loader image
July 17, 2024

Aleancë ndërmjet shqiptarëve, partneritet me ndërkombëtarët

A kanë shtetet shqiptare sovranitet të plotë dhe a mund të pretendojnë për këtë? Pse duhet shqiptarët të bëjnë më shumë për veten dhe njëherësh si bëhet ky synim pjesë e agjendës europiane? A duhet të jemi krenarë apo servilë ndaj ndërkombëtarëve? Cila duhet të jetë qasja ndaj narrativit fishtian mbi Europën? Si u bë që narrativi politik dogmatik proeuropian u përforcua edhe me atë antirus? A ka rrezik real nga Rusia dhe kush janë promotorët e propagandës ruse në Maqedoninë e Veriut?

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup  

Nëse flasim me gjuhën e popullit, shpresa për të ardhmen e shqiptarëve në rajon ekskluzivisht tek faktori ndërkombëtar i ngjan meselesë së varjes së pushkës tek “tjetri”!

Shqiptarët pa sovranitet të plotë shtetëror  

Është larg ideja që shqiptarët, përkatësisht shtetet e tyre etnike, Shqipëria dhe Kosova, si dhe shteti shumetnik, Maqedonia e Veriu, në rrethanat dhe konstelacionet aktuale gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe, në përgjithësi, në kushte të globalizimit, mund të pretendojnë për sovranitet të plotë, të pakufishëm dhe të pacenueshëm nga fuqitë e mëdha. Megjithatë, u takon atyre që t’i përmbushin kriteret e kërkuara, të ashtuquajtura të Kopenhagës, përkatësisht të Bashkimit Europian. Sovranitet të pakontestueshëm nuk kanë as shtetet më të fuqishme ekonomike, ushtarake dhe me diplomaci të zhvilluar në Europë e kontinente tjera, e lëre më shtete të vogla territorialisht dhe demografikisht. Disa herë e kam cekur teorinë e fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, nga e cila nuk mund të jemi imunë asnjëherë.

E duam Europën dhe Amerikën, të punojmë për veten

Natyrisht, aleancat e shqiptarëve me BE-në dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vihen në pikëpyetje dhe kjo vlen sidomos për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por “detyrat e shtëpisë” duhet t’i kryejmë vetë. E thënë shkurt e shqip, nuk duhet pretenduar se të huajt na e duan më shumë të mirën sesa ne vetes sonë. Kjo nuk na bën më pak properëndimorë e proamerikanë, por na bën më të përgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm, më atdhetarë dhe më humanë. Ta duash, ta respektosh dhe të punosh për veten, për interesin kolektiv nuk është as koncept antieuropian e as antiamerikan. Kjo nënkupton po ashtu edhe se nuk duhet të ketë servilizëm dhe poltronizëm të skajshëm ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili e ka agjendën dhe interesat e veta, të cilat ndonjëherë nuk është se deri në fund përputhen me interesin kombëtar të shqiptarëve. Rasti i Kosovës e dëshmon këtë, përkatësisht për shkak të tentimit për balancim me Serbinë atje ofrohen modele që nuk janë në favor të Kosovës si shtet. Pra, kompromis po, baraspeshim po, por raportet me ndërkombëtarët duhet ta kenë bazën tek partneriteti e jo përulja!

“Evropa e Fishtës” të lihet në histori

Partneriteti nuk do të thotë që të tregohemi krenarë para Europës dhe Amerikës, se jemi popull i lashtë me histori mijëravjeçare ose se mundemi edhe vetë dhe të vihemi në pozicione kundërshtuese, por as pozicionet nënçmuese të mos pranohen nga elitat politike. Kjo, në të njëjtën kohë, nënkupton se duhet lënë pas në histori konceptin e Gjergj Fishtës (Uh! Evropë, ti kurva e motit!) ose të ndonjë shkrimtari, që ka shkruar me zell kundër Europës, ose atë folklorik të Ilir Shaqirit (Europë kthema borxhin), për shkak të padrejtësive që na janë bërë që nga Kongresi i Berlinit në vitin 1878, sepse as kjo nuk na bën nder. Përdorimi i anatemuar me terma pezhorativë dhe nënçmues ndaj Europës nuk është në interesin e shqiptarëve. Por, të qenit në funksion të zhvillimit kombëtar (ekonomik, shëndetësor, arsimor, kulturor, shkencor) është sa projekt shqiptar, po aq edhe europian. Edhe në aspektin gjeostrategjik, sepse Europës i konvenojnë shqiptarët të jenë element i fuqishëm rajonal në Ballkan.

