loader image
October 14, 2024

13 leksione për Kosovën

Ismail SINANI

Të gjithë ata që mendojnë se kriza me barrikadat, në një farë mënyrë, u ka dhënë hov telasheve momentale me fqinjin verior të shqiptarëve, e kanë gabim. Madje, mund të thuhet se pikërisht kjo krizë e fundit dëshmoi për fragjilitetin e paqes së brishtë, që mbretëron në këto dy dekada mes këtyre dy popujve. Ajo që ia vlen të analizohet nga ky (para)konflikt, janë mësimet që duhet t’i nxjerrin shqiptarët:

E para, të gjithë ata që kishin iluzione se Serbia gjoja ishte reformuar, duhet ta kuptojnë se mendësia kolektive serbe nuk ka evoluuar që nga Car Dushani, Nikolla Pashiqi, Drazha Mihajlloviqi, Aleksandar Rankoviqi, Sllobodan Millosheviqi e deri te Aleksandar Vuçiqi. Qasja e tyre ndaj tjetrit, në këtë rast ndaj shqiptarit, është e njëjtë. Vuçiqi mund të bashkëpunojë me Ramën, por jo me shqiptarët.

E dyta, Rusia e cila ka bërë plane për dalje në det që në shekullin XVIII, përmes Serbisë, nuk ka ndryshuar fare. Konflikti i saj me botën josllave, i filluar në fillim të shekullit që e lamë pas, vazhdon edhe sot dhe, me gjasë, do të vazhdojë edhe më tej, kurse këtu, në Ballkan, këtë betejë e zhvillon përmes Serbisë.

E treta, Perëndimi (NATO-BE) edhe më tej vazhdon të krijojë iluzione se një ditë do ta marrë Serbinë në orbitën perëndimore. Por, kjo vështirë se do të ndodhë ndonjëherë. Megjithatë, kjo faturë e Perëndimit, si duket, do të paguhet nga shqiptarët.

E katërta, shqiptarët duhet ta kuptojnë qartë e mirë se Perëndimi i viteve 2022/2023, nuk është ai i viteve ’90-ta të shekullit të kaluar.

E pesta, Kosova duhet ta kuptojë se në Bashkimin Europian ende janë pesë shtete që nuk ia kanë njohur mëvetësinë, e madje disa prej vendeve anëtare janë penduar që e kanë pranuar si shtet.

E gjashta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse e kanë njohur dhe i dalin zot Kosovës, nuk kanë më ndonjë antipati të veçantë ndaj Beogradit.

E shtata, kryeministri i Kosovës duhet ta kuptojë se elokuenca mahnitëse para turmave, në politikë – e historia e dëshmon këtë – në të shumtën e rasteve di të bëhet pengesë për zgjidhjen e çështjeve të mëdha. Nëse dikush e ka toleruar të vijë në pushtet, këtë e ka bërë për t’i zgjidhur çështjet e mëdha, që sot nuk ka guxim e fuqi t’i zgjidhe asnjë lider tjetër (opozitar) në Kosovë. Deklarata e Eskobarit për “bashkëpunim alternativ” duhet të jetë sinjal se ai është futur në “danger zone”.

E teta, Perëndimi dëshiron ta “kalojë” me çdo kusht Zajednicën, qoftë edhe në kornizën kushtetuese të Kosovës.

E nënta, opozita duhet ta kuptojë se duke e detyruar kryeministrin “t’i haje fjalët e veta”, nuk e dëmtojnë rejtingun e tij, por procesin e zgjidhjes së krizës.

E dhjeta, Kosova duhet ta kuptojë se Shqipëria me këtë politikë që ka, nuk shfaq ndonjë empati për të kaluarën e zymtë të shqiptarëve që kanë jetuar nën regjimin jugosllav.

E  njëmbëdhjeta, Kosova dhe qytetarët e saj duhet ta kuptojnë se shtetësia nuk ndërtohet duke promovuar vlera hermafrodite, qoftë në debate, qoftë në kulturë, por duke kultivuar breza që i dalin zot vatanit.

E dymbëdhjeta, Qeveria e Kosovës, por edhe opozita, duhet të bëjnë çmos që Uashingtoni dhe Brukseli, “ta kalojnë” propozimin e ashtuquajtur “franko-gjerman”.

E trembëdhjeta, Kosova dhe qytetarët e saj, duhet të përgatiten për një periudhë të rëndë bashkëpunimi me serbët lokalë. Këta të fundit, nëse nuk gjendet ndonjë ujdi shumë shpejt, do të vazhdojnë ta kultivojnë konceptin e eksterritorialitetit. Ndërkaq, ndërkombëtarët do t’i mbyllin sytë ose do të shtiren se nuk e marrin vesh se çfarë po ndodhë realisht.

Nëse pas gjithë kësaj që ndodhi e po ndodhë, e turbullirat vazhdojnë, atëherë rajoni, me fajin e Perëndimit, do të bëhet poligon i veprimit, fillimisht për rusët, por më vonë edhe për kinezët.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X