kohe, aktualisht, si më lartë, qëndrojmë si një tryezë pa këmbë, që luhatet e tërhiqet me duar nga gjithkush, kush mbërrin, e mbi të nuk ka mbetur asgjë, njëjtë si kazinoja asnjanëse në Marok.

Që suksesi të bëhet edhe më i mirë, duhen njerëz kreshnikë sa lisi të mëdhenj, të tillë të arsyeshëm, që gjithmonë mendojnë për të ardhmen, shumë largpamës, vizionarë me mendime të thella politike, e jo kunguj vetë promovues. Është e vërtetë që ne duhet të jemi në Europë, (lexo Bashkim Europian) tani, menjëherë, por ka disa rregulla, prioritete themelore (bazë) për t’u përmbushur. Kur të mbarohet (përfundohet) me një sfidë, duhet lënë gjurmë, për të nisur tjetrën. Aq më shumë, prioritetet e gjithë asaj të tejkalojnë parashikimet, të ndryshohen normat e vendosura të afateve dhe çdo cak të tejçohet nga njëri tek tjetri. Ky është çelësi për të dhënë shpresë jete me dinjitet, mbrothësi, dhe rrugë integrimi.

Për të shkruar shkurt, çfarë është këtu (për ne) sukses? – Gati se harrova ta përmend. – Ja çka është: përderisa, spiralja e inflacionit akoma rri lartë, me çmime ashtu lart, disa fish, në vend të bukës, njerëzve u shërbehet dhe u shtrohet asfalt. A ka ndokush vërtet që do të tentojë ta frenojë, ashtu siç duhet, inflacionin e ta mbrojë njeriun e vuajtur? Ndërkaq, në kundërshtim me këtë, gjithçka vazhdon të relativizohet, miliona eurot, rritja drastike e pagave të funksionarëve (të çdo niveli), shpenzimet enorme dhe shpërdorimi i parasë publike, si dhe investimet publike shkel e shko e pa afat kohor. Dorën në zemër, për ta thënë me korrektësi, si e si kemi nevojë (koha është) edhe për asfalt. Herën e kaluar shkrova se rrugët, veçmë, për një kohë të gjatë i kemi gjëmë, porse në strofullin e luanit “ushqimi është më i rëndësishëm se koha”, shprehet Shpilmani tek filmi “Pianisti”.

Tani, a mund ta thotë ndonjë tjetër, vallë, a ka bukë nga guri? Në vend që të gjejnë një zgjidhje për varfërinë, lejojnë njerëzit të konfrontohen mes vete për çmimet. Alibi i çdo mossuksesi, i bërë tërkuzë, paraqitet si shkas i ngërçit politik, ndryshimeve kushtetuese, si dhe ndryshimeve të kodit penal (si truk për t’u votuar ato ndryshime kushtetuese). Më pastaj, çështja e skandalit me barnat në klinikën e Onkologjisë s’është as maja e ajsbergut. E gjitha dihet e shihet në shesh. Spitale të shpërbëra, shëndetësia e shpërbërë. Me një fjalë, hajni e kontrabandë me përmasa dehumanizimi në pah. A është e mundur të turpërohemi e të poshtërohemi kështu? Për çka duhet të flasim më, në këtë përditshmëri të mjerë?! Janë të padenjë, nuk meritojnë të qeverisin, edhe ashtu janë pa kredo politike, me përbërje hibride, njëjtë si fabulat e La Fontenit. Në pikëpamje tjetër, janë një lloj fronti i cili më shumë i ngjan bllokut lindor të Paktit të Varshavës, të viteve të ’60-ta, sesa frontit europian të perëndimit. Dorëheqje dhe të hidhet zari! Dorëheqje dhe larg nga politika! Së fundi, në konceptet e mia, nuk e kanë as të drejtën morale për të udhëhequr. Janë s’janë shumicë, ç’rëndësi ka?! Janë përbërja më çnjerëzore dhe më pa meritore në histori të pluralizmit politik.

Si të mos emocionohem (prekem)?! Dritarja e shtatorit, më shpie të them, se ka sjellë shumë telashe. Në të radhitet një vjeshtë e pasigurt, gjithçka e pasigurt, me britma shqetësimesh e protestash. Edhe pse Borgesi, shkrimtari argjentinas, ngre një patos duke thënë se “vetëm një zotëri i vërtetë lufton për një kauzë të humbur” dhe tani për tani, në këtë kohë, vërtet, kauza është e humbur, ndoshta kështu do të jetë edhe për një kohë shumë të gjatë ose përgjithmonë, mos harrojmë nga mendja diçka – “kush jeton nga shpata, nga shpata do të vdesë” nxjerr përfaqe Isa përgjatë fillimit të fshikullimit.

Pas gjithë këtyre kryerreshtave e sa e sa rreshtave, si për mbyllje, një prej 10 thënieve më të mira të Shekspirit për paranë, i cili e përfshiu në veprat e tij, është ajo e cila e thotë se “nëse paraja hyn në mes, të gjitha punët bëhen”, ashtu siç dhe ambasadorja amerikane, që qëndron në epiqendrën e këtij rrethi të plotë, si Riku i Kazablankës, i cili kishte luftuar në anën e lojalistëve në Luftën Civile në Spanjë dhe kishte kontrabanduar me armë në Etiopi në vitin 1935 gjatë Luftës së Dytë Italo-Etiopiane.

Kur vijnë mendtë, delet më kanë ikur. Për një çast, ra edhe një frazë. Neve, që moti na kanë ikur delet, por mendtë nuk na kanë ardhur. Vetëm Zoti na ruajttë nëse ndodh diçka, edhe më e rëndë, edhe më madhe..!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X