loader image
July 17, 2024

A mund ta përballojë ekonomia e Izraelit konfliktin e tanishëm?

Tregtia ka ndaluar në Izrael, ndërsa qindra e mijëra janë evakuuar ose janë mobilizuar si rezervistë. Mungesa e turizmit dhe e punonjësve të rinj të teknologjisë do ta bëjë ndoshta më të vështirë rimëkëmbjen ekonomike.

Thomas KOHLMANN*

Mijëra izraelitë po qëndrojnë tani në pjesë të tjera të vendit pas evakuimit nga shtëpitë e tyre në kufirin me Rripin e Gazës. Shumë që jetojnë përgjatë kufirit verior me Libanin kanë lëvizur po ashtu për në zona të sigurta. Numri i përgjithshëm i izraelitëve të evakuuar vlerësohet mes shifrave 200.000 dhe 250.000. Veç kësaj, rreth 360.000 rezervistë janë mobilizuar deri më tash.

“Bizneset kanë mbyllur dyert në zonat me vendasit e evakuuar. Për më tepër, turizmi është ndalur që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor, që vrau 1.200 izraelitë e të huaj dhe ndezi konfliktin aktual, duke prerë një prej burimeve kryesore të të ardhurave të vendit. Zor se ndonjë kompani e huaj ajrore kryen ende fluturime për në Izrael.”, i tha Deutsche Welle-s Dan Ben-David, profesor dhe drejtues i Institutit Shoresh për Kërkimin Socioekonomik me bazë në Universitetin e Tel-Avivit.

Kjo ndërprerje për jetën ekonomike mbetet nën kontroll deri në këtë moment, tha ai. “Por, ndikimi varet nga një varg ndryshoresh. Sa do të zgjasë lufta? A ka për të ndërhyrë Hizbullahu në luftë? Dhe, nëse lufta vazhdon, për sa kohë do të nevojiten rezervistët? Po qe se 360.000 njerëz janë nën armë, atëherë shumë bashkëshorte do duhet ta lënë punën për t’u kujdesur për fëmijët, veçanërisht ngaqë shumë shkolla janë mbyllur.”, shtoi Ben-David.

“Të gjitha vezët tona më të mira në një shportë”

Lufta ka për të vënë nën tension të madh një tjetër sektor kyç, industrinë teknologjike. “Vetëm rreth 10 për qind e punonjësve punojnë në Izrael në sektorin e teknologjisë së lartë, por ata janë përgjegjës për mbi 50 për qind të eksporteve tona.” tha Ben-David. Pjesa më e madhe e këtyre punonjësve janë relativisht të rinj dhe tani shërbejnë në ushtri në Gaza ose në kufirin libanez. Problemi nuk është me përqindjet, pasi mund të mendohet se prodhimi i brendshëm bruto (GDP) do të bjerë me 20 për qind nëse 20 për qind e krahut të punës është mobilizuar në ushtri, shpjegoi ai. Përndryshe, problemi përqendrohet te ajo se ç’janë këta rekrutë: të rinj, të arsimuar mirë dhe tejet produktivë. Në kontrast me këtë, të parekrutuarit priren të kenë produktivitet më të ulët, tha hulumtuesi.

Gilad Malach, drejtor i programit të shoqërisë ultraortodokse në Institutin Izraelit të Demokracisë, vlerëson se pothuajse gjysma e të gjithë meshkujve ultraortodoksë nuk punojnë. Ata dhe familjet e tyre, shpesh të mëdha, marrin miliarda në subvencione shtetërore që partnerët e koalicionit ultraortodoks të kryeministrit Benjamin Netanyahu do të donin t’i rrisnin edhe më.

“Ngaqë ne jemi aq të varur nga industria e teknologjisë së lartë, që është e mirë dhe e keqe, ne i kemi vënë të gjitha vezët tona më të mira në një shportë.”, argumentoi Ben-David-i, duke shtuar se një prapësim në këtë fushë ka ndikim në tërë vendin.

Industria e teknologjisë si zbutës ekonomik

Industria e teknologjisë ka zbutur në të shkuarën efektet më të këqija të krizave ekonomike, duke e ndihmuar Izraelin të dalë më shpejt nga recesionet dhe të shmangë rëniet ekonomike që dëmtojnë pjesë të tjera të botës.

Pas intifadës së dytë – një periudhë dhune dhe rebelimi palestinez midis shtatorit të vitit 2000 dhe shkurtit të vitit 2005 – ekonomia e vendit ishte në gjendje të keqe. “Por, rritja ekonomike që pasoi qe fenomenale, sepse teknologjia ishte shtytësja kryesore e rritjes.”, pohoi Ben-David-i. “Pastaj erdhi Recesioni i Madh i 2008-tës dhe 2009-tës, recesioni më i keq në botën perëndimore që prej Depresionit të Madh të viteve 1930-të. Por, Izraeli nuk e ndjeu atë, ngase industria e teknologjisë së lartë anembanë botës e ndjeu fare pak atë. Dhe, ngaqë teknologjia është shumë e rëndësishme këtu, ne nuk vërejtëm gjë.”