Kjo nënkupton që ne për veten dhe jo për Europën e Amerikën duhet të organizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike, që reflektojnë vullnetin real të qytetarëve dhe nuk janë objekt i ndonjë inxhinieringu zgjedhor, që instrument ka manipulimin propagandues. Pse gjithë energjia dhe dinamika shoqërore duhet të fokusohet në një pikë – zgjedhjet, qofshin ato parlamentare apo presidenciale? Pse qytetarët duhet të përjetojnë shumë stres se kush do t’i fitojë zgjedhjet, në vend që ky të jetë një proces normal demokratik dhe nga rotacioni eventual i pushtetit të ndërrohen ministrat dhe eshaloni i parë, por jo edhe të gjitha nivelet e administratës? Pse zgjedhjet të jenë luftë për jetë a vdekje?

Duhet ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të kemi sistem të drejtë të drejtësisë, që nënkupton gjyqësor të pavarur nga politika, që do gjykojë në mënyrë efikase dhe do ta ndëshkojë krimin edhe brenda politikës. Në Maqedoninë e Veriut besimi tek gjyqësori është 2 për qind, ndërsa, paradoksalisht, pagat e gjykatësve, të cilat ishin mbi 1000 euro, u rritën për 78 për qind.

Interes kombëtar, që e përforcon procesin e integrimit në BE, është të kemi arsim cilësor, shëndetësi në shërbim të pacientëve dhe jo të mjekëve dhe politikës, administratë efikase, efektive dhe të pakorruptuar, si dhe media të lira dhe që punojnë në funksion të interesit publik. Duke e përmirësuar jetën tonë, nuk do të kemi eksod masiv të shqiptarëve në Europë, edhe pse shtetet europiane janë shumë të interesuara për fuqinë punëtore të shqiptarëve. Duke u rimëkëmbur vetë, do të dëshmojmë se jemi zbatues të standardeve dhe vlerave europiane.

“Jo Rusisë, po Europës”, slogan për efekte zgjedhore

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në aspektin e integrimit, moti janë përcaktuar për orientim perëndimor dhe politikisht nuk kanë pasur dhe as që kanë ndonjë mëdyshje. Në fushatën për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut ka dominuar tema e integrimit në BE, duke pasur parasysh që kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në është votimi i ndryshimeve kushtetuese me 2/3 e votave të deputetëve. Madje, BDI-ja tërë narrativin propagandues të fushatës e ka përqendruar tek orientimi proeuropian dhe luftimi i Rusisë dhe ndikimit rus. Njëri nga eksponentët e kësaj partie, zëvendëskryeministri Artan Grubi, ndikimin e Rusisë në sferën politike e sheh tek funksionimi i partisë E Majta (Levica) e Apasievit, një parti e polit ekstrem majtist, partia Koncepti Maqedonas dhe partia Maqedonia e Bashkuar. Partia E Majta ka gjasa reale të bëhet subjekt relevant parlamentar, për shkak të ndikimit të saj tek votuesit maqedonas, por dy partitë e tjera janë minore dhe nuk mund të ndikojnë në përhapjen e narrativave proruse, edhe pse tentimet e tyre janë evidente, por pa potencial real.

Prandaj, ky slogan më tepër është përdorur për efekte zgjedhore, ndonëse përpjekjet e Rusisë për ndikim në vend nuk rreshtin. Ky narrativ ndoshta më tepër ka për qëllim që të vihet përballë VMRO-DPMNE-së, e cila ka dalë hapur se nuk do ta marrë në koalicionin e ri qeveritar partinë e Ahmetit. Projekti i kësaj të fundit në të ardhmen, nëse qeverisja do të përbëhet nga VMRO-ja dhe nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN, do të jetë luftimi i qeverisë djathtiste, e cila do të thuhet se është opsion prorus dhe antieuropian, nëse shumica parlamentare që e mbështet atë nuk i voton ndryshimet kushtetuese. “Europa, Europa” do të vazhdojë të jetë slogan politik edhe gjatë kohë, ndërkohë që ne në Maqedoni pak Europë (standarde) shohim!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X