“Shenja” është revistë e përmuajshme mbarëkombëtare politike, ekonomike dhe kulturore.
Boton: Shoqata Qytetare Kulturore “Vizioni M” – Shkup
Themelues: Zeqirija Ibrahimi & Afrim Gashi
Kryeredaktor: Afrim Gashi
Kolegjiumi redaktues: Nuridin Ahmeti (Kosovë), Agime Kastrati-Basha (Shqipëri), Ramadan Aliti (Maqedoni), Zeqirija Ibrahimi (Maqedoni)
Redaktor artistik & teknik: Halil Berisha
Adresa: rr. Samoilova nr. 6 – 1000 – Shkup, Republika e Maqedonisë, Tel.: + 389 (2) 2 3214 927
www.revistashenja.com
e-mail: revistashenja@gmail.com; info@revistashenja.com
Opinionet e artikullshkruesve nuk paraqesin domosdosmërisht edhe qëndrimin e redaksisë.
Vizion M - Nr. i xhiro-llogarisë: 210059081320152; Nr. i tat. 4030004524021, Tutunska Banka – Shkup.
EDITORIAL
Mali i Zi shqiptar
Një kohë të gjatë mediat shqiptare gjithandej gati se nuk kishin folur e shkruar asnjë fjalë për shqiptarët e Malit të Zi,
madje po të mos ishte vera e nxehtë e cila çdo vit mbush Ulqinin me shqiptarë nga të gjitha trojet, mbase do të harronim
se në Mal të Zi ka shqiptarë. Kur një ditë u kumtua lajmi se shqiptarët atje nuk do të mund ta përdorin flamurin kombëtar,
atëherë u paraqitën të gjithë patriotët në detyrë që ta mbrojnë atë nga “malazezët shovinistë”. Ky fakt na bën të kuptojmë
një gjë shumë thelbësorë për mënyrën e frymimit të çështjes kombëtare, sepse ne patriotët e rremë, që e konsiderojmë
veten kujdestarë të çështjes kombëtare, interesohemi, shkruajmë e flasim për shqiptarët e Malit të Zi vetëm atëherë kur atje
cungohet ndonjë e drejtë, e cila prek rrënjët shqiptare kudo qofshin ata. Në realitet, një reagim i tillë, çfarë ndodhi para disa
muajve, është në fakt një farsë me të cilën ne i mbrojmë të drejtat tona, e jo që kujdesemi gjithaq për shqiptarët e Malit të Zi.
Po të ishte ndryshe, atëherë do kishte një interesim sistematik e institucional të shtetit shqiptar, të Republikës së Kosovës
dhe të shqiptarëve gjithandej mbi gjendjen ekonomike, sociale, kulturore, politike dhe demografike të shqiptarëve në Mal të Zi.
Deri tash nuk kemi dëgjuar për ndonjë iniciativë të organizuar institucionale, e cila do merrej me çështjen e unifikimit të faktorit
politik shqiptar atje, gjë që ka rezultuar që ata të bëhen pikë e pesë dhe të mos mund t’ia dalin të faktorizohen përballë një
populli aq të vogël, siç janë malazezët, edhe pse shtrirja gjeopolitike e shqiptarëve në Ballkan ofron kushte të njëmendta
për të mos lejuar shkeljen e dinjitetit të shqiptarëve aty ku ata nuk janë shumicë, si në Maqedoni, Luginë të Preshevës,
por edhe në Mal të Zi. Ne nuk dimë për asnjë iniciativë tjetër shtetërore që ka ndërmarrë shteti shqiptar për ta zbutur
gjendjen ekonomike të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë. E njëjta ndodh edhe në aspektin e
këmbimit kulturor, social, mediatik etj. Ajo që faktori shqiptarë, në përgjithësi, dhe shteti shqiptarë, në veçanti, nuk ka
zhvilluar një strategji mbarëkombëtare është një fakt i padiskutueshëm, por ajo që është edhe më dëshpëruese është fakti
se edhe trungu shqiptar ka filluar t’i harrojë degët e veta, madje jo rrallë këto degët nuk duan të dëgjojnë për njëra-tjetrën,
sepse ato e ngrenë zërin vetëm atëherë kur atyre u kanoset rreziku i “kalbjes”.
Është një fjalë e urtë e cila sugjeron se kur një pjesë e trupit është e sëmurë, i sëmurë ndjehet i tërë trupi.
Andaj, s’mund t’i trajtojmë disa pjesë të trupit tonë sikur të ishin të transplantuara. Sepse, sado që ne mund të
shtiremi se nuk na intereson çka po ndodhë me shqiptarët andej (kudo qofshin ata), vijnë momente kur lëndimet
e tyre i ndjejmë si dhimbje të trupit tonë.
Mali i Zi është tokë shqiptare, atje me shekuj kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarë. Të tjerët janë munduar dhe
mundohen ta ndryshojnë këtë realitet duke bërë masakra (si ajo e Tivarit e Bihorit) e duke djegur fshatra e
vendbanime të tëra të banuara me shqiptarë. Dhe, fatkeqësisht, kanë pasur mjaft sukses në qëllimet e tyre.
Por, është koha e fundit që ta ngremë vetëdijen dhe memorien kolektive në lidhje me shqiptarët e Malit të Zi,
sepse ata janë një pjesë e pandashme e trupit shqiptar - pa ata, mozaiku shqiptarë nuk është i plotë.
Prandaj, në mos më shumë, le të jetë Shenja jonë e 12-të dëshmi se megjithatë “JEMI NJË.