Izraeli e përjetoi në mënyrë të ngjashme pandeminë Covid-19. Derisa çdo vend u prek nga pandemia, me miliona që thuajse nuk punuan për njëfarë kohe, Izraeli e mori veten më shpejt se pjesa më e madhe falë fuqisë së industrisë së tij të teknologjisë.

Ben-David-i arrin në përfundim se ekonomia izraelite mund ta rifitojë shpejt fuqinë e dikurshme nëse lufta me Hamasin nuk zgjat shumë dhe Hizbullahu nuk hyn në luftë.

Protestat penguan investimet

Por, kjo do të varet nga fakti nëse Netanyahu dhe mbështetësit e tij qëndrojnë në pushtet. Protestat e mëdha kundër reformave të tij në drejtësi e mbajtën vendin pezull përpara se të fillonte lufta. “Ndonëse ekonomia nuk ka ndaluar plotësisht, investimet kanë rënë në mënyrë domethënëse.”, tha Ben-David-i. “Investimet në sektorin e teknologjisë së lartë ranë, çmimet e aksioneve zbritën, shumë izraelitë i tërhoqën paratë e tyre nga vendi, andaj shekeli u zhvlerësua ndjeshëm.”

Pyetja e vërtetë është se çfarë ngjet pas luftës, pyet ekonomisti. “Nëse mund ta largojmë Netanyahu-n dhe rrethin e tij dhe të rivendosim rendin, sektori i teknologjisë së lartë ka mundësi të qëndrojë i paprekur. Por, çfarë ndodh po qe se ngjarjet nuk shkojnë kështu?”

Më shumë para ka të ngjarë të dalin nga Izraeli nëse kompanitë e teknologjisë i kthejnë kurrizin vendit, theksoi Ben-David-i, duke cituar një tendencë të shfaqur tashmë midis sipërmarrjeve të reja përpara konfliktit aktual. Pjesa më e madhe e bizneseve të saponisura izraelite u krijuan në SHBA ose gjetkë dhe jo në Izrael, gjatë nëntë muajve të parë të 2023-shit, gjë që nënkupton një humbje në të ardhurat nga taksat, shtoi ai.

Largimi i trurit në lëvizje

Gjatë protestave masive kundër reformave në drejtësi u bë e qartë se një numër sipërmarrësish të spikatur të teknologjisë nuk pajtoheshin me politikat e Netanyahu-t. Në të vërtetë, shumë që i udhëhoqën dhe i mbështetën financiarisht demonstratat antiqeveritare erdhën nga sektori i teknologjisë, të tillë si sipërmarrësit Moshe Radman dhe Ami Dror.

“Gjëja e pazakontë ishte se këta njerëz të teknologjisë nuk do të ishin përfshirë kurrë në të shkuarën në diçka që kishte të bënte me politikën. Ata ishin thjesht shumë të zënë me zhvillimin e ideve dhe bërjen e parave.”, vuri në pah Ben-David-i. “Por, ata vepruan kur e kuptuan se e ardhmja e vendit ishte në rrezik.”

Nëse Netanyahu qëndron në pushtet, figura të rëndësishme të industrisë së teknologjisë, së bashku me shkencëtarë dhe mjekë, mund ta mendojnë gjithashtu largimin nga Izraeli, tha ekonomisti. Për shembull, një figurë tjetër qendrore në protestat antiqeveritare ishte fizikantja Shikma Bressler, një profesoreshë në Institutin e Shkencës Weizmann në Rehovot, në pjesën qendrore të Izraelit. Ben-David-i beson se rreziku i një ikjeje nga akademikë, si Bressler-i, dhe profesionistë të tjerë po afrohej tanimë para 7 tetorit. Në gusht dhe shtator kishte një rritje të fortë të aplikimeve nga mjekë izraelitë në Ministrinë e Shëndetësisë për certifikata zyrtare, që vërtetonin ekspertizën dhe të dhënat mbi punën e tyre – që është hapi i parë në aplikimin për të punuar jashtë.

Një barrë e jashtëzakonshme financiare

Sipas organit mediatik Bloomberg, lufta po i kushton Izraelit rreth 260 milionë dollarë (238 milionë euro) në ditë. Deficiti buxhetor i Izraelit fluturoi shtatë fish vetëm në tetor. Monedha kombëtare, shekeli, ra në nivelin më të ulët të 11 viteve kundrejt dollarit nga fundi i atij muaji, ndonëse e stabilizuar që atëherë pas ndërhyrjeve nga banka qendrore izraelite. Por, Ministria e Financave në Izrael ka njoftuar se do ta rrisë në nëntor huamarrjen shtetërore me 75 për qind. (DW)

Përktheu:

Bujar M. Hoxha

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X